Skema e zgjuar e Opozitës për të ardhur në pushtet

Skema e zgjuar e Opozitës për të ardhur në pushtet

09:27, 26/02/2021
A+ Aa A-

Shkuarja në zgjedhje me dy koalicione e maksimalizon bazën e votave dhe të mbështetjes. Me daljen e LSI më vete, është siguruar një pol ku do të shkojnë socialistët dhe të majtët e zhgënjyer, të cilët për arsye ideologjike nuk do të mund të votonin dot PD. Nga ana tjetër, koalicioni i zgjeruar i Bashës dhe alternativa që po paraqet, adreson çdo grupmoshë dhe çdo qytetar në vend. Me këtë skemë opozita pritet të sigurojë një fitore të qartë e të pastër më 25 prill

Tashmë është zyrtare se në zgjedhjet e 25 prillit që janë pas 2 muajsh, Opozita do të paraqitet me dy koalicione. Përtej shumë analizave e hamendësimeve, kjo është një skemë e zgjuar dhe perfekte. Me dy koalicione, Opozita shfaqet shumë konsensuale dhe rrit potencialin për të marrë mbështetje masive nga gjithë segmentet e shoqërisë.

Një prej shtresave që do të ketë jo pak rol në zgjedhjet e 25 prillit, do të jenë socialistët dhe të majtët e zemëruar, të cilët për arsye ndoshta ideologjike nuk do të votonin dot Partinë Demokratike. Ata tashmë e kanë një mundësi, e kanë një alternativë që afrohet me qëndrimet e tyre, dhe kjo është LSI. Askush nuk do të mund t’i akuzonte nesër socialistët për tradhti, kur ata të votojnë partinë që ka lindur pikërisht nga PS, LSI-në.

Socialistët do të kishin madje një mundësi të artë për të ndihmuar partinë e tyre që të merrte leksionin e duhur, të kalonte në opozitë e të reformohej, t’u rikthehej atyre si parti, duke qenë se aktualisht sundohet nga sekti rilindas. Është kjo arsyeja që shpjegon sulmet e ashpra të qeverisë ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sulme mediatike të përditshme, dhe nga çdo zyrë e instrument që Rama ka në dorë. Sulmi ndaj LSI është një përpjekje për të shmangur skenarin katastrofal për rilindjen në këto zgjedhje. Ndaj edhe ka tituj bombastik e festë mediatike nga propaganda e Ramës, sa herë që ata arrijnë të peshkojnë ndoca prej kësaj force politike, lart e poshtë. E megjithatë, sërish, jo pak socialistë po “emigrojnë” që tani drejt LSI.

Sipas drejtuesve të kësaj force politike, ka një dyndje në këtë drejtim. Nga ana tjetër, shtresa gri dhe populli i revoltuar kanë koalicionin që udhëhiqet nga PD, e shumë aleatë të saj, që adreson me programin dhe alternativën që ka prezantuar, çdo grup shoqëror, nga të porsalindurit, e deri te pensionistët.

Me këtë skemë, përllogaritet që pjesa dërrmuese e shoqërisë të gjejë veten, të përfaqësohet. Pjesa më e madhe e shoqërisë nuk do të mund të qëndrojë indiferente. Sipas specialistëve të zgjedhjeve, kjo formë që ka zgjedhur Opozita do t’i sigurojë një fitore të padiskutueshme edhe të thellë.

E DJATHTA OPOZITARE
Mesila Doda: PDIU, parti e dytë në koalicionin opozitar

Ish-deputetja Mesila Doda tha dje se PDIU është një faktor i rëndësishëm dhe se është partia e dytë më e madhe në koalicion. Doda tha se pushteti aktual po mundohet që të grabisë pasuritë publike dhe paralajmëroi se të gjithë ata që kanë hedhur firmën do të mbajnë përgjegjësi për të. “Ne jemi faktor shumë i rëndësishëm sepse 45 mijë votat e PDIU janë një resurs i madh.

Të mos harrojmë se PDIU është partia e dytë për nga fuqia në këtë koalicion. Shqiptarët janë të lodhur dhe nuk ka ngelur njeri pa e kuptuar se ky pushtet është në panik dhe në mënyrë të babëzitur janë përpjekur të grabisin pasuritë publike duke e ditur që po ikën. Kam vetëm një porosi për ata që e bëjnë këtë duke vënë firmën: ligji dhe shteti nuk parashkruhen edhe pasi ata do të ikin nga pozicionet e tyre. Të gjithë do të mbajnë përgjegjësi për firmat që hedhin.

Ky parlament ka nevojë për zërin e komunitetit çam dhe këta përfaqësues do të jenë aty. Të gjithë personat do të garojnë në 9 qarqet e vendit dhe do të sjellin njerëzit e tyre aty për të kandiduar. Ne mbështetëm vendimin e presidentit për ta kthyer projektligjin për zgjatjen e koncesionit të aeroportit të Rinasit.

E gjithë procedura është një shkelje sepse duhet të zgjaste 6 vite të tjera, ndërkohë që e merr nga Koncesionari kinez Kastrati, i cili merr aeroporte dhe rrugë, çfarë ngelen nga ky vend dhe këtu jepen si bashkëndarje dhe bashkëpronësi nga kryeministri Rama. Është lëvrim fondesh që i duhen Ramës për fushatë. Kjo do të thotë bileta më të shtrenjta për shqiptarët dhe me më pak shërbime.

Para pak ditësh ra borë dhe u bllokua pista e Rinasit. Imagjinoni pak vendet e veriut të Evropës ku bie shumë dëborë! Këtu janë një grusht oligarkësh që e kanë zaptuar pushtetin ekonomik.” Zonja Doda shtoi se Rama nuk resht së bëri teatër, duke thënë se do të donte që të qëndronte në shtëpi, por sakrifikon për shqiptarët. “Rama nuk resht së bëri teatër, duke thënë se do të donte që të qëndronte në shtëpi, por për hir të shqiptarëve duke sakrifikuar për ta.

Si mund të jetë njeriu kaq i shtirur? Ky njeri çdo ditë që merr frymë, i bën dëm këtij vendi. Ky njeri që i jep pronat e vendit sikur i ka pronar e babës, sikur ia ka lënë Kristaqi dhe bën qoka te njerëzit rreth e qark. Kjo është drithëruese, sepse edhe tallet duke thënë se po sakrifikon. Ky shet detin dhe tokën. Nderon varrezat e ushtarëve grek dhe heq toponimet. Unë nuk di një vepër që ky njeri të jetë krenar, përveç aeroporteve 3D që ka bërë. Ky është një person që çdo ditë ka futur dorën në xhepin e shqiptarëve dhe mendon se teatrin do t’ia besojnë shqiptarët.”

E MAJTA OPOZITARE
Ardit Çela: Goditja e LSI për ‘Rilindjen’ do jetë ballore

Drejtuesi politik i Qarkut të Beratit, Ardit Çela, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, deklaroi se goditja për “Rilindjen” më 25 prill do jetë ballore. Çela thekson se LSI në qarkun e Beratit, në këto zgjedhje, do të marrë së paku 3 mandate deputetësh, kurse shtoi se luftohet për të qenë forcë e parë politike në qark. “Ne kemi qenë forcë e dytë politike në Berat dhe garojmë për të qenë të parët në këtë qark.

Ne në qarkun e Beratit do dalim me listën tonë, unë do jem në krye, ndërsa kemi në listë njerëzit më të mirë, që janë kërkesa të banorëve. LSI në qarkun e Beratit do ketë minimalisht 3 mandate dhe luftojmë për të qenë parti e parë. Rama shëtiste në Berat si në përrallat e Anderson. Qytetarët e Poliçanit janë varfëruar, për shkak edhe të vendimeve të Blendi Klosit. Klientët e Klosit janë favorizuar. Vendimmarrja e Klosit ka lënë mijëra pa punë. Rilindja nuk do marrë vota në qarkun e Beratit, sepse vetëm ka varfëruar qytetarët. Më 25 prill, Rilindja do marrë goditje në Berat, Kuçovë, në Poliçan, Urën Vajgurore”, tha Çela. Duke folur për të ikurit nga LSI në Berat, Ardit Çela nënvizoi se të gjithë ata persona janë larguar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, duke shtuar se LSI ka një plan të qartë se çfarë do të bëjë në Berat.

“Politikanët duhet të dinë se fushatë është gjithë aktiviteti, jo vetëm këto ditë. Qarku Berat është si zemra për trupin, jam në shtëpinë time në Berat dhe e ndiej veten në shtëpinë time biologjike dhe politike. Mendoj se do kemi mbështetjen e qytetarëve. LSI është distancuar nga të ikurit dhe s’ka ndodhur e kundërta. Qarku Berat sot është lënë në harresë dhe është zhytur në varfëri dhe në papunësi. INSTAT flet për këto shifra, që janë të zymta.

Sot biznesi, bujqësia, gjithçka lëngon në Berat. LSI ka projekte zhvillimi konkrete. Kjo qeveri e ka mendjen te PPP”, u shpreh Çela. Më tej, Çela vlerësoi se kur LSI të jetë në qeveri, do të hapë 2 deri në 3 mijë vende të reja pune në Kuçovë. “Vizioni ynë është që të ketë mbështetje për fermerin. Do ketë subvencion drejtpërdrejtë për fermerin, sepse fermeri e di ku i pikon çatia. Është fatkeqësi për Beratin që nuk ka investime nga kjo qeveri, vizitorët vijnë vetëm nga brendi ndërkombëtar”, përmbylli Çela./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Vendi yne 26/02/2021 13:47

Kjo eshte qesharake.Te gjithe deshtaket e deshperuar per pushtetin po behen bashke.Qeveria e formuar nga coalicione eshte si breket me andrra.PD me keto koalicione tregon se eshte e dobet e pafuqishme dhe pa vizion te qeverise e vetme.Turp

Mersila26/02/2021 09:59

Te degjosh Mersilen kur flet kunder Rames ? Ajo e shfrytezoi PD per te mare dy mandate.Ne mandatin e dyte ajo tradhetoi PD per tu bashkuar me PDIU aleate e Rames ne ate kohe.Tani kerkon prape pushtet.Ajo pervec burrit nuk ka ssnje lidhje me camet.Edhe djalin e pagezoi tek Papa . Cfare nuk mund te presesh nga ajo, neser per pushtet e dredh perseri.Tarafi i saj eshte i lidhur ngushte me pushtetin e sotem.Ajo eshte kali i Trojes per Ramen.Ketu do jemi , dhe do me jepni te drejte per te. Fshati qe duket nuk do kallauz, thote populli .

Shto koment

Denonco