'Nuk do njohim zgjedhjet'/ PD po mbledh provat e manipulimit

'Nuk do njohim zgjedhjet'/ PD po mbledh provat e manipulimit

09:17, 04/05/2021
A+ Aa A-

Kreu i PD Lulzim Basha, ka thirrur dje në Selinë e PD-së, kryetarët dhe sekretarët e degëve, të cilët i ka udhëzuar të vazhdojnë të mbledhin fakte për manipulimet e zgjedhjeve të 25 prillit. Basha mësohet të ketë thënë, se opozita nuk mund të njohë një proces si ai i 25 prillit. Më herët kreu i PD priti në një takim dhe kryesuesen e misionit të OSBE/ODIHR Ursula Gacek, të cilën e ka informuar në lidhje me provat dhe faktet që disponon opozita në lidhje me atë çka ndodhi më 25 prill.

Partia Demokratike po shkon drejt mosnjohjes së zgjedhjeve. Kreu i PD Lulzim Basha ka mbledhur dje në selinë e PD-së, krerët dhe sekretarët e degëve në të gjithë vendin, ku iu ka kërkuar të vazhdojnë me mbledhjen e provave për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit duke iu bërë thirrje të mos bien në kurthet e kundërshtarit. “PD nuk mund të njohë një proces zgjedhor si ai i 25 prillit. Mos bini në kurthin e kundërshtarit. Mblidhni faktet e manipulimeve. Javën e ardhshme do të nis një tur në çdo degë të PD-së”, mësohet të ketë thënë Basha, raporton ABC news. Kreu i PD është mësuar të jetë shprehur se PS ka përdorur bandat dhe administratën, për të deformuar vullnetin e shqiptarëve.

Takimi

Më herët në orët e mesditës Basha zhvilloi një takim me kryesuesen e OSBE/ODIHR Ursula Gacek. Në takim ishin dhe përfaqësues të tjerë të PD-së, si Ivi Kaso apo Oerd Bylykbashi. Burime në PD shprehen se Gacek është njohur me provat dhe faktet e mbledhura nga opozita në lidhje me ato që kanë ndodhur në 25 prill, por nuk ka preferuar më pas të japë një deklaratë për mediat. Vetë kreu i PD-së Lulzim Basha, pas daljes nga takimi dha një prononcim të shkurtër, ku u shpreh se beteja vazhdon deri në fitore. Në fakt dhe nga krahu i majtë që pretendon se ka fituar zgjedhjet, është vënë re një lloj tulatjeje pas euforizmit të ditëve të para. Një mosnjohje e zgjedhjeve nga ana e opozitës, do e vinte në jo pak vështirësi mazhorancën, e cila në thuajse të gjitha zgjedhjet e organizuara është akuzuar për manipulime votash, të provuara këto dhe në dosjet 184 dhe 339, përkatësisht të Dibrës dhe Shijakut, por edhe si zhvilluese e vetme e zgjedhjeve të vitit 2019. Nuk duhet harruar se zgjedhjet e këtij viti janë testi kryesor për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, të shtyra vit pas viti.

Raporti

Gjithsesi do jetë raporti i OSBE/ODIHR, që do sqarojë më shumë rreth asaj çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e sivjetshme. Një raport paraprak i dalë më 26 prill, evidentonte jo pak probleme, si shitblerja e votës, përdorimi i administratës, vjedhjen e databazës së të dhënave etj. Në rast se dhe raportet e mëpasshme që pritet të dalin, njëri tani shpejt dhe ai përfundimtari në muajin qershor, shkojnë në të njëjtën linjë, atëherë shenjat nuk janë të mira. Përpos kësaj në tregun mediatik dhe jo vetëm vazhdojnë të dalin fakte të reja të deformimit të vullnetit të qytetarëve duke përdorur fondet publike, si në rastin e shpërndarjes së parave të rindërtimit vetëm dy apo tre ditë para zgjedhjeve në Tiranë, Durrës apo Thumanë, por edhe të përdorimit të administratës dhe policisë në zgjedhje.

Vjedhja e databazës së të dhënave dhe lënia në dorë të militantëve të PS, është një tjetër kleçkë që mund ta penalizojë së tepërmi Shqipërinë. Me anë të saj janë evidentuar të punësuarit, të palegalizuarit, ata që trajtohen me ndihmë ekonomike, njerëz që mund të shantazhohen për një problem që kërkon zgjidhje, të tjerë që kërkojnë punësim. Vetëm vitin e fundit mendohet që administrata të jetë shtuar me më shumë se 10 mijë persona, në këmbim të votës së tyre dhe të familjarëve. Nga ana tjetër, në këto zgjedhje janë evidentuar 87 mijë fletë votimi të pavlefshme, gati sa trefishi i diferencës mes kampeve. Ndryshimet kushtetuese që ndaluan koalicionet, ndryshimi i sistemit, karantina absurde para zgjedhjeve për votën e emigrantëve të Greqisë, mendohet të kenë influencuar jo pak në rezultat.

Paloka: Nuk do t’i njohim zgjedhjet, jemi në fazën e mbledhjes së provave

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka bërë dje me dije se Partia Demokratike nuk do i njohë zgjedhjet. Ndër të tjera ai ka theksuar se është e qartë mënyra se si u bë e gjithë fushata zgjedhore e 25 prillit, sipas tij PD po grupon të gjitha faktet për të vërtetuar se ky ishte një proces i korruptuar dhe i vjedhur. Paloka ndër të tjera në fjalën e tij është shprehur se vendimi i tyre për të qenë në parlament ose jo do të vendoset hap pas hapi, dhe mbi të gjitha ata po presin raportin e OSBE-ODIHR. “Tani kjo është bërë e qartë, unë personalisht e kam deklaruar më shumë se njëherë se nuk njihen këto zgjedhje. Nuk diskutohet se PD nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit pasi nuk ishin të tilla.

Qëndrimet kanë qenë të qarta dhe nuk besoj se ka dilema për qëndrimin e PD-së dhe kryetarit, ndaj s’duhet të ketë dilema askund. Basha dhe PD janë në një proces dhe kemi ngritur një grup me specialistë dhe juristë që po merren me problematikën e zgjedhjeve dhe me sistemimin e problemeve që ne i kemi nisur gjatë të gjithë fushatës zgjedhore, që janë denoncime të grupuara në lidhje me çdo parregullsi që është bërë gjatë këtij procesi. Unë si ish-gazetar jam më i prerë dhe më i qartë. Nëse nuk do të më kishe ftuar në emision s’do e kishe kuptuar. Mosnjohja e zgjedhjeve është që vendimet do i marrim hap pas hapi, si fillim do të sistemojmë provat që kemi, do të presim raportin e OSBE-ODIHR dhe pas kësaj ne do të mbajmë dhe qëndrime tona politike”, -tha Paloka./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco