Basha: Do të bëjmë liberalizimin e vërtetë të tregut të energjisë

Basha: Do të bëjmë liberalizimin e vërtetë të tregut të energjisë

10:15, 27/02/2021
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë një takimi me përfaqësues të Shoqatës së Energjisë së Rinovueshme, shpjegoi planin e tij për energjinë, ku fokusi kryesor ishte tek angazhimi i qeverisë së tij pas 25 prillit për të vënë në lëvizje prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Gjatë një takimi të zhvilluar në selinë e PD, Basha shpalosi detaje të programit si dhe mori prej përfaqësuesve të shoqatës edhe adresime shumë  të rëndësishme për këtë sektor me të ardhme sa i përket energjisë.

"Brenda një periudhë afro 2 vjeçare, jemi takuar disa herë së bashku, - tha Basha, - por edhe me ekspertët tanë më të mirë me qëllim hartimin e një plani realist ambicioz dhe produktiv për Shqipërinë në dy drejtime:

Në drejtimin e maksimizimit të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe në drejtimin tjetër që ka të bëjë drejtpërdrejtë me rolin që energjia ka në strukturën e ekonomisë shqiptare, në konkurueshmërinë e bizneseve shqiptare dhe në aftësinë e bizneseve shqiptare për të hapur vende pune dhe vende pune me paga dinjitoze, pra me fjalë të tjera për t’iu larguar ciklit negativ që ka karakterizuar këto 8 vite dhe për të nisur një cikël pozitiv ku potenciali është i jashtëzakonshëm e në veçanti potenciali i energjisë së rinovueshme, ndonëse ka filluar të përdoret në dy dekadat e fundit, prapë se prapë mbetet në masë të madhe i pashfrytëzuar.

Për këtë ju nuk keni absolutisht asnjë përgjegjësi. Madje mund ta them me gojën plotë se të pakët janë sipërmarrësit që do të duronin, mbijetonin, prodhonin dhe vazhdonin në kushtet e një ambienti kaq jo miqësor, madje mund ta them me gojën plotë, kaq armiqësor ndaj sipërmarrjes në tërësi dhe ndaj disa sektorëve të veçantë të sipërmarrjes, siç është dhe sektori juaj.

Në veçanti ju jeni goditur nga një nga problemet kryesore që Banka Botërore, FMN-ja, Bashkimi Europian, Departamenti i Shtetit dhe raportet e ndryshme, duke përfshirë ato anti-korrupsioni, si Tansparenc Internacional, kanë nënvizuar; që është mungesa e parashikueshmërisë, ndryshimi i rregullave të lojës në mes të lojës, dhe vendosja e masave arbitrare, të pajustifikuara pa ju dhënë mundësinë që ju të keni një rekurs të vërtet ligjor, i cili të vërë drejtësi aty ku shteti është palë me ju, por nuk zbaton detyrimet e veta.

Si rezultat i mungesës totale të luajalitetit nga ana e qeverisë në këto 8 vite, ne kemi humbur mundësi të jashtëzakonshme. Mundësi për të zhvilluar sektorin, mundësi për të investuar, mundësi për të përqafuar avancimin e shpejtë të teknologjisë.

Dhe si rezultat i kësaj kush ka humbur?

Keni humbur ju, sektori juaj, investitorët, ka humbur sipërmarrja shqiptare që paguan koston më të lartë të energjisë në rajon, dhe humbësi fundor por më i madh është qytetari shqiptar, është familja shqiptare. Ka humbur dhe shteti miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona, që do t’i përfitonte drejtpërdrejtë dhe indirekt nëse nuk do të ekzistonte kjo situatë.

Kush ka përfituar?

Një grusht të korruptuarish!

E shikojmë se ku jemi në raport me vendet e tjera të rajonit. E shikojmë se ku jemi në raport me ata të cilët kur ju ishit në start, ishin prapa jush. Për ta thjeshtuar diskutimin. Deri më sot kemi një situatë ku keni mbijetuar, punuar, krijuar, prodhuar, punësuar dhe paguar edhe nga xhepat tuaj të punësuarit me një qeveri armiqësore në tërësi ndaj biznesit.

Ju garantoj se në themel të platformës tonë për energjinë qëndron një qasje kryekëput ndryshe. Ku ju do t’u shohim si aleat për të bërë të mundur që së bashku ta zhvillojmë këtë sektor i cili do ta bëjë Shqipërinë më të pastër, energjinë më të pakushtueshme, biznesin më konkurrues dhe si rezultat do të jetë një nga levat e fuqishme të objektivit tonë për 110 mijë vende pune në katër vitet e mandatit tonë të parë.

Prandaj përdora fjalën aleat, sepse na bashkon misioni. Jo ortak, nuk do na bashkojnë aksionet, qofshin këto aksione të fshehura në emra të tjerë apo ryshfet me lekë të thata në xhep apo në konto bankare. Po do na bashkojë misioni, misioni.

Na ndajnë shumë gjëra dhe duhet të na ndajnë dhe do të na mbajnë të ndara, se përndryshe, në qoftë se nuk na mbajnë të ndara, në qoftë se turbullohet një linjë që do ta ndajë qartë dhe do ta pres me thikë vendimmarrësin publik nga sektori privat, gjërat do të shkojnë kështu siç kanë shkuar.

Por na bashkon misioni dhe këtë mision, nesër qeverinë e pas 25 prillit, qeverinë time dhe mua personalisht do më keni aleat me një kërkesë të vetme ndaj jush, të jeni aleatët e mi, qeverisë, qeverisjes së ardhshme dhe shqiptarëve në atë mision, të rritjes së punësimit, të rritjes së konkurueshmërisë, të diversifikimit të eksportit shqiptar, eksportit të energjisë po kështu.

Pra, të misionit të rimëkëmbjes ekonomike dhe nxjerrjes së Shqipërisë nga kjo krizë e thellë ku është futur.

Padiskutim keni dëgjuar paketën e plotë për biznesin që u prek dhe ju, që nga ulja normës së tatim fitimit nga 15% në 9%, sigurimeve shoqërore në 18%, të çmimit të karburantit duke eliminuar taksën Rama prej 240 lekë të vjetra apo 24 lekë të reja për litër, sikundër edhe reforma rregullatorë, e cila ka për qëllim të thjeshtojë në maksimum ndërveprimin ndërmjet qeverisë, burokracisë dhe sektorit të sipërmarrjes ku do ti japim fund paradoksit që 1000 zyrtarë të shtetit sot mbajnë vula në xhepa dhe ju kërkojnë leje, autorizime, licenca për çdo gjë, që nga momenti që dilnin nga shtëpia deri në momentin kur futeni në shtëpi.

Ju kërkojnë autorizim për gjithçka. Ndoshta me përjashtim të frymëmarrjes, për gjithçka tjetër ju kërkojnë leje, autorizime, licenca dhe janë kthyer në shushunja shkatërrues të sistemit të tregut të lirë dhe të konkurrencës së lirë.

Angazhimet tona shkurtimisht, sektori i energjisë elektrike për ne është sektor kyç dhe prioritet.

Si i tillë do të mbështetet me politika të qarta dhe me masa të qarta.

Ne do ta reformojmë këtë sektor duke bërë liberalizimin e vërtetë të tregut, jo atë në letër që na tundte virtualit edhe para dy ditësh kjo qeveri që dështoi me bursën e energjisë, duke filluar me miradministrimin e kompanive publike, të cilat janë të fundosura nga korrupsioni, paaftësia dhe nepotizmi;

duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe miqësor, në radhë të parë për ju por edhe për investitorët e tjerë privatë të brendshëm dhe të huaj apo join venture; duke respektuar kontratat e nënshkruara me përfitime reciproke, si për biznesin ashtu dhe për publikun dhe qytetarët shqiptarë;

duke nxitur fuqimisht investimet e reja, veçantisht eolike dhe solare, të erës dhe të diellit. Këtë promovim do ta bëjmë duke përdorur edhe politika subvencionuese në përputhje totale me politikat e BE ku është synimi të anëtarësojmë Shqipërinë brenda një kohe sa më të shkurtër pas 8 vitesh ngecje në vend.

Pa diskutim energjia hidrike mbetet shtylla kurrizore e sistemit energjitik shqiptarë, por jam i bindur që me pasurimin e burimeve dhe diversifikimin e tyre, në veçanti sa i përket energjisë diellore edhe asaj eolike, do bëjmë të mundur që edhe vlerën e energjisë hidrike ekzistuese dhe asaj në të ardhmen ta shumëfishojmë dh eta bëjmë që të punojë për ekonominë shqiptare, për sipërmarrjen shqiptare, për koston e prodhimeve shqiptare që do të thotë për eksportin shqiptarë dhe në vetvete për eksportin e energjisë që është një synim dyfish strategjik për fitimet financiare që I sjell Shqipërisë dhe për kthimin e Shqipërisë në një lojtarë strategjik rajonal sa i përket energjisë.

Për të gjitha këto jemi ulur këto vite për t’iu dëgjuar, për të ndjekur problemet tuaja. kemi ngritur zërin për këto problem, pa diskutim kanë rënë në vesh të shurdhër, përkundrazi zullumi është shtuar e shtuar.25 Prilli është dita të presim së bashku nyjën gordiane që mban të lidhura këto problem.25 Prilli është dita ku të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë për të ndryshuar.

25 Prilli është dita ku zgjedhja është shumë e thjeshtë, vazhdohet dot më kështu apo do të ndryshohet?!

Sot nuk keni vetëm pyetjen para jush , por keni edhe arsyet pse 25 Prilli do jetë një ditë ndryshimi dhe fitore për të gjithë, jo thjeshtë për një parti politike apo një koalicion  partish, por për sipërmarrjen shqiptare, për të punësuarit tuaj, për vizionin tuaj, për ëndrrat tuaja të realizuara dhe që mezi I mbani në këmbë dhe për ëndrrat që flenë në sirtarë dhe që nesër do të kenë mbështetjen totale të një qeverie aleate të sipërmarrjes në çdo fushë e në veçanti të energjisë së rinovueshme si një sektor kyç, strategjik që do të përmirësojë cilësinë e jetës, të ajrit, të mjedisit dhe koston energjisë që  prek drejtpërdrejt xhepat e çdo familje shqiptare dhe natyrisht prek ekonominë dhe biznesin në tërësi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Vendi yne 27/02/2021 11:10

Edhe ju xhepat do mbushni si Rama.Perralla elektorale

Shto koment

Denonco