3900 vdekje në mars, por Komiteti i bindet 'urdhrit' të Ramës

3900 vdekje në mars, por Komiteti i bindet 'urdhrit' të Ramës

09:49, 12/04/2021
A+ Aa A-

Ndryshojnë masat anti-COVID. Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi një ditë më parë të lehtësojë masat duke zgjatur orën e qarkullimit deri në 22:00 me argumentin se është ulur ndjeshëm shkalla e infeksionit, në të njëjtën kohë edhe shtrimet në spital.

Por ky vendim nuk ishte i beftë, ndryshimi i orës policore u paralajmërua disa ditë më parë nga Kryeministri Rama, i cili e lidhi këtë vendim para së gjithash me nisjen e muajit të Ramazanit për besimtarët myslimanë.

Kjo zgjatje orari do të lejojë grumbullimet në xhami dhe mesa duket efekti i fushatës është më i madh sesa pesha e pandemisë.

Kështu, duke filluar nga sot dhe së paku për një periudhë dyjavore, ora policore do të fillojë kur akrepat të kenë shënuar 22:00. Ndërkohë që prej kësaj së hëne do të rinisin edhe fluturimet me Anglinë të pezulluara që prej fundit të vitit që shkoi.

Ky vendim vjen pasi muaji mars që mbyllëm ka regjistruar të dhëna rekord për numrin e vdekjeve. Në mars 2021 kishte rreth 3900 fatalitete në vend, me dyfishim (rritje 108%) në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kurse që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar mbi 10 mijë vdekje shtesë në vend, një shifër e frikshme, e cila shpjegohet vetëm me virusin. Ndërsa shifrat që paraqet qeveria janë disa herë më të ulëta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco