Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Programi i PD, Basha: Do ulim çmimin dhe rrisim cilësinë e karburantit

Programi i PD, Basha: Do ulim çmimin dhe rrisim cilësinë e karburantit

12:01, 24/02/2021
A+ Aa A-

“Ne do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit për qytetarët, përmes politikave fiskale, ku veçoj heqjen e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti dhe duke hapur tregun e duke zhbërë dhe çmontuar monopolet që ekzistojnë sot.”

Ky ishte një nga premtimet më të rëndësishme në Programit e PD për Energjinë, që Lulzim Basha e prezantoi sot në pika kryesore. “Jo vetëm që do të kurseni para, - tha kreu i opozitës, -  po edhe Shqipëria do të jetë më e gjelbër, më e shëndetshme dhe më e pastër. Ne do të rrisim sigurinë e furnizimit me energji në vend, përmes investimeve në burime energjie të gjelbra e të pastra: Shqipëria do të përfitojë nga pozicioni i saj i shkëlqyer gjeografik, duke u kthyer në një qendër për furnizimin e mbarë Ballkanit, po edhe më përtej, me gaz natyror, i cili është më i pastër, më i pakushtueshëm dhe do të forcojë ekonominë tonë.

Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës. Do të nxisim ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha si energji të pastër në bazë, ndërsa rezervat hidrike të KESH do t`i përdorim për energjinë e balancimit apo energjinë në pik. Përparësi reformave tona në këtë sektor do të jetë lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, evazionit dhe kontrabandës që sot ka kapur sektorin.

Ky fenomen, sot po rrënon pasurinë kombëtare dhe po dëmton rëndë konsumatorët.

Ne do të zhdukim monopolet dominuese në tregun hidrokarbur, si dhe do të forcojmë luftën ndaj evazionit fiskal e do të mundësojmë dyfishimin e investimeve private në sektorin e naftës, i cili vitet e fundit po vuan rënien e ndjeshme të këtyre investimeve për kërkim-zbulim-prodhimin e naftës.

Kontrolli i rreptë i cilësisë së karburanteve do të jetë një tjetër prioritet absolut dhe angazhim i qeverisë tonë. Cilësia e karburantit për përdorim industrial apo familjar do të arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë.

Ky është angazhimi që marrim përpara jush sot.

Ne do të lidhim gazsjellësin TAP me TEC-in e Vlorës, do të gazifikojmë zonat industriale dhe do të aplikojmë projektin e magjistralit Jon-Adriatik, duke siguruar një lidhje me magjistralin e gazit me Kosovën. Në sektorin minerar, ne angazhohemi për të rritur 150% Investimet e Huaja Direkte dhe do të dyfishojmë kontributin e këtij sektori në ekonomi. Kjo do sjellë punësimin direkt dhe indirekt për mijëra shqiptarë, në veçanti në zonat malore dhe të varfëra.

Kjo do të arrihet përmes përmirësimit të ndjeshëm të klimës së biznesit në vend, qartësisë së lidheve dhe rregullave, luftës kundër korrupsionit dhe shmangies së mbivendosjeve së kompetencave të agjencive të ndryshme qeveritare.

Ne do ta çlirojmë sektorin minerar nga korrupsioni i administratës dhe do t’i japim fund përdorimit të pasurive kombëtare pa taksa dhe në mënyrë të pandershme.

Ne jemi gati të shqyrtojmë në bashkepunim me shoqatat e minatorëve, çdo përfitim të veçantë për minatorët, për sakrificat që ata bëjnë dhe që shoqëria ua ka borxh, përfshirë ketu përfitimet sipas një statusi dinjitoz për punë të vështirë si dhe për t'u lehtësuar sadopak pleqërinë me pensione po ashtu dinjitoze.

Menjëherë pas zgjedhjeve, unë do të përqendroj të gjithë fuqinë e shtetit në dy detyra të tjera kryesore: zgjidhja e problemeve të përmbytjeve të qyteteve tona dhe përfundimin me shpejtësi i riparimit dhe rehabilitimit të të gjitha dëmeve të tërmetit.

Nuk është aspak për t’u habitur që Rama nuk bëri asgjë për këto dy çështje jetike. Ndërkohë akoma pa ardhur në qeverisje, ne kemi marrë angazhimin e institucioneve prestigjioze që kanë punuar krah për krah me NATO-n dhe Bashkimin Europian për një zgjidhje reale dhe të qëndrueshme të problemit të përmbytjeve në veçanti dhe erozionit dhe ndotjes në tërësi.

Të dashur bashkëqytetar, të gjitha këto mund dhe do të arrihen duke larguar Ramën dhe duke i dhënë fund transferimit kolosal të parave tuaja, të parave publike që ai j’ua çuar dhe vazhdon t’ua çojë miqve të tij.  Ne do të garantojmë që këto para të shkojnë atje ku ju keni nevojë.

Të dashur qytetarë shqiptarë, ndryshimi është i mundur. Ne mund dhe do ta arrijmë atë. Kjo varet e gjitha nga ne. Bashkë do të sjellim ndryshim dhe do ta bëjmë një vend tonë më të mirë për të jetuar për të gjithë shqiptarët.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco