Një vit pandemi/ Propaganda mashtron, por tani edhe po vret!

Një vit pandemi/ Propaganda mashtron, por tani edhe po vret!

11:08, 02/03/2021
A+ Aa A-

Shkurti, muaji që sapo u mbyll mund të quhet pa frikë si më katastrofali në Shqipëri, që nga koha kur vendi u fut në pandeminë e COVID-19.

Në total, vetëm duke ju referuar shifrave zyrtare të publikuara çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë, në këtë muaj kanë ndërruar jetë 416 qytetarë, ndërkohë që janë infektuar dhjetëra mijëra të tjerë. 

Çfarë po ndodh me ne, ndërkohë që në vendet tona fqinje shifrat kanë zbritur gati dyfish, kurse shumica e vendeve të Europës pavarësisht nga shpërthimet e mutacioneve të reja, po përparojnë me sukses në menaxhimin e kësaj situate të paprecedentë?! 

Sipas “Worldmeter” numri i të prekurve në Shqipëri është 33 mijë persona për 1 milion banorë, ndërsa vdekjet kapën shifrën e 550 personave për 1 milion banorë, duke na renditur kështu mes vendeve të para më të prekur në listën botërore.

Kjo humnerë e frikshme  ku vendi po bie me shpejtësi, sipas të gjithë specialistëve me integritet profesional të fushës, është krijuar si pasojë e një keq-menaxhimi të paprecedentë dhe mungesës së një plani nga ana e qeverisë.

Në fakt gjithçka u duk dhe u paralajmërua që në nisje të saj, ndaj le të kthehemi prapa në kohë.

Gjatë muajve shkurt-mars të vitit të shkuar, kohë kur edhe pandemia u zyrtarizua në vendin tonë, qeveria Rama pavarësisht shifrave që sot duken qesharake, të vetmin plan që shpalosi për luftën kundër infeksionit ishte ai i frikësimit dhe dhunës së gjobave.

Pastaj nxori një varg ligjesh antikushtetuese, të cilat i vuri më shumë në funksion të burgosjes së qytetarëve, se sa si ndihmë për një strategjie kombëtare dhe të detajuar.

Ajo që pamë ishte një propagandë e shfrenuar e udhëhequr nga vetë Rama, që ju mbinte qytetarëve çdo minutë në telefon e në televizion, pamë tanke e ushtarë të armatosur që frikësonin qytetarët.

Ndërkohë që pandemia u pa si një shans i madh për të bërë para me tendera korruptivë, qeveria, pas mbylljes së madhe 3 mujore i lëshonte ndihmat financiare për bizneset me pikatore. Premtoi 3 paketa, por shpërndau vetëm dy, ndërkohë që pjesa e koncesioneve në buxhet jo vetëm nuk u prek, por u shtua edhe më shumë.

Mbetemi vendi që shpërndau më pak ndihma financiare në rajon dhe Europë, kurse sot kemi arritur në fazën që faturën e shtrenjtë të kurimit të infeksionit në mbi 90% të rasteve e paguajnë vetë familjet shqiptare.

Edhe pse deklaroi se kishte ngritur një Komitet Teknik Ekspertësh, për plot 38 ditë ai funksiononte si fantazmë dhe fytyrat e anëtarëve të tij, qytetarët i panë vetëm pasi presioni publik dhe mediatik u bë teje i madh. 

Kryeministri Edi Rama ndërkohë po përjetonte një ekstazë deliri, të cilën nuk tentonte as që ta fshihte.

Duke përmbytur rrjetet sociale dhe ekranet me dalje të dendura si asnjë krye-shtetar tjetër në botë, ai u shndërruar jo vetëm në ministër Shëndetësie, ministër i Brendshëm, ministër i Transporteve, doktor, prokuror, gjykatës e parashikues fatkeqësish, por edhe ekspert i fushës së epidemologjisë.

Por shpejt nisi një valë denoncuese: Përse Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera në rajon dhe botë, e përkundër rekomandimeve të tej-përsëritura të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk po bën testime në masë?!

Nuk ka kapacitete? Po fsheh realitetin e përhapjes së infeksionit? Një strategji e qeverisë për të mbuluar degradimin e sistemit shëndetësor ku janë hedhur nëpërmjet koncesioneve qindra-milion euro?!

Pas presionit të disa mjekëve dhe ekspertëve pa konflikt interesi me qeverinë, opozitës dhe një pjese të medias, kryeministri më në fund dha variantin e tij.

Në fakt lau duart nga autorësia dhe përgjegjësia e kësaj strategjie, që çdo ditë e më shumë po binte erë.

‘A mundet dikush t’ia thotë PD se qeveria nuk vendos sa teste bëhen a nuk bëhen?! Aq më pak qeveria mund të marrë mendjen e PD-së për këtë punë! Strategjinë e testeve e bën Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe PIKË!’, shkroi ai në Twitter në 7 Prill.

Sot rezulton që deklarata e Ramës, se çdo gjë vendoset nga Komiteti Teknik ishin një mashtrim i madh. Anëtarët e këtij institucioni tashmë e kanë sqaruar publikisht se ata janë vetëm këshillues dhe jo vendimmarrës. Vendimet i merr vetëm qeveria!

Fillimisht nuk kishte fakte apo të dhëna të konfirmuara plotësisht, se qeveria Rama ka ndjekur një politikë të fshehjes qëllimshme të rasteve me infeksion apo edhe më keq, të vdekjeve.

Edhe pasi u mbyll viti 2020, INSTAT, ndryshe nga institucionet homologe në botë refuzonte të nxirrte numrin e vdekjeve totale të atij viti.

Revista Monitor duke mbledhur të dhënat e gjendjes civile, nxori shifrën e frikshme sipas të cilës në vitin pandemik, 2020, kishin vdekur 6600 më shumë persona, se në vitin paraardhës 2019.

Pas kësaj edhe INSTAT u detyrua ta konfirmonte këtë fakt duke publikuar një shifër të përafërt.

Më herët kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kishte denoncuar me fakte dhe dokumente, se qeveria Rama po fshihte të vdekurit nga infeksioni.

Sot askush nga institucionet që e mohuan atëherë atë investigim nuk shpjegon dot këtë rritje drastike të vdekjeve gjatë vitit 2020, ndërkohë që vdekjet nga COVID janë raportuar sa 1/5 e shifrës së frikshme!

Dhe ka ku jemi pas 1 viti pa plan e në situatë katastrofale, por me një makineri propagande që nuk pushon së punuari.

Shifra të frikshme vdekjesh dhe infektimesh. Spitalet e shëndetësisë falas në kolaps dhe të përfshira nga skandale korrupsioni, duke vjedhur jo vetëm pacientë që luftojnë me vdekjen, por edhe kufomat.

Qindra-milionë eurot e dhëna në koncesionet e shëndetësisë nuk janë përdorur gjatë këtyre viteve, jo vetëm për një situatë si kjo, por as për përballimin e shërbimeve bazë.

Jemi vendi që teston më pak në rajon. Me fonde financiare qesharake të vëna në dispozicion të shëndetësisë, duke qenë edhe në këtë pikë të fundit në rajon.

I vetmi “investim” që ka bërë qeveria Rama në këto 8 vite në Shëndetësi janë qindra-milionët për 2-3 koncesionarë të dyshimtë dhe largimi nga vendi i të paktën 900 bluzave të bardha.

Edhe çështjen jetësore të vaksinimit, e ka kthyer në mashtrim dhe propagandë boshe elektorale.

Mijëra familje i kanë dalë vetë zot përballimit të situatës nëpër banesat e tyre apo sistemin privat shëndetësor, por nga ana tjetër në rastin më të mirë kanë shkatërruar financat familjare, ose janë zhytur në borxhe.

Jemi i vetmi vend që nuk kompenson, ilaçet, shërbimin dhe pagesat për kurimin e të infektuarve.

As skema e sigurimeve shëndetësore nuk funksionon, ndërkohë që vetë “Shëndetësia falas” që premtoi Rama, ka fytyrën e sanitares Tire.

Që në fillimet e pandemisë opozita i ofroi Edi Ramës, një plan të detajuar që duhej zbatuar. Po ajo që bëri ai ishte tallja, ndërkohë që sot shkalla e vdekshmërisë në Shqipëri është rritur me 73% krahasuar me vitin e shkuar.

Nuk u tall me Lulzim Bashë dhe të gjithë ekspertët që i bënin thirrje për një qasje tjetër ndaj pandemisë, por me jetën e mijëra shqiptarëve që sot nuk janë më të gjallë, e të tjerë që po vdesin çdo ditë!

Gjatë 8 viteve Rilindja e ka rritur ekonominë me propagandë; ka ndërtuar aeroporte, spitale e shkolla me propagandë; ka hapur negociatat me BE-në, me propagandë...

A do të mundet dot që edhe vdekjet, shkatërrimin ekonomik të shqiptarëve nga virusi, ta quajë sukses, me propagandë?!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco