Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Krim, polici, para, Rilindje = 77 deputetë

Krim, polici, para, Rilindje = 77 deputetë

09:22, 04/05/2021
A+ Aa A-

Në një nga raportet e fundit të GRECO (Grupimi i Shteteve kundër Korrupsionit), i përgatitur në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, ngrihej alarmi i politizimit të skajshëm të Policisë së Shtetit. Ndoshta ky fakt nuk kuptohej shumë qartë te dhuna, gazi e zelli jo proporcional që ushtronte sistematikisht policia e udhëhequr nga Ardi Veliu, te protestat e opozitës, Astirit, Teatrit Kombëtar, e kudo.

Por ky politizim, kjo vënie e jashtëligjshme e trupës policore në shërbim të partisë-shtet dhe ekskluzivisht nën urdhrat e kryetarit të PS-së dhe Edi Ramës, e kishte një finale, një qëllim fundor: Zgjedhjet e 25 prillit.

Që të kuptojmë se çfarë deformimi i ka bërë shtetit ligjor, demokracisë dhe zgjedhjeve të fundit ky rol i policisë, le të rikujtojmë shkurt, se kush është në të vërtetë drejtori i përgjithshëm i tyre, Ardi Veliu.

Ashtu siç ishte paralajmëruar në ditët e protestave të mëdha të të rinjve që kërkonin dorëheqjen e Ardi Veliut pas vrasjes së Klodian Rashës, sot duket qartë se përse Edi Rama ishte i gatshëm që të digjte gjithë Tiranën, por drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, të mos e lëshonte. E mbrojti edhe pse tentoi të manipulonte vrasjen skandaloze të të riut, duke lëshuar një deklaratë që fajësonte viktimën. Lëshoi ministrin Sandër Lleshajn, por jo drejtorin e përgjithshëm, i cili ishte përgjegjës direkt. “Edhe sikur qielli me tokën të bashkohen, harrojeni. Edhe sikur 500 mijë njerëz të pushtojnë sheshet dhe rrugët, Ardi Veliu nuk largohet”, deklaronte dhjetorin e vitit të kaluar Edi Rama.

Pra të gjithë duhet ta harronin se në zgjedhjet e 25 Prillit do të shkohej me një polici ndryshe, të baraslarguar nga palët që do të garonin dhe të pabindur ndaj urdhrave politik të Edi Ramës, siç kërkonte në raportin e tij Këshilli i Europës. Faktikisht Ardi Veliu, as që duhej të ishte zgjedhur fare drejtor i Përgjithshëm i Policisë. U shkelën në mënyrë flagrante të gjitha procedurat ligjore, sepse ai nuk plotësonte as kushtin e gradave, as atë të viteve në karrierë.

Në datën 5 shkurt të vitit 2018, kryeministri Edi Rama firmosi emërimin e Veliut, por nuk harroi që ta kujtonte në një takim konfidencial se pavarësisht se ishte “njeri i Xhafajve”, duhej t’i qëndronte besnik atij deri në fund. Dhe kështu ndodhi: Xhafaj iku e Veliu ngeli. Pas protestave të mëdha të të rinjtë për vrasjen e Klodian Rashës iku edhe Lleshaj, kurse kryepolici jo. Që atëherë u bë e qartë se roli i tij në zgjedhjet e 25 prillit ishte deciziv!

Më herët Ardi Veliu e ka nxjerrë Edi Ramën, edhe nga disa situata të vështira politike. Të gjithëve iu kujtohet roli i tij gati ordiner, në menaxhimin e skandalit të përgjimit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Agron Geron Xhafaj. Çështja u bë politike dhe shpërthyese në skenën e partive kundërshtare për një kohë të gjatë. Por Veliu gjeti, përpunoi dhe pagoi direkt një dëshmitarë të rremë.

Gjithashtu roli i tij ka qenë “shpëtues” për Edi Ramën në çështjen e të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili. Pasi mori një ultimatum të prerë nga SHBA Rama u tremb dhe në lojë u fut Ardi Veliu, i cili nuk i kishte ndërprerë kurrë komunikimet me Balilin. Kopsitën një marrëveshje dorëzimi në fshatin e shumë të kërkuarit. Skenat me këngë e valle dhe kryepolicin e Shqipërisë që bënte shoferin e Balilit, u bënë hit në rrjet.

Edi Rama e ka përdorur Veliun edhe në funksion të miqësisë së tij me presidentin e Turqisë Erdogan, në një çështje tjetër delikate e cila sot ka shpërthyer në BE, duke rrëmbyer dhe dorëzuar te anti terrori turk gulenistin Harun Çelik, në mënyrë të pabesë dhe duke shkelur çdo konventë ndërkombëtare. 

Por të gjitha këto mund të cilësohen vetëm si “nxemje” për rolin që lozi policia nën udhëheqjen e Ardi Veliut, në zgjedhjet e 25 prillit.

Janë me qindra denoncimet e opozitës në polici e prokurori për shitblerje votash, shantazh, kriminelë të kërkuar edhe nga Interpol që ju bashkuan shtabeve elektorale të PS në gjithë vendin. Por as gishtin e vogël nuk lëvizën.

Kulmi u arrit me ngjarjen tragjike të Elbasanit, vetëm pak ditë përpara ditës së votimit e cila ju mbeti në dorë si patate e nxehtë. E vërteta e kësaj ngjarje ku mbeti i vrarë një nga eksponentët kryesorë të shtabit elektoral të Taulant Ballës dhe PS-së, Pjerin Xhuvani, mjafton për të shembur ndershmërinë dhe legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.

Aty zbërthehet komplet skema që ka përdorur Edi Rama në të gjithë vendin. Aty implikohen të gjitha strukturat që duhej të ishin të  depolitizuara, por që në fakt kanë punuar në favor të atyre që blen e grabitën votën, për llogari të Partisë Socialiste. Tashmë kanë dalë në shesh një sërë provash, të cilat u mbajtën të fshehura deri më 25 prill dhe që vërtetojnë këtë skemë gjigante manipulimi.

Më herët shefi i fushatës elektorale për Elbasanin, Gazmend Bardhi kishte bërë denoncim edhe në SPAK, kundrejt këtyre grupeve kriminale që mblidhnin vota në favor të Taulant Ballës dhe Edi Ramës. E vërteta është se që para vrasjes fatale, Elbasani ishte në dorë të krimit të organizuar, i cili ato ditë u shndërrua në elektoral.

SPAK, prokuroria e Elbasanit, shefi i të cilës u emërua pa kaluar vettingun dhe me të vëllanë kandidat për deputet në listat e PS-së, e sidomos Policia e Shtetit i la të lirë të vepronin, pavarësisht nga denoncimet, faktet, dyshimet e hedhura edhe nga ndërkombëtarët se ata po përdoreshin në funksion të fitores së PS. Edhe në momentet e ngjarjes, opozita lajmëroi policinë e cila shkoi përpara grupit të armatosur të shtabit të Ballës, por nuk ndërhyri për të shmangur gjakderdhjen. Më pas u përfshinë, edhe në fshehjen dhe manipulimin e provave.

Pak ditë pas përplasjes së përgjakshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe prokurori Alfred Shehu arritën kulmin duke i hapur vetes një derë të sigurt qelie, nëse drejtësia do të funksionojë si duhet. Mohuan publikisht se në vendngjarje ishin gjetur materiale, që përbënin prova dhe ngrinin dyshime për shitblerje të votës. Ata mashtruan dhe tentuan që të manipulojnë krimin e rëndë zgjedhor me pasojë edhe një vrasje, duke qenë në krye të detyrës dhe live përpara kamerave.

“Nga këqyrja e automjetit Mercedez tip ML pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundraligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshin për shitblerje të votës”, - deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ard Veliu. “Nuk janë gjetur materiale zgjedhore”, shtoi Zv.prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu.

Por më pas dokumentet hetimore të siguruara nga mediat vendase dhe  "Zëri i Amerikës" treguan, se në dy makinat e bllokuara të dy eksponentëve kriminal Klement Xhaferri dhe Mehmet Greca në vendin e krimit u gjetën fletëpalosje të Partisë Socialiste, fotokopje kartash identiteti, euro e lekë, si dhe një bllok me emra votuesish me mbishkrimin, “pagesa”. Por edhe pas kësaj SPAK hesht dhe ende nuk po nuk hap një hetim për drejtorin e përgjithshëm, prokurorin e çështjes dhe lidhjet e rolin e Taulant Ballës që në gjenezën të ngjarjes së rëndë e të paralajmëruar.

Krim, para, blerje, polici, prokurori dhe eksponentë të Rilindjes; të gjithë bashkë dhe të kapur në një vend...

Ndaj Elbasani është nyja që po të ketë vullnet SPAK dhe ambasada amerikane, mund të zbërthejë komplet skemën që ka përdorur Edi Rama në të gjithë vendin, për të fituar 77 vende në parlament.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t04/05/2021 09:59

Asgje do pritet nga spakistet dhe ambasadorja sorosiane,por te fillojne revoltat jo si i nisi basha ne shkurt dhe i la pergjysem.Ky regjim i rilindjes duhet rrezuar si ne 91. Ose demokraci ose diktature,

Gj 04/05/2021 09:31

Rama me bandat e pushtetit nuk duhet te jen populli nuk i votii por ata i vodhen me te gjitha menyrat por ka shum prova dhe europa nu duhet ti lejoj

Shto koment

Denonco