‘Ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor’/ Presidenti i KE-së hesht për dokumentin jozyrtar

‘Ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor’/ Presidenti i KE-së hesht për dokumentin jozyrtar

17:41, 16/04/2021
A+ Aa A-

Një dokument fantazmë që propozon ndryshime kufijsh nëpër Ballkanin Perëndimor shkaktoi furtunë politikë në rajon e në Bruksel këtë javë.

Ndërsa shumica e zyrtarëve të BE kishin fare pak dijeni për dokumentin, zyra e Presidentit të Këshillit të Evropës, Charles Michel, nuk mundi ta mohonte marrjen e tij.

Të enjten (15 prill), necenzurirano.si me bazë në Lubjanë publikoi një ‘jo-dokument’, siç e quajti, supozuar me autor kryeministrin Janez Janša apo dikë nga rrethi i tij i ngushtë, që propozonte ndryshime të mundshme kufijsh për zgjidhjen e problemeve në ish-Jugosllavi, me titull Ballkani Perëndimor – Rruga përpara.

Janša e ka mohuar autorësinë e një dokumenti të tillë dhe zyra e tij, e kontaktuar nga EURACTIV, tha se nuk ka komente të tjera për këtë çështje.

Media boshnjake ishte e para që raportoi të hënën se Janša i kishte dorëzuar një dokument me linja udhëzuese ‘për shkrirjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë’ presidentit të Këshillit të Evropës Charles Michel në shkurt apo mars të këtij viti.

Ato shkruanin edhe se Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor e kishte shtruar për diskutim çështjen e ‘shkrirjes paqësore’ të Bosnjë Hercegovinës në një bisedë me presidencën trepalëshe të Bosnjës muajin e kaluar, gjë që Pahor e konfirmoi por këmbënguli se motivet e tij ishin të ndryshme dhe se ai mbetet plotësisht në favor të integritetit territorial të Bosnjës.

Institucionet e BE dhe vendet anëtare shkëmbejnë herë pas here materiale konfindenciale por jo zyrtare që sugjerojnë pika bisedimesh apo korniza të mundshme diskutimesh për çështje delikate, me qëllim gjetjen e gjuhës së përbashkët.

Dokumenti propozon ‘zgjidhje’ që përfshin ‘bashkimin e Kosovës me Shqipërinë’ dhe si kundërbalancë ‘bashkimin e një pjese të madhe të territorit të Republika Srpska me Serbinë’, në thelb duke rivizatuar kufijtë sipas linjave etnike.

Çështja kroate në BH do të zgjidhej përmes bashkimit të zonave të dominuara nga kroatët me Kroacinë, ose duke iu dhënë atyre një status special bazuar në modelin e Tirolit Jugor, provinca autonome me shumicë gjermanfolëse në Italinë veriore. I njëjti status propozohet për ‘pjesën serbe të Kosovës’.

Hapja e derës për Turqinë

Me referendum, ‘boshnjakët mund të zgjedhin midis të ardhmes në BE ose jashtë tij, si Turqia’, vazhdon dokumenti. Turqia është veçanërisht e interesuar në rajon, por BE nuk e ka marrë kurrë në konsideratë reduktimin e ambicies së tij për zgjerim për të përfituar Ankaraja.

Më herët, përmes një gazete kroate, Ministri i Jashtëm Gordan Grli? Radman bënte thirrje për më tepër mbështetje për Bosnjën, përfshirë përpjekjet për të përmirësuar ‘peizazhin e fragmentuar politik dhe atmosferën mosbesuese’ që ekziston midis përfaqësuesve politikë të Bosnjës, dhe përkrahu statusin e vendit kandidat të BE.

Sllovenia ishte midis nënshkruesve, ashtu si dhe Bullgaria, Qiproja, Greqia dhe Hungaria.

Mos-mohimi i Michel

I pyetur për ta konfirmuar apo mohuar marrjen e dokumentit slloven nga zyra e Michel, përmes kanaleve zyrtare ose jozyrtare, zëdhënësi i tij tha për EURACTIV se nuk mund të bënte asnjë koment.

Komisioni Evropian dhe shërbimi i tij diplomatik (EEAS) nuk kishin dijeni për dokumentin jozyrtar për kufijtë në Ballkanin Perëndimor.

‘EEAS nuk e ka marrë, nuk ka dijeni për përmbajtjen e tij përveç sa është raportuar në media’, tha zëdhënësi kryesor i BE Peter Stano për EURACTIV, i pyetur për dokumentin.

Diplomatët e BE pa dijeni

Shefi i diplomacisë së Brukselit, Josep Borrell, e ka theksuar vazhdimisht dëshirën e BE për të parë përkushtim nga ana zyrtarëve boshnjakë që do t’i mundësonte vendit të ecte drejt BE.

Disa analistë supozojnë edhe se liderët sllovenë mund të kenë qenë duke testuar nivelin e pakënaqësisë me Bosnjën midis ‘aktorëve më të mëdhenj’, ose edhe brenda BE.

Pesë diplomatë të BE, kontaktuar nga EURACTIV, thanë megjithatë se ata nuk kanë dijeni për dokumentin, pasi nuk është prezantuar përmes kanaleve zyrtare.

Në praktikën diplomatike kjo do të thotë që ekzistenca e tij mund të mohohet në çdo moment.

‘Ky jo-dokument nuk është diskutuar midis vendeve anëtare. Nuk është shpërndarë zyrtarisht’, tha një diplomat.

Një tjetër tha se ‘duket si veprim provokues dhe disinformues’, por refuzoi të spekulonte se kush mund të kishte interes nga përhapja e një disinformacioni të tillë.

Presidencë problematike?

Sllovenia do të marrë presidencën e Këshillit të BE më 1 korrik, kështu që koha e deklaratave të Pahor e Janša lë të nënkuptosh se mund të ketë biseda më konkrete në nivel evropian për të ardhmen e BP.

Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, lider e partisë së dytë më të madhe në opozitë, Social Demokrate, tha në parlamentin slloven të enjten se ‘zgjidhja për Ballkanin është një perspektivë e qartë evropiane, jo ndryshim i kufijve’.

Fajon paralajmëroi disa nga liderët evropianë që promovojnë ‘ide përçarëse dhe tendenca nacionaliste, dhe me lëvizje jodiplomatike, se ata po brengosin edhe më tepër një popull të brengosur’.

‘Çdo ide e lëvizjes së kufijve midis vendeve, veçanërisht në Bosnjë Hercegovinë, që ka vuajtur dëmet më të mëdha, është një lëvizje jashtëzakonisht e rrezikshme’, tha Fajon.

Ajo trazoi fuqishëm Bullgarin kohët e fundit duke kryesuar përgatitjen e një rezolute në Parlamentin Evropian që kritikon ashpër Sofjen për bllokimin e nisjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, ndërsa lavdëroi qëndrimin ‘e matur’ të Shkupit.

Amendamenti nuk u pranua në seancën plenare, por një ndjesi e keqe për presidencën sllovene mbetet ende, thanë komentuesit në Sofje./ euractiv/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco