Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Pse Edi Rama është tërbuar me RAI 3?

DORA E ZOTIT – Edi Rama e vendos kush vaksinohet dhe kush jo

DORA E ZOTIT – Edi Rama e vendos kush vaksinohet dhe kush jo

09:04, 22/02/2021
A+ Aa A-

Pothuaj një vit pasi ka nisur në vend regjimi i pandemisë, Kryeministri ka injoruar haptazi komitetin e ekspertëve në një prej momenteve më delikate. Deri tani çdo vendim ai e ka justifikuar si të bazuar nga këshilla e tyre. Po pse vaksinimin selektiv e bëri sipas mendjes së tij, duke diferencuar personalitetet, pa marrë parasysh opinionin shkencor që përcakton se kush është më në nevojë, dhe kush rrezikon më shumë.

Edhe pak ditë duhen që të mbushet një vit nën regjimin e pandemisë. Shifra e të prekurve nga covidi është mbi 100 mijë sot në Shqipëri. Por teksa ka një konsensus të përgjithshëm që qeveria dështoi në menaxhimin e situatës, me paaftësinë për t’iu përgjigjur me shërbim shëndetësor njerëzve dhe kur spitalet janë në kolaps, një debat i ri është hapur.

Si në asnjë vend të botës, është shefi i qeverisë, 62 ditë para zgjedhjeve, që përcakton se kush do të marrë vaksinën ose jo, në kohën kur numri i këtyre ampulave që kanë mbërritur në vendin tonë është shumë i kufizuar. Niveli i vaksinimit në Shqipëri për momentin është nga më të ulëtit në Europë.

Në këto kushte dështimi të gjithanshëm, Edi Ramës, i duhej sërish një kalë elektoral. Dhe atë pak sasi që ka marrë, rreth 7 mijë vaksina, vendosi që ta shpërndajë ai vetë, në mënyrë që të marrë përfitimin maksimal. Si gjithnjë, në dukje, në perceptim, në fasadë.

Kështu ai ka vendosur të shfaqet si hero duke shpëtuar gjasme jetën e disa ikonave që janë mjaft popullorë në Shqipëri, si Tinka Kurti, Reshat Arbana, Pirro Milkani, dhe të tjerë, me shpresën se do të marrë konsensusin masiv të njerëzve.

Ndërkohë, asnjë sqarim nuk është dhënë, nëse ky verdikt vjen nga konsultimi apo këshillimi që i ka dhënë komiteti i ekspertëve. Nëse deri tani qeveria dhe kryeministri ecnin në këtë kohë të vështirë pandemie, sipas recetës që jepte ky bord i gjithëpushtetshëm, përse papritur, ai vendosi të mos i dëgjojë për një moment kaq delikat, siç është vaksinimi.

Mendja ta do se ekspertët nuk do t’i ndanin njerëzit në personalitete apo jo, por do të listonin ata më në nevojë shëndetësore, më të rrezikuarit prej virusit. Por kur jemi 2 muaj para zgjedhjeve, Edi Rama nuk mund të bëjë si në Gjermani. Këtu te ne, vota është e para, pastaj vijnë jeta dhe shëndeti i qytetarëve.

Këtë përzgjedhje arbitrare e kanë denoncuar shumë njerëz të njohur në vend, e publicist dhe forca politike. Edi Rama nuk ka përtuar t’u përgjigjet e t’i fyejë të gjithë ata që nuk janë dakord.

Megjithatë, ai ka dështuar të thotë, nëse këtë vendim e mori në bazën e këshillës së Komitetit të Ekspertëve, apo në mendjen e tij. Dhe, nëse komiteti i ekspertëve nuk është thjesht një zyrë shtesë qeveritare, a ka gjë për të dhënë për këtë metodologji unike në botë të vaksinimit. Apo është kohë pandemie, dhe ata kanë humbur shijen dhe aromën, dhe shqisat e tjera.

Vasili: “Ramaseleksionimi” si sevap propagandistik
“Ramavaksinimi i “personaliteteve” imponoi një shëmti shoqërore, që prodhon zemërim shumë të fortë dhe legjitim sepse mjaft njerëz me vlera të spikatura duhet të shohin nga Televizori se si njerëz të tjerë tërësisht me të njëjtat vlera si ata, Ramaseleksionimi u jep të drejtën e jetës dhe të vaksinimit, ndërsa atyre jua mohon. Ramavaksinimi i “personaliteteve” shkeli mbi ndjenjat e shenjta familjare të shqiptarëve, sepse Ramaseleksionimi imponoi që disa të moshuar të quajtur “personalitete” duhet të jetojnë dhe qindra mijëra të tjerë nëna e baballarë jo.

Mijëra djem e vajza shohin me zemërim shpërthyes këtë seleksionim përjashtues për prindërit e tyre të dashur vetëm e vetëm sepse Ramaseleksionimit i duhen një tufë emrash të dëgjuar për t’i vendosur në ndenjësen e karriges së tij, që dridhet e lëkundet. Vetëm për të moshuarit që janë mbi 400 mijë në Shqipëri do të duheshin rreth 900 mijë vaksina. Ramadrejtimi i pandemisë ka siguruar qindra herë më pak vaksina gjithsej vetëm 9 mijë copë, të cilat janë për të gjithë popullsinë dhe për të gjithë kategoritë.

9 mijë vaksina nuk mjaftojnë as për 15% të mjekëve, infermierëve dhe personelin shëndetësor të Shqipërisë ndërsa për të moshuarit janë aktualisht vetëm disa dhjetëra vaksina në dispozicion, pra mijëra herë më pak se sa duhen për ta. Gjynah vërtet, që Ramaseleksionimi, disa persona nga personalitete i shndërroi thjesht në një tufë të vaksinuarish, përfitues të sevapit vaksinor propagandistik të Ramavaksinimit. Ramavaksinimi i “personaliteteve” dhe Ramalyerja e fasadave të qendrave shëndetësore vetëm sa po na çojnë në ditë gjithnjë e më të zeza për shëndetin dhe jetën”.

Fuga: Ditë e turpshme
“Ditë e turpshme jashtë çdo përfytyrimi! Jam pa fjalë! Shfaqja e rënies morale! Prekur fundi! Është profanuar altari!!”, ky ishte reagimi i profesorit Artan Fuga në rrjetet sociale, pas lajmit të vaksinimit të personaliteteve. Një ditë më parë profesori kishte shpjeguar se “Pushteti politik nuk ka asnjë të drejtë të shpërndajë të drejtën për jetën me tallona si dikur lavatriçet sipas preferencave të tij subjektive dhe sipas “meritave”. Kjo bie ndesh me kushtetutën e Shqipërisë dhe me çdo kartë etike në mjekësi. Problemi nuk është Alfredi, Tinka apo Anesti…

Ata të rrojnë sa më shumë, dhe me shëndet, sikurse e ka bërë Zoti! Por, nuk ka nevojë të mësojnë ata popullin si të vaksinohet sepse ia mësuan mjekët. Ia mësoi kryeministri. Rrjetet sociale, ku do i merr në konsideratë, kur nuk do quhen “kadrinj” Po, është eugjenizëm sepse e lidh të drejtën për jetën me tipare “të veçanta”, dhe ndan njerëzit përballë vdekjes në “ata” dhe “ne”.

Po, një politikë e tillë është parimisht e mbështetur në botëkuptim që qoftë edhe pa e ditur dhe padashje ka fillime ideologjie gjenocidiste, sepse 80-vjeçarëve “jo personalitete” u thotë me nënkuptim: “Ju të tjerët prisni! Ekspozohuni vdekjes sepse kaq merita keni!” Kush njeri që ka një gjysh a një gjyshe, një babë a një nënë, ka edhe pak cipë, do ta pranonte këtë?

Pushteti politik nuk duhet të bjeri në blasfemi dhe të zejë vendin dhe të marri rolin e Zotit. Roli i “babës” mjafton! Nëse dikush nuk bindet me fjalën time, le t’u drejtohet publikisht drejtuesve të komuniteteve fetare, apo eticienëve kudo në botë dhe do të shohi se çfarë përgjigje do t’i japin. Por ne nuk kemi këshilla etike në institucione sepse studentët e filozofisë i lemë 100 për 100 pa punë! Në mos qoftë me aromë gjenocidiste, cinike po, se po! Kaq. Nuk merrem më me këtë. Mjafton”.

Godole: Personat mbi 80 vjeç të hedhin në gjyq Ramën
Vaksinimi i “personaliteteve”, siç po vepron qeveria, është në shkelje të Kushtetutës. Kështu shprehet pedagogia dhe studiuesja Jonila Godole. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shprehet se një ndarje e tillë është diskriminuese dhe në shkelje të nenit 18 të Kushtetutës. “Bazuar në nenin 18 të Kushtetutës, çdo person 80 vjeç e sipër që mund të sëmuret nga Covid-19 mund të hedhë në gjyq Kryeministrin shqiptar për diskriminim; për mosvaksinim në kohën e duhur dhe mosrespektim të kritereve miratuar nga autoritetet shqiptare sipas këshillave të OBSH! Neni 19, pika b thotë tekstualisht se “askush nuk mund të diskriminohet për arsye sociale ose përkatësi prindërore”.

Të ashtuquajturit “personalitete” që janë përzgjedhur për vaksinim si rastësisht janë pikërisht ata që i shërbyen me devotshmëri regjimit komunist, për t’i zgjatur jetën diktaturës. Gjithë të tjerët, gra e burra që mbijetonin në kushte lemerie në fshatra e qytete djerrë të Shqipërisë, si dhe mijëra e mijëra të internuar a të burgosur politikë, “fundërrinat armike” të diktaturës së proletariatit – këta nuk i përkisnin klasës së duhur sociale dhe përkatësisë prindërore-politike as dje dhe as sot. Diskriminimi vazhdon.

Nëse mes të përzgjedhurve “personalitete” do të kishte pasur vërtet një të tillë, ai/ajo do ta kishin refuzuar këtë trajtim pa meritë dhe në thelb racist e antihuman. Vaksinat nuk mund të shpërndahen në mënyrë arbitrare si karamele elektorale për të kënaqur votuesit besnikë të ish-PPSH. Një kryeministër normal i një vendi që aspiron vlerat e BE nuk i ndan qytetarët në “të nënës dhe të njerkës”! Ky është një rast i paprecedent në Europë dhe nuk mund të kalojë në heshtje”, thotë Godole./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco