Koalicioni i 1 marsit – 13 angazhime për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza

Koalicioni i 1 marsit – 13 angazhime për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza

09:10, 02/03/2021
A+ Aa A-

Opozita shpalli koalicionin e madh 54 ditë nga zgjedhjet parlamentare të prillit duke garuar së bashku përballë Partisë Socialiste. PD dhe LSI me dy koalicionet që udhëheqin nënshkruan marrëveshje për bashkëqeverisje pas 25 prillit. Dalja me dy koalicione motivon më shumë njerëz, garanton më shumë mbrojtjen e votës në terren, dhe paraqet garanci për punonjësit e ndershëm në administratë që nuk do të preken nga rotacioni. Marrëveshja u sulmua nga eksponentë të rilindjes

Në ditën e parë të pranverës është nënshkruar marrëveshja e Opozitës së Bashkuar për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 25 prillit. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat udhëheqin dy koalicione opozitare në këto zgjedhje kanë firmosur marrëveshjen e një koalicioni të përbashkët për të qeverisur vendin. Synimi i madh i këtij koalicioni është nxjerrja e vendit nga kriza ekonomike dhe për ta realizuar këtë marrëveshja parashikon 13 angazhime konkrete të opozitës.

PD dhe LSI duke shpallur koalicionin e tyre folën për angazhimin e tyre për të zgjidhur problemet kushtetuese, institucionale, politike, ekonomike, sociale, si dhe ato të shëndetit publik. Marrëveshja u firmos nga dy liderët e këtyre partive, krydemokrati Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Sipas tyre, pikat vijnë si kundërpërgjigje të situatës kaotike që ka prodhuar kryeministri Edi Rama; krizës së përgjithshme, krimit dhe korrupsionit.

Basha dhe Kryemadhi e shohin bashkëqeverisjen pas 25 prillit si një premtim të madh për të nxjerrë vendin nga kriza e rëndë ekonomike duke angazhuar më tej për; Të përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave me BE-në; Rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit; Ndërtimin e një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv; Prioritarizimin e krijimit të punësimit të mirëpaguar; Realizimin e një programi qeverisës me prioritet rininë, me arsim cilësor dhe mundësi të gjera punësimi; Mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje; Luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar; Zgjidhje në mënyrë prioritare problemit të rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe shkatërruara nga tërmeti më 26 nëntor; Dhënies fund problemit kritik të pandemisë Covid-19; Zhvillim real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit; Mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe garantim të rikthimit të pronave për komunitetet fetare.

Marrëveshja PD-LSI vjen pas paktit të krijimit të koalicionit në prill të vitit 2019. PD dhe LSI do të garojnë në lista të veçanta në zgjedhje. Dhe marrëveshja e nënshkruar 54 ditë larg zgjedhjeve parlamentare, bazohet në dakordësinë që pushteti nesër dhe përgjegjësia në qeverisje, do të ndahen sipas rezultatit që partitë do të marrin më 25 prill.

Basha: Udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë
Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi pas firmosjes së marrëveshjes me LSI-në, se udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. “PD dhe LSI ka bashkuar të gjitha forcat për të garantuar që 25 prilli të jetë drita e ndryshimit”, – tha Basha. Kreu i opozitës premtoi se shqiptarët i pret një e ardhme më e mirë, ndryshe nga tetë vitet e mëparshme, ku, sipas tij, kanë mbizotëruar premtimet boshe të kryeministrit Edi Rama.

“Të dashur bashkëkombës, kudo ku ndodheni çdo udhëtim i madh nis me një hap. Çdo shpresë nis me një ëndërr që bëhet realitet. Udhëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. Koalicioni ynë, PD dhe LSI ka bashkuar të gjitha forcat për të garantuar që 25 prilli të jetë drita e ndryshimit. Pas 8 vitesh ndryshim, 8 vite premtime bosh, ndërsa vende të ngjashme me ne kanë përparuar, ka ardhur koha që të ndryshojmë. Ne do të sjellim ndryshimin. E shoh shpresën dhe optimizmin tuaj, e ndiej entuziazmin se bashkë me pranverën po vjen dhe dita e shumëpritur.

Në emrin tim dhe të PD-së, koalicionit tonë, angazhohem se nuk do t’ju zhgënjej, se do të punojmë se bashku duke bashkuar forcat për të sjellë një të ardhme të mirë për çdo shqiptar”- nisi ai fjalimin përshëndetës për këtë marrëveshje. Ai tha më tej se “ne e dimë të vërtetën, njerëzit tanë janë të fortë, shqiptarët janë të fortë, por Shqipëria meriton një të ardhme më të mirë. Ndaj, gjatë javëve të fundit kam prezantuar planet tona të punës në të gjitha drejtimet.

Për ekonominë, arsimin, turizmin, shëndetësinë, dhe luftën dhe krimin e organizuar, kthimin e të rinjve në vend dhe integrimin europian të Shqipërisë. Me këtë ndryshim fillon ndryshimi, fiton Shqipëria. Këto janë plane pune që do të ndryshojnë jetën e gjithsecilit prej jush. Ka ardhur çasti që të bashkohemi. Tani ka ardhur çasti që të fitojmë se bashku për Shqipërinë, për çdo shqiptar. Të shkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, fshat më fshat, qytet më qytet dhe të garantojmë fitoren e 25 prillit, fitoren e zgjedhjeve me anë të të cilëve do të fitojnë Shqipëria dhe e ardhmja e fëmijëve tuaj”.

Kryemadhi: I domosdoshëm bashkimi përballë sektit kriminal
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, pasi ka nënshkruar marrëveshjen me Kryetarin e PD Lulzim Basha, ka sqaruar arsyet e bashkëpunimit të LSI që “në thelb ka socialdemokracinë” me një parti të djathtë. “Sot është një ditë historike për LSI dhe PD, por më e rëndësishme do të ishte për të gjithë shqiptarët”, – tha Kryemadhi, duke shtuar se “bashkimi dhe konsolidimi i një koalicioni përfundimtar përballë një sekti kriminal më 25 prill do të jetë i domosdoshëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sidomos për të rinjtë dhe të rejat e vendit”.

“LSI dhe PD janë bërë bashkë si një aleancë kundër dështimeve të qeverisë së Ramës dhe sot në një ditë që ne dakordësohemi formalisht për të bashkuar forcat dhe për të punuar me njëri-tjetrin në shërbim të popullit shqiptar. Partneriteti ynë dërgon një sinjal të fortë dhe të qartë për të gjithë shqiptarët se ndryshimi po vjen, se ndryshimi është i paevitueshëm dhe se ditë më të mira kanë përpara për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

E di se do të ketë shumë prej atyre që do të thonë se LSI është një parti që rritet nga elektorali i së majtës. Por një parti si ne, LSI, ku në thelb të saj ka socialdemokracinë dhe së bashku me PD që është parti e djathtë dua të adresoj këtë gjë: Ne si LSI dhe PD do të vijojmë të jemi dy entitete me identitetin e tyre, do të vijojmë që në kohëra mund të kemi edhe kundërshtime për politika të caktuara, por zotohemi se do të gjejmë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit dhe të punojmë fort me njëri-tjetrin duke vendosur përpara interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!”-tha Kryemadhi.

Spiropali sulmon koalicionin opozitar
Reagimi i parë nga mazhoranca ka ardhur vetëm pak çaste pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit PD- LSI. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se bëhet fjalë në të vërtetë për një listë “Kap çfarë të Kapësh”, dhe jo koalicion. Ajo gjithashtu nuk ka kursyer ironinë, duke thënë se “kjo listë e mercenarizmit të kulluar nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit”.

“Nënshkruan një marrëveshje imagjinare dhe thanë Shqipëria do ngrihet”, – vijoi Spiropali duke përqeshur fjalët e liderëve Lulzim Basha e Monika Kryemadhi. “Nuk është koalicion por thjesht një listë. Këta emra, Mona, Nardi, Shpëtimi, Luli, Agroni dhe ku di unë që pretendojnë se do ndryshojnë me rrënjë politikën, janë po të njëjtët që Shqipërisë ia kanë bërë zinë 30 vite. Prandaj kaluam në Kuvend ato ndryshime, që vargoni i partive mos të ishte i pafundmë dhe të mos ngrihej një listë “kap ça të kapësh””- u shpreh Spiropali duke treguar shqetësimin për këtë marrëveshje koalicioni, ku PD-ja ka firmosur me një ish-aleat të PS-së, LSI-në, me të cilën PS qeverisi në 4-vjeçarin e parë të mandatit të saj.

Sulmet e Ramës për koalicionin, Bardhi: Ramën e ka kapur paniku
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka reaguar përmes një statusi në Twitter në lidhje me sulmet e Ramës për marrëveshjen PD-LSI. Bardhi thotë se Ramën e ka kapur paniku dhe po e kupton që ka nisur fundi i tij. Ai thotë se ne u bashkuam që të sigurojmë ndryshimin në Shqipëri. Më tej, Bardhi thekson se do të ndryshojnë të gjitha gjërat për të cilat Rama ka dështuar në këto 8 vite qeverisje. “Ekonomi, shëndetësi, arsim, emigrim e infrastrukturë. Kohës tënde i ka ardhur fundi, Rama. Ka ardhur çasti të ndryshojmë”, shkruan Bardhi në Twitter.

Pikat e marrëveshjes PD-LSI
1. Nxjerrja e vendit nga kriza e rëndë ekonomike.
2. Përmbushja e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave me BE-në.
3. Rivendosja e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.
4. Ndërtimi i një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv.
5. Prioritarizimi i krijimit të punësimit të mirëpaguar.
6. Realizimi i një programi qeverisës me prioritet rininë, me arsim cilësor dhe mundësi të gjëra punësimi.
7. Mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje.
8. Luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar.
9. Zgjidhje në mënyrë prioritare problemit të rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe shkatërruara nga tërmeti më 26 nëntor.
10. Dhënies fund problemit kritik të pandemisë Covid-19.
11. Zhvillim real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit.
12. Mbrojtje të trashëgimisë kulturore.
13. Garantim të rikthimit të pronave për komunitetet fetare.

Pikat e forta të dy koalicioneve:

Dy koalicionet janë gjithëpërfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Me këtë formulë, garantohet më mirë dhe demokracia dhe mirëqeverisja. Po ashtu, evitohet revanshi ndaj të majtëve të ndershëm në administratë, me rrotacionin, çka potencialisht mund të ndodhë referuar historisë politike të këtyre 3 dekadave. LSI paraqet një garanci në këtë drejtim. Ky bashkim, sjell motivim, grumbullim e mbrojtje të votës në terren, pasi ka avantazhin e pasjes së 280 kandidatëve kundër 140 të rilindjes. Dy koalicionet kanë shansin të rrisin motivimin për pjesëmarrje./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Vlora02/03/2021 14:41

Hallall ju befte bashkimi...

Shto koment

Denonco