BIRN: Policia arreston mbështetësit e PD për përplasjen e përgjakshme në Elbasan

BIRN: Policia arreston mbështetësit e PD për përplasjen e përgjakshme në Elbasan

15:49, 22/04/2021
A+ Aa A-

Drejtori i Policisë, Ardi Veliu deklaroi se në makinën e bllokuar në Elbasan nuk janë gjetur prova për manipulime zgjedhore, por deklaroi se është ‘sekret hetimor’ se kush nga palët përdori armët e para. Shpallet në kërkim Klement Xhaferri.

Nga Gjergj Erebara-BIRN

Policia e Shtetit shpalli arrestimin e dhjetë personave, anëtarë të asaj që po njihet si ‘grupi i mbrojtjes së votave’ të Partisë Demokratike në Elbasan si dhe shpalli në kërkim Klement Xhaferrin, i dyshuar si mbështetës i socialistëve dhe si përgjegjës për përplasjen me armë në rrugët e Elbasanit të mërkurën, ngjarje që la një të vrarë dhe 4 të plagosur.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ishte i përmbajtur në detajet mbi rrethanat e përplasjes, por theksoi se pretendimi i Partisë Demokratike se në vendngjarje ka prova për blerje votash nga ana e socialistëve, është i pavërtetë.

 ‘Nga këqyrja e automjetit  tip ML Benz pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor  nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës,’ deklaroi Veliu.

Ai refuzoi pyetjet e shumta të gazetarëve mbi natyrën e konfliktit dhe pikëpyetjen se si ai u përshkallëzua në përplasje me armë, pavarësisht pranisë së lartë të forcave të rendit publik në vendngjarje.

Drejtuesi i fushatës së PD në Elbasan, Gazment Bardhi deklaroi mbrëmjen e së mërkurës se një grup mbështetësish të tij, të cilët i përshkroi si ‘ish-oficerë policie të ndershëm’, përbëjnë një strukturë që sipas tij synon ‘të mbrojë votën’.

Drejtuesi i fushatës së socialistëve në Elbasan, Taulant Balla i cilësoi këta persona si një grup paramilitarësh të armatosur.

Veliu deklaroi se nëntë persona persona, Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe Nuredin Kasma, janë arrestuar të dyshuar për  kryerjen e veprës penale ‘Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë’ në bashkëpunim, ndërsa i dhjeti, Arbër Paplekaj, u arrestua i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave’, ‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë’ dhe ‘Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë’ në bashkëpunim.

Klement Xhaferri, një person me precedentë penalë, i akuzuar se mbështet Partinë Socialiste në këto zgjedhje u shpall në kërkim, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë’.

Veliaj deklaroi se në vendngjarje janë gjetur 20 gëzhoja plumbash të qëlluara nga dy armë zjarri, por vetëm njëra prej tyre, ajo që besohet se është përdorur nga Arbër Paplekaj u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

I përballur me pyetjet e gazetarëve, veçanërisht me pikëpyetjen se si Policia e Shtetit nuk arriti ta parandalojë ngjarjen edhe pse efektivët e saj ishin të pranishëm aty, Veliu i bëri thirrje palëve të mbështesin Policinë e Shtetit.

Sipas tij policia ‘nuk ka nevojë sot të përbaltet, të akuzohet apo të intimidohet, por ka nevojë për mbështetjen e të gjithë palëve.’

Aftësia e Policisë së Shtetit për të kontrolluar rrugët e Elbasanit është vënë në pikëpyetje nga prania e grupeve të ndryshme kriminale që veprojnë të patrazuar në qytet, ndërsa roli i Policisë së Shtetit si institucion i pavarur politikisht është vënë në dyshim gjatë viteve të fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco