Juli Krisafi sjell studimin e ri/ 'Enver Hoxha; midis Stalinit, Hrushovit dhe Titos (1953-1961)'

Juli Krisafi sjell studimin e ri/ 'Enver Hoxha; midis Stalinit, Hrushovit dhe Titos (1953-1961)'

16:28, 10/03/2021
A+ Aa A-

“Enver Hoxha; Midis Stalinit, Hrushovit dhe Titos (1953-1961)’’ është një tjetër titull, që  u shtohet studimeve mbi marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.

Autorja Juli  Krisafi, njohur prej të gjithëve si një prej moderatoreve e gazetareve më në zë në vend, rrëfen për MetropolPost-in motivet që e shtynë të ndërmerrte një studim të tillë, i cili, përmes qëmtimit të dokumentacionit arkivor vendas e të huaj, ofron qartazi të tjera risi mbi marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik, rolin e liderave të saj historikë në politikën dhe realitetin shqiptar të atyre viteve, e sidomos ndikimin e tyre tek Enver Hoxha.

Pavarësisht kritikave për keqadministrimin e fondeve, Enver Hoxha kërkoi ndihmë nga Bashkimi Sovjetik për bonifikimin e tokave si dhe makineri të ndryshme, për traktorë, farë, pleh,  specialistë, ndihmë teknike, plotësim të ministrive shqiptare me këshilltarë sovjetikë, si dhe kërkoi 50 mijë ton drithë. Enver Hoxha, mirëkuptonte çdo vërejtje të Berias dhe ishte plotësisht dakord me të për Ministrinë e Punëve të Brendshme, por nuk ishte dakord që 30% e oficerëve mund të ishin armiq. Gjithashtu Hoxha kërkoi edhe praninë e 250 ofierëve në ushtri dhe 38 të tjerëve në ministrinë e Brendshme. Pjesë nga “Enver Hoxha midis Stalinit, Hrushovit dhe Titos (1953-1961)“

Hrushovi mendonte se edhe kultura e kikirikut duhej llogaritur për t’u mbjellë, për të parë se sa jep një hektar nga kjo bimë dhe sa jep duke u mbjell me misër. “Një hektar kikirikë do të japë të ardhura shumë më tepër se sa po të mbillet me grurë”, këshillonte ai. Për sovjetikët, ndërtimet në Shqipëri bëheshin në mënyrë shumë primitive. “Sikur të riorganizohej kalimi i ndërtimeve me blloqe beton arme, ato do të kushtonin më lire”, arsyetonte Hrushovi. Pjesë nga “Enver Hoxha midis Stalinit, Hrushovit dhe Titos (1953-1961)“

MetropolPost: Urime, Juli.  Në fakt publiku ju njeh më tepër si moderatore-gazetare. Surprizë shfaqja juaj si studiuese e historisë së Shqipërisë, e më saktë, e një pjese specifike të saj, diplomacisë. Si lindi ky libër studimor?

Juliana Krisafi:  Marrëdhëniet mes shteteve, mënyra  si i zgjidhin problemet mes tyre, diplomacia, kanë zgjuar ngahera interesin tim. Jam shkolluar për letërsi dhe kam punuar për gati 20 vite si gazetare, por e kam pasur përherë këtë pasion për marrëdhëniet ndërkombëtare, pasion të cilin e thellova me studimet doktorale, kryer para disa vitesh. Libri që keni në duar, është punimi im doktoral i ripunuar dhe i thelluar.

Është në fakt, një përpjekje për të ndërthurur gazetarinë me historinë, për të pasqyruar atë që ndodhte në politikën e jashtme, duke u bazuar në morinë e dokumentave të arkivave shqiptare, ruse dhe amerikane. Personalisht më ka intriguar gjithmonë Bashkimi Sovjetik, Rusia, e për këtë kam bërë studime edhe për gjuhën ruse për disa vite. Më pëlqen historia dhe letërsia e këtij shteti të madh dhe, duke qenë se ne kemi pasur një marrëdhënie komplekse me ta, ndërmora këtë iniciativë.

Kjo nuk është një temë e pa trajtuar më parë. Por është një temë ku ka gjithmonë diçka të re për të thënë.

Në libër janë përfshirë dokumenta të deklasifikuara së fundmi, fakte të patrajtuara më parë etj., por ajo që është e rëndësishme në çdo botim të ri, është këndvështrimi dhe analiza mbi faktet dhe dokumentat.

Jam përpjekur që në këtë studim të qëndroj neutrale, duke shmangur gjykimin mbi figurën e Enver Hoxhës, që mendova t’ia lë lexuesit, pasi të përballet me dokumentacionin në libër. Ajo që mund t’ju them, është se përballë Stalinit, Hrushovit e Titos, Enver Hoxha mbetet lider i një vendi të vogël dhe nevojtar, me dëshirën dhe ambiciet e një lideri global. Mënyra se si u përpoq të bëhej faktor në kampin e lindjes, ashpërsia dhe egërsia me të cilën shpaloste idetë dhe kundërshtitë, ishte e habitshme edhe për vetë protagonistët e skenës së madhe të politikës ndërkombëtare e këtu kam parasysh kinezët e sovjetikët.

Në libër përfshihet një numër shumë i madh dokumentesh, letra, telegrame, dialogje e dëshmi protagonistësh që do të ishin një ndihmesë për këdo që ka interes për fushën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Altin10/03/2021 18:42

Gjepura.... ky liber qe eshte doktorata e zonjes e mbrojtur tek Çili... eshte punuar nga xhaxhai i saj Ksenofon Krisafi...qe e kishte dhe udheheqes... kjo gjuhe-letersi shqipe ka mbaruar ne UGJ... u be historiane... keto jane cudirat shqiptare... materiale arkivore i paraqesin si punime te tyre....

Shto koment

Denonco