Pandemia – Situata në kolaps, në spitale nuk ka vende, rriten vdekjet

Pandemia – Situata në kolaps, në spitale nuk ka vende, rriten vdekjet

09:20, 01/03/2021
A+ Aa A-

Shtretërit te COVID-1 janë ezauruar në 100% të kapacitetit, ndërsa te COVID-3 janë zënë 140 shtretër ose 95% e kapacitetit. E njëjta situatë paraqitet dhe te “Shefqet Ndroqi”, apo në spitalin COVID-4. Me shpejtësi po ezaurohen vendet dhe në spitalet e rretheve që janë urdhëruar të transportojnë drejt Tiranës vetëm rastet e rënda. Ditën e djeshme u regjistruan 21 humbje të tjera jete. Sipas universitetit John Hopkins që përpunon të dhënat botërore të pandemisë, Shqipëria renditet ndër të parat në rang botëror për numrin e të prekurve dhe vdekjeve gjatë muajit shkurt, duke treguar një dështim të menaxhimit të pandemisë. Sot mblidhet komiteti i ekspertëve për rishikimin e masave.

Gjendja në spitalet e vendit paraqitet mjaft e rënduar për shkak të rritjes së numrit të rasteve të COVID, ndërkohë që ditët e fundit shihet dhe një shtim i rasteve të vdekjeve. Dje në spitalet COVID u regjistruan 21 humbje jete, një nga shifrat më të larta të regjistruara që nga fillimi i pandemisë. Ministria e Shëndetësisë raporton për 922 raste të reja ndërsa në spitale janë shtruar rreth 662 persona. Gazetari i News 24, Erjon Skëndaj në një raportim të tij nga COVID-1, tha se në këtë spital janë ezauruar të 120 vendet në dispozicion, ndërsa te COVID-3 janë ezauruar 140 shtretër, ose 95% e kapaciteteve.

Urgjencat e rretheve transportohen për te “Shefqet Ndroqi”, por informacionet që vijnë nga ky spital na thonë që dhe atje shtretërit janë në limitet e kapaciteteve të tyre. Shumë prej të sëmurëve në gjendje të rëndë e gdhijnë natën në ambulanca, ndërsa spitalet e rretheve transportojnë për në Tiranë vetëm të sëmurët në gjendje shumë të rëndë. Kapacitetet janë ezauruar dhe në spitalin e katërt COVID që ndodhet në autostradën Tiranë–Durrës, ndërsa e njëjta situatë shtretërish sipas njoftimeve të MAPO ekziston dhe në spitalet private pavarësisht çmimeve të larta të shërbimit atje që shkojnë nga 1500-2500 euro nata. Ditën e sotme pritet një vendim tjetër i komitetit të ekspertëve për rishikimin e masave, ndërsa burimet nga spitalet shprehen se sugjerimet e mjekëve të vijës së parë COVID kanë qenë për një mbyllje totale, një kërkesë që po i bëhet prej tyre qeverisë që nga fillimi i shkurtit.

Shqipëria, vendi më i prekur në rang botëror për muajin shkurt
Shqipëria është një nga vendet më të prekura në kontinentin europian nga pandemia e COVID-19, bazuar kjo në numrin e popullsisë por dhe në numrin e testiteve të bëra. Të dhënat vijnë nga Universiteti John Hopkins i USA, i cili përllogarit numrin e prekjeve javë pas jave për të gjitha vendet e botës. Prej një jave, sipas John Hopkins kemi një rritje eksponenciale të pandemisë, në shifra të cilat nuk i kanë as Anglia, SHBA, apo Italia që njihen për numrin e madh të prekjeve, dhe të testimit në masë. Deri në datë 22 shkurt, që janë dhe të dhënat e fundit të përpunuara nga institucioni në fjalë, Shqipëria ka një prekje prej 369 personash për 1 milion banorë, që është më e lartë se shifrat që raportojnë SHBA-të, Anglia, Italia apo Gjermania.

Ndërkohë që Serbia i është afruar Shqipërisë me raste në datat 21 dhe 22 shkurt me një shifër prej 365 personash që rezultojnë pozitiv për 1 milion banorë. E shprehur në përqindje, krahasuar me javët paraardhëse, Shqipëria mund të jetë nga vendet e pakta në botë që ka shënuar vetëm rritje me një mesatare ditore prej më shumë se 30% në mes të datave 10 dhe 24 shkurt, të rasteve pozitive në raport me numrin e testeve të zhvilluara. Kjo shifër në të njëjtën periudhë kohe në Serbi është 17%, në Maqedoninë e Veriut 113.5% dhe në shtetet më të prekura SHBA 7.6, Angli 2.2, Itali 4.5 e kështu me radhë.

