Dy 'shuplaka' nga Uashingtoni: Si dështoi qeveria e Edi Ramës

Dy 'shuplaka' nga Uashingtoni: Si dështoi qeveria e Edi Ramës

09:31, 04/03/2021
A+ Aa A-

Departamenti Amerikan i Shtetit thekson në raportin për vitin 2020 se Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim në luftën kundër pastrimit të parave. Sipas raportit, Shqipëria vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj fenomenit dhe kjo si shkak i korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore. Ndërkohë një tjetër raport, ai i Freedom House, vlerëson se për vitin 2021 Shqipëria ka bërë hapa pas për sa i përket demokracisë. Shembja e Teatrit Kombëtar dhe dhuna e përdorur në protestat për vrasjen e Klodian Rashës, arsyet kryesore që shihen si cenim i të drejtave të njeriut

“Sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni dhe një shkallë e lartë e papunësisë janë faktorët kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri. Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend”, vlerëson Raporti vjetor i Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në raport Shqipëria konsiderohet ende si “një vend burim i kanabisit dhe një bazë për grupet e krimit të organizuar që lëvizin lëndët narkotike nga vendet e burimit në tregjet europiane. Shtetasit shqiptarë janë shumë të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në të gjithë Europën”.

Kështu sipas raportit, vlerësohet se “kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe shkëmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Europë nga trafikantët shqiptarë. Organizatat e trafikut të drogës të drejtuara nga shtetas shqiptarë ose kryesisht të përbëra nga shtetas shqiptarë, janë aktive në nivel ndërkombëtar dhe fitimet e tyre të paligjshme pastrohen në Shqipëri”. Në Raport vlerësohet se “autoritetet shqiptare kanë rritur përpjekjet për çrrënjosjen e kanabisit, duke i detyruar trafikantët të spostojnë operacionet e tyre të paligjshme në vendet fqinje, kryesisht në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut.

Këto organizata po zgjerojnë gjurmët e tyre globalisht”, theksohet në dokument ndërsa vihet në dukje se “ka patur një rritje të konfiskimeve të kokainës në Europën Perëndimore të lidhura me shtetas shqiptarë që trafikojnë kokainë dhe heroinë në tregjet europiane direkt nga Turqia dhe vendet në Amerikën e Jugut dhe Azinë”. Sipas Raportit “hetimet e SHBA-ve kanë çuar në shpërbërjen e organizatave të trafikut të drogës të përbërë nga shtetas shqiptarë në të gjithë Ballkanin, Europën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Qendrore dhe Jugore. Autoritetet greke vazhdojnë të arrestojnë shumë shtetas shqiptarë të angazhuar në kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në Greqi”.

Raporti vë në dukje gjithashtu dhe ngritjen në fillim të vitit të kaluar të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe të gjykatës speciale. “SPAK shënoi disa suksese të menjëhershme, përfshirë dënimin e Arbër Çekajt për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë nga Amerika e Jugut në Europë dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë afërsisht 2 milionë Euro të Klement Balilit, i quajtur “Escobar i Ballkanit”.

Balili është i burgosur në Shqipëri për trafik ndërkombëtar droge pas dënimit të tij në 2019”. Raporti thekson se “reformat e drejtësisë penale në Shqipëri synojnë të ndjekin penalisht dhe të dënojnë kriminelët e përfshirë në trafikun e drogës. Tani prokurorët ndërthurin akuzat e lidhura me drogën me akuzat për krim të organizuar. Shqipëria – nënvizohet më tej – duhet të vazhdojë përpjekjet e Reformës në Drejtësi dhe të punojë për të gërryer ndikimin e krimit të organizuar”.

Pastrimi i parave
“Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm për të penguar pastrimin e parave dhe krimet financiare në vitin 2020”, thekson Raporti në kapitullin kushtuar luftës ndaj pastrimit të parave. “Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Vendi ka një ekonomi të madhe të parasë në cash dhe sektor informal të gjerë, me flukse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e kontributeve nga emigrantët dhe investimeve të ndryshme”.

Trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda konsiderohen si aktivitetet e paligjshme që krijojnë më shumë të ardhura. Shqipëria, sipas Raportit, regjistroi disa përparime duke vënë në zbatim ligjin Antimafia, për konfiskimin e 40 për qind të pasurive që i përkisnin mbretit famëkeq të drogës Klement Balili, i quajtur “Escobar i Ballkanit”. Raporti vë në dukje se “në Janar 2020, parlamenti miratoi një ligj kundër pasurimit të paligjshëm që i jep SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, aftësinë për të shënjestruar pasuritë e paligjshme përmes sekuestrimit dhe konfiskimit, si dhe kufizon veprimtarinë ekonomike dhe lëvizjen e lirë të kriminelëve.

Ndërsa është efektiv në sekuestrimin fillestar të pasurisë, sigurimi i provave për sekuestrimin përfundimtar të aseteve mbetet sfidues”, nënvizon Raporti duke shtuar se “ndryshimet e fundit ligjore dhe të politikave kanë përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar pastrimin e parave dhe krimet financiare, megjithëse zbatimi ka qenë i paqëndrueshëm”. Sipas dokumentit “reformat e vazhdueshme gjyqësore, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimin e njësive të shumta policore të specializuara që synojnë krimet financiare dhe ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për të trajtuar çështjen e pastrimit të parave. Sidoqoftë, këto përpjekje – thekson Raporti – pengohen nga sfidat që lidhen me kapacitetet e institucionet të drejtësisë të krijuara së fundmi dhe korrupsioni i përhapur që minon sundimin e ligjit”.

“Shqipëria – vlerësohet më tej – duhet të zbatojë në mënyrë efektive ligjet ekzistuese dhe të vazhdojë të zhvillojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve të saj për t’u përqendruar në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimeve ekonomike. Personeli i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili është krahu hetimor i SPAK, ka patur vonesa, por po vazhdon. Reformat thelbësore të Kodit Penal në 2016 dhe 2017 kishin për qëllim të ndërtonin një sistem më efektiv, por zbatimi i këtyre reformave është ende një sfidë”, thuhet në Raport.

Shembja e teatrit, Shqipëria ngel në klasë për demokracinë
Organizata Freedom House arriti në përfundimin se në vitin 2020 aktorët autoritarë u bënë më të guximshëm, ndërsa demokracitë më të mëdha përballeshin me problemet e brendshme, duke sjellë si rezultat një rënie për të 15-in vit me radhë në lirinë botërore. Freedom House nxori raportin e saj vjetor të vitit 2021 për Lirinë në Botë, sipas së cilit hendeku mes rënieve dhe përmirësimeve në nivelin e lirisë u thellua. Sipas raportit, Shqipëria ka rënë një pikë më poshtë, ndërsa Kosova dy pikë. Maqedonia e Veriut ishte një nga historitë e suksesit me tri pikë përmirësim nga një vit më parë. Sipas raportit të Freedom House, Ballkani është mes rajoneve që kanë pësuar rënie, por ka shënuar edhe disa përparime. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten pjesërisht të lira, dhe kanë pësuar një rënie prej një pike dhe dy pikësh respektivisht.

Shqipëria nga 67 pikë vitin e kaluar, ka 66 pikë këtë vit me një pikë rënie në kategorinë e të drejtave të grumbullimit dhe organizimit, lidhur me dy ngjarje. “Ne pamë rënie në lirinë e grumbullimit, për shkak të dhunës midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në maj, gjatë shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Një tjetër arsye për shqetësim ishte kur në dhjetor policia vrau një qytetar që kishte shkelur urdhrin për orën policore. Këto kontribuuan në rënien në kategorinë e lirisë së grumbullimit”, tha bashkautorja e raportit Amy Slipowitz. Kosova pësoi një rënie prej dy pikësh gjithsej nga 56 në 54, që u atribuohen rënieve në kategoritë e procesit elektoral dhe pluralizmit politik. “Kjo kishte të bënte me miratimin e qeverisë së kryeministrit Hoti nga një shumicë me një votë diferencë të një deputeti që kishte qenë i dënuar”, thotë Amy Slipowitz, bashkautore e raportit dhe menaxhere për kërkimet në Freedom House.

Parregullsia e këtij procesi solli rënie. “Ishte gjithashtu edhe rënia në kategorinë për opozitën për shkak se garda e vjetër politike orkestroi rënien e qeverisë së Albin Kurtit të partisë Vetëvendosje”, tha zonja Slipowitz. Me gjithë rënien e rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje, madje me 3 pikë më shumë se vitin e kaluar Maqedonia e Veriut është një nga vendet e përmendura për rritje të konsiderueshme në raport. “Qeveria reformiste e Maqedonisë së Veriut u rizgjodh dhe institucionet e saj kryesisht e kanë rimarrë veten nga dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri, Nikola Gruevski”, thuhet në raport. 2020-a ishte një vit ku pandemia e koronavirusit mbizotëroi në botë jo vetëm si krizë shëndetësore dhe Shtetet e Bashkuara pësuan një rënie të konsiderueshme në nivelin e demokracisë. Fredoom House thotë se pasojat ndihen në gjithë botën.

Basha: Pastrimi i parave, në çdo qelizë të shtetit
Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas raportit të DASH për pastrimin e parave duke e cilësuar atë një konfirmim të akuzave të opozitës për aferat korruptive të qeverisjes së “rilindjes”. Basha deklaron se shkak për situatën dramatike të pastrimit të parave është vetëm një, qeveria e dështuar dhe e korruptuar e Edi Ramës. Nga ana tjetër, si kandidat për kryeministër ai u zotua se do të garantonte një drejtësi të pavarur.

“E keni dëgjuar nga kjo sallë, nga kjo gojë dhe nga shumë prej përfaqësuesve të opozitës, prej 8 vitesh këtë konstatim. Sot e keni të zezë mbi të bardhë në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi pastrimin e parave dhe korrupsionin në botë. Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020. Shkak për situatën dramatike të pastrimit të parave, të korrupsionit dhe të rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve doktaligjore qeveritare është një dhe vetëm një; qeveria e dështuar dhe e korruptuar e Edi Ramës”, -tha Basha./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco