Studiuesja nga SHBA: Teatri e Piramida, dy shembuj të krimit shtetëror

Studiuesja nga SHBA: Teatri e Piramida, dy shembuj të krimit shtetëror

09:32, 23/02/2021
A+ Aa A-

Në Shqipëri po zhvillohen “Ditët e Kujtesës”, një seri veprimtarish, ku po diskutohen marrëdhëniet e shqiptarëve me diktaturën komuniste dhe me demokracinë.

Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë, si dhe Instituti për Studime Politike zhvilluan sot një konferencë shkencore mbi tranzicionin shqiptar nga diktatura në demokraci. Studiuesit pohuan se tranzicioni politik në Shqipëri mund të zgjatet edhe më shumë, sepse një pjesë e shoqërisë përpiqet të integrohet në vlerat demokratike të Europës së Bashkuar, ndërsa një pjesë tjetër nostalgjike përpiqet të rehabilitojë diktatorin Enver Hoxha dhe metodat e punës së tij.

Në konferencën shkencore të Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, studiuesit pohuan se tranzicioni politik u përdor nga politikanët shqiptarë gjatë gjithë kohës në 3 dekada si një alibi për dështimet dhe abuzimet e tyre me pushtetin. Kjo është arsyeja pse ata nuk punuan për ta shkurtuar periudhën e tranzicionit, por për ta zgjatur atë për t’u fshehur prapa tij. Ata thanë në konferencë se diskutimet mbi tranzicionin bien shpesh në pikëpyetje se me kë ta krahasojmë Shqipërinë, me vendet ish-komuniste, me vendet e ish-Jugosllavisë, apo me vende të tjera europiane.

Studiuesi Afrim Krasniqi tha se Shqipëria është një ndër vendet e pakta ish-komuniste që ka një numër minimal studimesh mbi kalimin e shtetit nga diktatura në demokraci. “Ne jemi një vend, që patëm një nisje ndryshe të procesit demokratik. Ne nuk patëm parti disidente, nuk patëm lëvizje disidente, apo me karakter fetar, sepse shteti e kish ndaluar fenë, nuk patëm ndonjë ndikim nga diaspora në vendim-marrjet e viteve ‘90. Ne patëm një revolucion, i cili bëri deri diku zhvendosjen e elitave. Edhe elitat e para të tranzicionit dhe elitat antikomuniste vijnë nga e njëjta kulturë politike”, tha Krasniqi.

Profesorja e studimeve mbi trashëgimitë kulturore nga Universiteti i Georgias në SHBA, Lori Amy, foli mbi terrorizmin shtetëror dhe traumat psiko-kulturore që pësoi populli shqiptar gjatë diktaturës dhe i vuajti gjatë gjithë tranzicionit, kur struktura të vjetra vazhdojnë ditë për ditë të përpiqen që të rehabilitojnë diktatorin Enver Hoxha dhe metodat e tij të frikësimit dhe kërcënimet të qytetarëve me humbjen e vendit të punës, sigurisë dhe ushqimit të familjes.

Ajo mori si shembull mënyrën krejt të ndryshme se si u trajtuan edhe sot e kësaj dite nga qeveria aktuale Teatri Historik Kombëtar me shkatërrim të plotë, edhe pse e mbrojtjën mijëra qytetarë për 3 vjet dhe nga ana tjetër Muzeu i diktatorit Enver Hoxha me rindërtim të plotë, edhe pse i braktisur nga të gjithë, shkruan Panorama.

“Teatri Kombëtar dhe Piramida mund të analizohen si shembuj të përsëritjes së krimit shtetëror në mungesë të riparimit moral të shoqërisë shqiptare”, thotë studiuesja Lori Amy. Ajo renditi edhe një seri krimesh shtetërore ndaj pronave dhe pronarëve gjatë diktaturës, që vazhdojnë të mos e gjejnë drejtësinë edhe gjatë tranzicionit

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Renci23/02/2021 13:25

Momenti kur prishja e piramides duhet futur ne programin e PD. Tu thuhet shqiptareve qe referendumi i 25 prillit eshte dhe per piraminden e envereve te djeshem dhe te sotem.

Shto koment

Denonco