Testimet
Kjo situatë raportohet në një moment kur testimet në Shqipëri rezultojnë më të ulëta se në vendet e tjera. John Hopkins ka përllogaritur dhe numrin e testimeve në raport me vendet që përmendëm më lart. Rezulton se Maqedonia e Veriut zhvillon gati 40% më shumë se teste se Shqipëria e megjithatë nuk ka këto shifra. Në momentet që flasim sipas John Hopkins University, në Shqipëri zhvillohen rreth 138-139 teste për 1 mijë banorë. Në Maqedoni zhvillohen rreth 236 teste për të njëjtin numër banorësh, në Serbi 406 dhe rekordin e mban Anglia që regjistron më shumë se 1000 teste për një mijë banorë. Specialistët shprehen se bazuar në numrin e testimeve shifrat në terren mund të jenë shumë herë më të larta se sa raportohen.

Për sa i përket vdekjeve në shifra zyrtare të raportuara sipas John Hopkins Shqipëria rezulton me 594 vdekje për një milion banorë, ose 59.4 për 100000 mijë banorë. Konstantja botërore e raportuar është diku te 384 vdekje për 1 milion banorë. Kjo shifër, është më e ulët se Maqedonia e Veriut, Kosova apo Serbia, dhe natyrisht më e ulët se vendet e tjera europiane. Por nuk rezulton kështu për sa i përket rritjes së vdekjeve që nga 31 janari. Pas kësaj date Shqipëria zë vendin e parë ndoshta në Botë për rritjen e numrit të popullsisë. Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera, shkojnë në reduktim të vdekjeve, në raport me ato të raportuara para 31 janarit 2021, Shqipëria shkon në datat 9 dhe 10 shkurt në shifrat e 97 % rritje.

Më datë 24 shkurt 2021, Shqipëria renditet sërish e para me 29% të rritjes së numrit të vdekjeve në raport me të njëjtën datë, dhe ndjekësi më i afërt është Maqedonia e Veriut me + 0.7% për qind, ndërsa të gjitha vendet e tjera vazhdojnë të jenë me minus pikë përqindje për sa u përket humbjeve të jetës. Duhet theksuar se në dhjetë muaj pandemi, nga marsi deri në fillim të dhjetorit Shqipëria ka regjistruar 39014 raste, ndërsa nga 1 dhjetori dhe deri më 25 shkurt ka regjistruar më shumë se 65 mijë raste sipas të dhënave zyrtare. Pra, një rritje me gati 190%. Por nuk është e gjitha, pasi këto janë shifrat zyrtare që raportohen nga qeveria si të vdekur nga Covid-19. Instituti i statistikave jep shifra të tjera, për sa i përket këtij fenomeni. Në raportin më të fundit, jepet një rritje e shifrave të vdekjeve gati 3 apo 4-fish me atë që raporton qeveria. Sipas të dhënave nga INSTAT, deri në fund të dhjetorit ka pasur një rritje me 5700 vdekje për vitin 2020, në raport me vitin 2019 ose dhe me vitet e tjera paraardhëse. INSTAT nuk e jepte arsyen e vdekjes por jepte vetëm shifrat e rritura.

Vetë kreu i opozitës Lulzim Basha në datë 17 nëntor nxori dokumenta nga morgu, që vërtetonin se vdekjet nga COVID ishin sa dyfishi i raportuar deri më atë datë. Shumë persona që vdesin në shtëpi, por dhe në spitale raportohen si vdekje të arrestit kardiak, për arsye se vdekjeve COVID nuk u lejohet që të kryejnë ritualet mortore. Nga ana tjetër, nuk raportohen në shifrat zyrtare as vdekjet në spitalet e Turqisë apo gjetkë. Pra, raportohen vetëm vdekjet në spitalet Covid-19. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe që Elbasani dhe Fieri kanë pasur dyfishim të vdekjeve në tremujorin e fundit të 2020, ndërsa Tirana ka një rritje me më shumë se 81 %. Por çfarë do të thotë kjo? Në rast se i shtojmë këtu dhe shifrat zyrtare të raportuara nga janari e në vazhdim që janë dikur te 860 vdekje të tjera, atëherë shifra shkon në më shumë se 6500 persona të vdekur nga COVID-19.

Në një llogaritje të thjeshtë, i bie që Shqipëria të jetë ndër vendet e para, në mos i pari për numër banorësh që ka shifrën më të lartë të vdekjeve. Kjo përllogaritet në rreth 2300 banorë për një milion, ose 230 vdekje në 100 mijë, ndërkohë që mesatarja botërore është 320 vdekje në 1 milion banorë, ose 32 vdekje në 100 mijë banorë . Me këto shifra Shqipëria ia kalon dhe Britanisë së madhe e cila e ka një shifër prej 1800 humbje jetësh në 1 milion banorë, ose 180 në 100 mijë. Anglia konsiderohet si vendi me vdekjet më të larta për numër banorësh në botë duke lënë mbrapa dhe SHBA-në apo Italinë që regjistrojnë përkatësisht 1518 dhe 1598 vdekje për 1 milion banorë./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco