Vasili i përgjigjet Ramës: Thuaju shqiptarëve pse e kriminalizove Parlamentin, pse e izolove Shqipërinë…

Vasili i përgjigjet Ramës: Thuaju shqiptarëve pse e kriminalizove Parlamentin, pse e izolove Shqipërinë…

15:11, 10/03/2021
A+ Aa A-

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i përgjigjet deklaratave të kryeministrit Edi Rama.

“Kemi një kryeministër që për 8 vite nuk bëri asnjëherë detyrën e tij, por kemi një llafazan që është në hall të madh nga humbja e zgjedhjeve. Pandemia për shkak të tij ndodhet në duart më të këqija që mund të kishte rënë. Një pandemi që nëse do ishte administruar në duar të tjera, do të kursente mijëra e mijëra infektime dhe dhjetëra vdekje më pak se këto që kanë parë këto kohë”, deklaroi Vasili.

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!

Ju për fat të keq jeni të detyruar, për shkak se kryeministri juaj nuk ka asnjë punë tjetër, përveç një karagjozi mejhanesh, që të shikoni e të dëgjoni idiotësi pa fund të këtij kryeministri, i cili shpërdoron karrigen dhe nuk bën detyrën e tij.

Pra përfundimisht prej tetë vitesh kemi një kryeministër që nuk bën detyrën dhe punën e tij, por është thjesht dhe vetëm një llafazan, matuf dhe makut që vjen vërdallë e të vetmen gjë që nuk bën është detyrën e tij.

Ne jemi këtu që ti kujtojmë këtij njeriu, meqenëse është në detyrë edhe për pak kohë që tu japë përgjigje shqiptarëve njëherë e përgjithmonë, dhe ata e presin këtë, në radhë të parë se ç ‘bën me një hall madhor, të përditshëm të tyrin siç është pandemia, e cila për shkak të tij dhe të sharlatanëve të tij në qeveri ndodhet në duart më të këqija që mund të jetë ndodhur ndonjëherë ndonjë çështje shëndetësore në Shqipëri.

Shqipëria ka kaluar pandemi më parë, ka kaluar epidemi më parë, të cilat janë trajtuar dhe mbyllur me sukses të plotë dhe Shqipëria po vuan një histori të tmerrshme, tragjike të përditshme dështimi për shkak të këtij kryeministri e të sharlatanëve të tij.

Një pandemi, e cila e administruar në duar të tjera, do të kursente qindra jetë njerëzish e mijëra infektime, e mijëra e mijëra të tjera dëmtime të shëndetit. Për fat të keq të shqiptarëve ndodhen në duart më të këqija që janë ndodhur ndonjëherë, e shqiptarët nuk kujtojnë dot pandemitë, epidemitë e të shkuarës, sepse janë administruar në mënyrë korrekte dhe të përgjegjshme, cilado qofshin qeveritë që kanë qeverisur, të majta apo të djathta. Të vetmet qeverisje, të vetmet duar të këqija, të zeza që ata kanë parë janë vetëm duart e Edi Ramës, të paaftësisë e të ligësisë së tij, të njeriut që nuk e shqetësojnë as vdekjet nga pandemia, dhe as mijëra infektimet nga pandemia, dhe as drama ekonomiko – sociale, ku mijëra të sëmurë nuk trajtohen dot sepse nuk kanë para, pasi kryeministri i tyre paratë i harxhon për të bërë show, jo për të paguar dhe rimbursuar barnat e tyre, jo për të rimbursuar dhe për të gjetur para që ushqimi i pacientëve në spital të jetë një ushqim normal, dinjitoz për një të sëmurë. I harxhon për LED-et, i harxhon për kamerat, për imazhin, për propagandën e tij, në mënyrë që llafazani matuf dhe makut të bëjë palaçollëkun e mejhanes së radhës.

Megjithatë, përpara shqiptarëve ka detyrimin e madh që ti përgjigjet çështjeve të mëdha: Pse e kriminalizoi Parlamentin e Shqipërisë? Pse i kriminalizoi bashkitë e Shqipërisë duke futur gjithë njerëzit me rekorde kriminale? Tu kthejë përgjigje shqiptarëve se si nga shëndetësia falas, gratis, pa para, po paguajnë qimet e kokës dhe kanë hyrë në një dramë ekonomike të pashembullt, për shkak të pandemisë? Tu shpjegojë atyre se si e hapi dhe e mbylli OFL-në që vetëm legjitimoi pronat e kriminelëve dhe nuk bëri që tu hynte gjemb në këmbë atyre, e ku e mbylli me nxitim e me vrap se mos ngacmohej pak e u prishej terezia klaneve kriminale me të cilat ka dhënë e ka marrë, i ka mbështetur dhe e kanë mbështetur, po sigurisht që u ka ardhur fundi të dyve bashkë.

Patjetër që shqiptarët presin me padurim tu shpjegojë pse i izoloi Shqipërinë? Pse bllokoi integrimin evropian? Pse nuk i bën shërbim perëndimit? Pse nuk i bën shërbim euro-atlantizmit? Pse nuk i bën shërbim Brukselit dhe Uashingtonit, por u bën shërbim të tjera realiteteve të në lindje që shqiptarët nuk i duan, i refuzojnë? Nuk kanë dalë në vitin ’90 dhe përmbysën një regjim komunist që shikonte nga lindja, për të parë sërish nga lindja, por se donin të shikonin nga perëndimi, atje ku ishte prosperiteti, ku respektohet prona private, të drejtat e njeriut, të gjitha këto së bashku të drejta që Edi Rama i urren dhe ka neveri për to, pasi Edi Rama ka vetëm psikopatinë e një të çmenduri që do të rrijë më çdo kusht në një karrige dhe të prishë jetën dhe pronën e të tjerëve.

Sigurisht që ai duhet të përgjigjet pse e deformoi dhe e rrënoi reformën në drejtësi? Pse bëri gjithçka për ta kapur dhe pengoi zbatimin e reformës në drejtësi, atë të miratuar me 140 vota më 21-22 korrik të vitit 2016?

Pse i la shqiptarët pa drejtësi? Pse i la shqiptarët pa gjykata? Pse i la mijëra çështje të shqiptarëve që të mos marrin drejtësi, në mënyrë që të abuzojë ky me pushtetin e tij, e tu rrëmbejë pronat, e ku shqiptarët të mos kishin mundësi ku të ankoheshin, e rrëmbimi i pronës të bëhej fakt i kryer?

Gjithashtu ai duhet patjetër tu shpjegojë shqiptarëve se si iu shiti pronat e tyre dhe miliarda euro i dha me koncesione. Se si u ul të ndante Shqipërinë copa – copa në darkën e Dubait, duke u vënë edhe emër copave të mëdha e duke planifikuar copa të tjera.

Duhet tu shpjegojë shqiptarëve se si pati paturpësinë pasi planifikoi të ndante Shqipërinë, ishte në krahët e armiqve më të egër të Kosovës për të penguar, për të copëtuar e për të kafshuar edhe kufijtë e Kosovës. Janë të gjitha këto përgjigje shumë të mëdha e të rënda që ai ka përgjegjësinë për ti dhënë.

Por meqenëse Kryeministria ndodhet në qytetin e Tiranës, ka detyrimin tu shpjegojë mijëra qytetarëve të saj, të vjetër e të rinj se pse ia shkuli zemrën historike Tiranës, pese betonoi çdo qelizë, pse e ktheu Tiranën në lavatriçen e parave të pista, tashmë të konfirmuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, pak ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pse e ktheu Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave? Pra, do të thotë të festës së parave të krimit, të festës së trafiqeve. Duhet t’i shpjegojë shqiptarëve se pse e kthehu në Kolumbinë e Europës. Pse i detyroi 400 mijë shqiptarë të ikin të lemerisur, vetëm për shkak të qeverisjes së këtij njeriu? Nuk ikën shqiptarët kur u liberalizuan vizat, në vitin 2010, ashtu siç bënte Kasandrën po ky individ atëherë, që paguante edhe para në Bruksel që të mos miratohej liberalizimi i vizave. Nuk ikën 1 milionë shqiptarët që parashikoi ky. Ikën tani në qeverisjen e tij. Dhe ikja e tyre e ka një emër. Emri është Edi Rama. Këtë nuk e luan topi.

Kjo dramë kombëtare, që bën 79% të të rinjve të thonë që duam të ikim nga Shqipëria. Nuk i bën se ata duan të ikin nga atdheu i tyre. Nuk i bën se duan të ikin nga familjet e tyre, nuk i bën se ata duan të ikin nga rrethi shoqëror i tyre e të shkojnë të punojnë atje të vetmuar, në rast se e gjejnë punën. Por i bën vetëm e vetëm sepse ua ka bërë tokë të zezë e të djegur Shqipërinë ky individ, ky llafazan matuf dhe makut, i cili di të bëjë vetëm palaçollëqe propagandistike. Por nuk paguhet për këto. Paguhet për t’u dhënë përgjigje këtyre çështjeve kaq të mëdha.

Njëherazi, po ky individ duhet t’i shpjegojë edhe të vetëve dhe të gjithë të tjerëve, pse e shndërroi Shqipërinë në një vend të cilit europianët i kërkojnë arsyet pse nga Shqipëria largohen njëlloj si nga Siria që është në luftë e në flakë. Dhe u bën shqiptarët t’u diskutohet edhe rivendosja e sistemit të vizave, një e drejtë dhe një fitore historike dhe e jashtëzakonshme e tyre.

Pra ky njeri, kjo pjellë e të gjithë të këqijave, ka detyrë të kthejë përgjigje për këto. Dhe këtyre përgjigjeve nuk u shmanget dot as sot, as çdo ditë deri në 25 prill ku do të marrë përgjigjen përfundimtare dhe pa kthim sepse shqiptarët në 25 prill do të marrin pjesë në një referendum që ua bën Shqipërinë sërish shtëpinë e tyre, që ua bën që të duan të rrinë në shtëpinë e tyre, që ua bën të ndihen të barabartë në shtëpinë e tyre.

Sepse shqiptarët nuk janë të barabartë në shtëpinë e tyre, pasi kanë një drejtësi që kriminelët dhe hajdutët klientë të qeverisë nuk i dënon kurse qytetarin më të thjeshtë e fut në burg, i rrëmben pronën dhe gjithçka. Për një Shqipëri të tillë shqiptarët do të votojnë në 25 prill se nuk ua rrëmben dot as Edi Rama as një tufë banditësh rreth e përqark tij banditësh qeveritarë dhe as kërkush. Shqipëria ka qenë këtu, është këtu, u është përgjigjur të tërëve dhe invazorëve edhe pushtuesve dhe nuk mundet kurrën e kurrës t’ia falë Shqipërinë një llafazani matuf dhe makut karagjoz që drejton Shqipërinë. 25 prilli është një ditë e cila do të vendosë një standard të ri demokratik. Atë që as kërkush në pushtet cilidoqoftë ai nuk mund të lozë kurrë me fatet e Shqipërisë dhe me fatet e shqiptarëve.

Është vendosja e tij standarde që vetëm një njeri që qeveris drejt dhe mirë mund të qëndrojë në atë karrige dhe kushdo që bën të kundërtën do të largohet në mënyrë të rrufeshme dhe të menjëhershme dhe shembulli i përjetshëm i njeriut të zi që u largua në mëny6rë referendare do të mbetet Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco