Alba Kepi zbulon në ‘A Show’ hollësitë e hetimit, emrat dhe bizneset e dosjes që nuk e ka lexuar Rama

Alba Kepi zbulon në ‘A Show’ hollësitë e hetimit, emrat dhe bizneset e dosjes që nuk e ka lexuar Rama

13:59, 27/01/2021
A+ Aa A-

Nga Adi Krasta

Ngjarjet e ditëve të fundit do të duhej të shokonin realitetin shqiptar, elektoratin, njerëzit e zakonshëm, për atë që ishte lidhur me një frikë të vazhdueshme të njerëzve kritikë të këtij vendi për mënyrën se si qeveriset, për interesat e pushtetarëve në botën e ndërtimit, në botën e mafias, ‘20-përqindshin’ e famshëm të diskutuar gjatë gjithë këtyre 20 e ca vjetëve të fundit, i lidhur me kryetarët e bashkive dhe natyrisht edhe me kryeministrat.

Dua ta them që në fillim që unë nuk jam çuditur. Nuk jam çuditur as me ngjarjen, nuk jam çuditur as me reagimin. Sidoqoftë, do ta konsideroj sot veten si njeri të zakonshëm, pra pa shumë informacion të këtij vendi dhe do të lidhem me gazetaren e TV Ora dhe Oraneës, kolegen time nga Italia, Alba Kepi, e cila është gazetarja që ka zbuluar ngjarjet e fundit  dhe do t’i bëj asaj një intervistë me pyetje të ashtuquajtura ‘naive’.

Për të mundur të kuptoni ju, përtej propagandës, përtej manipulimit nga qeverisja, përtej thashethemeve të përgjithshme, telenovelave turke dhe një ndjesie të fuqishme që ne kemi në këtë vend që një ngjarje sado sensacionale zgjat vetëm tre ditë, pastaj jeta vazhdon, shqiptarët harrojnë, ata që abuzojnë me pushtetin shpëtojnë.  Alba, përshëndetje, mirëseerdhe në program!

Alba Kepi: Përshëndetje nga Roma!

Krasta: Më duhet të qartësoj që në fillim që intervista e sotme ka lidhje me ty si kolege gazetare. Unë jam i bindur që të gjitha televizionet sot, programet sot, do ta bëjnë lajmin. Drama që kemi është se lajmi në Shqipëri bëhet dhe asgjë nuk gjen askënd që do të duhej të turpërohej, të shqetësohej, të fshihej, të justifikohej, të mbante një qëndrim. Si mbërriti kjo ngjarje për investigimet, për lidhjet e Ndrangheta-s me pushtetarët në Shqipëri në botën e ndërtimit dhe të bizneseve të vogla? Si mbërriti kjo botë e përgjimeve dhe e dokumentimeve tek ti personalisht?

Alba Kepi: Gjithçka ka të bëjë me kredibilitetin, me seriozitetin profesional për të ruajtur burimet dhe trajtuar diçka në mënyrë të paanshme, në mënyrë serioze duke respektuar në radhë të parë vendin tënd. Në gjithë këto vite që punoj, si gazetare, si korespodente, jam munduar që pavarësisht ngjyrave që ka pasur qeveria – dhe mendoj se qeveria që aktualisht është në pushtet e di mjaft mirë – jam munduar me sa ka qenë të mundura mundësitë e mia, të krijoj urën lidhëse dhe ku ata nuk mund të arrinin, si nga ana italiane, ashtu edhe nga ana shqiptare.

Ky lajm mbërriti me një komunikatë, me një komunikim të thjeshtë, siç marr gati shumë herë në ditë nga zyrat e shtypit, nga njerëz me të cilët komunikoj, të autoriteteve, të cilët më informojnë se ka diçka të rëndësishme. Edhe e tillë, intuita gazetareske më bëri, duke lexuar pak emra në atë komunikim të thjeshtë të pak rreshtave, pasi një njeri i gazetarisë e di që në fillim vijnë dy rreshtat e parë të një komunikimi, pastaj vijnë 5 rreshta, pastaj vjen një gjysmë videoje,vjen një fotografi dhe mendoj se ky bagazh disavjeçar më ka ndihmuar të kem atë nuhatjen, nuhatjen që të kuptoj se po ndodh diçka.

Dhe vërtet, pa më ardhur akoma i gjithë materiali i plotë, njoftoj atë që është drejtori im, të cilin e falënderoj që më ka lejuar edhe sot, për rëndësinë e këtij lajmi. Më autorizoi që ta ndjek me seriozitet dhe arritëm aty ku ishim sot. Por më lejo të bëj edhe atë komentin që e the mjaft mirë në hyrje se isha e përgatitur që do të zgjaste vetëm tre ditë. Dhe pak orë më parë ndërsa kaloja natën duke zbardhur ato ‘gërshtetat’ apo atë ‘oktapodin’ e kësaj ngjarjeje, shkrova një postim në profilin tim në Fb duke imagjinuar se ç’ndodhte sot: Heshtje totale! Mendoj se mafia është kjo, heshtje, harresë; është injorim, është menefregizëm, është ajo ç’ka ata duan. Mafia është ajo ç’ka po përjetojmë sot.

Krasta: Natyrisht, nuk është e para herë. Unë mbaj mend që ti ke pasur jo vetëm informacione të klasifikuara, por ke qenë ti e para që ke nxitur jo vetëm përhapjen, por me kokëfortësinë tipike gazetareske, tonën, që na e ka mësuar Joseph  Pulitzer për kryqëzatën e famshme për lajmin, ne nuk mërzitemi pavarësisht. Ne jemi të palodhshëm në raport me atë që do të duhet t’i përcjellim publikut. Ne nga publiku nuk presim që të ketë pasionin për ta përqafuar lajmin, siç të parët e përqafojmë ne, ju praktikisht, ti.

Kam një ndjesi që kështu është vepruar me ty Alba, edhe kur bëre ti të njohur në Shqipëri, përgjimet, që një nga prokuroritë e qyteteve italiane të jugut, përgjimet që kishin filluar atëherë për një grupim tanimë të njohur ndaj të cilit ka dalë edhe vendimi, që përfshinte, angazhonte, ministrin e Brendshëm Tahiri.  Ka qenë reagimi qeveritar ose i institucioneve, të agjencive ligjzbatuese, pak a shumë njëlloj si atëherë? Të është dukur kështu?

Alba Kepi: E njëjta gjë, padyshim. Por kësaj radhe pata ndoshta edhe mbështetjen e drejtorit të televizionit, që më mbështeti menjëherë dhe lajmin e solla po atë ditë. Në ngjarjen e Tahirit lajmi qëndroi në redaksi disa orë. Dhe kjo jo për faj...ndoshta mendoj ishte një injorancë personale të cilën nuk dinin ta menaxhonin siç duhet, ajo ç’ka po ndodhte.

Unë dua të kujtoj një situatë që ka ngelur në memorie. Pasi ju thatë se ne kemi atë kokëfortësinë për të arritur aty ku duhet: herën e parë kur kam bërë intervistë me një nga prokurorët e Antimafias, kam ndenjur me orë të tëra pas një truprojeje të armatosur deri në dhëmbë me kallashnikov, pas një grupi policësh të cilët e ruanin dhe mundohesha që nga njëra anë të mbaja trekëndëshin tim, telekameran; nga ana tjetër kisha mikrofonin dhe nga ana tjetër kisha bllokun e shënimeve, që e hodha poshtë dhe mundohesha të mos impresionohesha nga situatat që më rrethonin.

Kam ndenjur me orë të tëra ulur në korridor, përdhe, duke u dridhur dhe doja të mos e shihja kallashnikovin vetëm që të mund të arrija dhe të kisha një prononcim nga një prokuror Antimafia vetëm për t’i dhënë zë asaj që unë kuptoja se po ndodhte. Po kuptoja se ajo që po punonin, po kryenin në Itali për të zbardhur kriminalitetin e jashtëzakonshëm që po kryenin grupet kriminale shqiptare të konsideruara tashmë kartele mafieje, nuk po gjente atë lloj përhapjeje, komunikimi, atë lloj që ka nevojë të denoncohet mafia, zëri.

Kujtoj Paolo Borselinin që më ka impresionuar që në fillim kur i ka hyrë kësaj kronike të zezë: ‘Mafia...mjafton të flasësh. Të flasësh duke shkruar, të flasësh në televizion, të flasësh aty ku mundesh’, pasi mafia siç e thashë edhe më herët është ajo që të heshtësh. Ndaj dhe unë pikërisht me këtë kokëfortësinë time jam munduar.

Ndoshta edhe me këto flokët e verdhë dhe të gjatë që më identifikojnë  menjëherë se jam një grua, një vajzë nga Europa e lindjes, të mos paragjykoj profesionalitetin tim e të them të drejtën, sot më shohin vetëm në atë që them dhe jo nga paraqitja ime.

Adi Krasta: Është e vërtetë Alba që ti ke folur sot në një bisedë telefonike, konfidenciale dhe private, me prokurorin e kësaj çështjeje, Nicola Gratteri?

Alba Kepi: Po, është e vërtetë dhe më ka konfirmuar se hetimet e kësaj ngjarjeje do të vazhdojnë. Hetimet e kësaj ngjarjeje nuk janë ndërprerë dhe nëse ti ke kohë mund të hetosh të gjitha ato që Kryeministri i vendit tha në një konferencë shtypi. Dhe më vjen keq të thotë se është i painformuar,  siç qe e painformuar mënyra se si u trajtua e gjithë kjo kronikë.

Kryeministri tha se ata kanë hapur thjesht një dyqan veshjesh!!!

Nuk është një dyqan veshjesh! 

Është një biznes që shet artikuj veshjesh ndërtimi, të cilat përdoren për normativë ligjore për të gjithë punonjësit në sektorin e ndërtimit, për të gjithë punonjësit që hapin rrugët. E detyrueshme. Janë këpucë, janë të gjitha ato që përdoren në tenderët publikë që normativa ligjore e një vendi evropian, anëtar i BE apo një vend që aspiron të jetë në të, është i detyruar t’i zbatojë.

Ky nuk ishte një dyqan! 

Ky ishte një biznes, ishte një urë kalimi për të hapur më pas shoqëritë offshore për të pastruar para. Pikërisht këtë lloj biznesi, Antonio Gallo, ‘princi’ që është xholi, siç e nënvizojnë autoritetet italiane në këtë biznes, e përdorte edhe në Itali për të marrë tenderë publikë për rrugët, për të marrë tenderë publikë për ndërtimet dhe përmes dyqanit, siç thotë Kryeministri - por që ishte një biznes - ai e përdorte për të pastruar paratë, për të derdhur paratë, për të përdorur, ripërdorur, ricikluar paratë për të marrë tenderë të tjerë për veshjet e detyrueshme që duhet të kishin punonjësit.

Adi Krasta; Më fal Alba, dua ta sqaroj menjëherë. Domethënë nuk është siç thotë Kryeministri që prokuroria italiane ka dalë më një vendim përfundimtar ku ajo këtë ngjarje e konsideron jongjarje? Pra, sipas të gjithëve që kanë dashur ta fshehin këtë ngjarje në Shqipëri, që është Kryeministri, njerëzit që kanë dashur ta fshehin nga pikëpamja e propagandës dhe ata poshtë deri tek njerëzit e zakonshëm që edhe në Fb e kanë konsideruar këtë një ngjarje për të qeshur (ata i bën shumë për të qeshur për hir të së vërtetës)  dua të them se Prokuroria nuk ka nxjerrë një vendim përfundimtar që e shkarkon Shqipërinë nga kjo dramë?! Prokuroria vazhdon hetimin dhe sipas burimeve të tua, vazhdon prokuroria? Ose, prokuroria italiane do të bëjë? Po bën hetim në Shqipëri?

Alba Kepi: Unë e konfirmoj me seriozitetin, profesionalitetin dhe kompetencën time profesionale se hetimet po vazhdojnë. Por ata që pretendojnë se e kanë dosjen në dorë, që pretendojnë se e kanë lexuar, që pretendojnë se në këtë dosje në vend që të shohin fenomenin, kërkojnë emrat majtas – djathtas dhe besoj se ky është gabimi më i madh,  në vend që të dalin tek fenomeni, ata që pretendojnë se kanë dosjen, mjafton që të kenë një vëmendje ose të kenë lexuar dosjen siç duhet dhe të kuptojnë. Më lejo që ta citoj siç shkruhet që në hyrje të kësaj dosjeje:

‘Aktet në mbështetje të kësaj akuze përmbajnë informacion të Drejtorisë së Antimafias italiane të Kazanzaros, depozituar më 13 mars 2020.’ Pra, nuk është e vërtetë që përgjimet kanë mbaruar në 2018-ën. Në këtë informacion, në këtë dosje, përmbahen edhe materiale të hetimeve të mbledhura nga Policia financiare ekonomike e Guardi di Finanza, të depozituara po në Drejtorinë e Antimafias në dy momente të caktuara: të depozituara në 16 prill 2020 dhe paraprakisht në 17 maj 2019.

Ata që pretendojnë se e kanë lexuar dosjen, uroj që ta ketë bërë edhe Kryeministri (më vjen keq se nuk e ka bërë) duhet të lexojnë se brenda atyre që ata kërkojnë, ‘përgjimet’, po nuk është ‘përgjimet’, problemi. Problemi është një dosje prej 1500 faqesh e hartuar nga Antimafia italiane përmban një aferë të tillë korruptive. Pra në këtë dosje, në këto përgjime që pretendojnë se i kanë lexuar , thuhet se në 14 qershor 2020, tre shqiptarë mbërrijnë në Katandrala dhe hapin, bëhen pronarë të gjashtë kompanive. Katër kompani e kanë selinë në Milano dhe dy kompani e kanë selinë në Romë. Këta tre persona e di kush i sjell?!

I sjell pikërisht Heno! Henrik Baçi! Henrik Baçi, që unë uroja që gazetarët investigativë shqiptarë që në momentin kur është shpërndarë lajmi të shkojnë të gjejnë ku i ka zyrat ky person. Uroja që ata të kërkonin se kush është ky person dhe çfarë aktiviteti ka. Pra, nëse hetimet e Antimafia italiane zbardhin se në qershor të 2020-ës këta persona të punësuar vetëm për t’u bërë ‘prestanome’nga ana e Henrik Baçit për llogari të mafias kalabreze do të thotë se hetimet vazhdojnë, do të thotë se biznesi nuk ka marrë fund.

Krasta: Alba, kam një ndjesi dhe që ti thua se do të ishte mirë që Kryeministri ta lexonte dosjen dhe duke nënkuptuar që ai nuk e ka lexuar dosjen, kam përshtypjen se është luks i madh për Kryeministrin të jetë vetëm injorant, të mos ketë lexuar dosjen.

Ne kujtojmë se kritikët e Kryeministrit gjatë këtyre tetë vjetëve por edhe kur ka qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës e kanë akuzuar atë shumë fort (kryeministrin kur ka qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës), por edhe delfinin e PS-së, që pretendon shumë të bëhet Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë (kreu i bashkisë së Tiranës tani, z.Erion Veliaj).

Të dy ata janë akuzuar nga kritikët e tyre, nga njerëz që i kanë sulmuar shumë fort për pjesëmarrje aktive në një korrupsion hilanjos, por galopant, me marrjen e tmerrshme të ‘20-përqindshit’ duke dhënë leje të shkatërrim-tjetërsimit të Tiranës në zona shumë të ndjeshme të saj, zona të qendrës, ku, siç u qarkullua edhe nga informacioni i deduktuar i dosjes, shifra që do t’i blatohej një metri katror, do të kishte qenë ose do të ishte kërkuar, katërmijë euro, që është e jashtëzakonshme!

Domethënë, ne, një deduksion të natyrshëm, mund të kuptojmë, prandaj s’jemi çuditur me atë që praktikisht mund të ndodhë derisa të ketë një vendim përfundimtar të një gjykate apo edhe të prokurorisë italiane në këtë rast, kjo tregon që këtu ka një shqetësim të madh për ta mbyllur grykën e informacionit që ai të mos divulgohet në publik dhe që publiku të mos ketë një ndjenjë të tmerrshme alarmi dhe të shqetësohet që atë po e vjedhin, po e gënjejnë, po e tallin dhe njëkohësisht i kanë mbyllur gojën. Dhe kjo më  bën që të bëj ty një pyetje:

Sipas mendimit tënd, prokuroria italiane ka zgjedhur një tjetër front për t’ia kaluar informacionin, kjo tregon që ajo i trembet prokurorisë shqiptare ose ASPAK-ut, prokurorisë së krimeve të posaçme?! Dhe në këtë rast, të krijohet një ndjesi që Antimafia italiane tanimë e di që në Shqipëri ka një mafia agresive shtetërore së cilës, është e rrezikshme, që t’i besosh?!

Alba Kepi: Mund të jetë kështu. Unë sot në konferencën e shtypit të Kryeministrit, me thënë të drejtën, si një shtetase italo-shqiptare u ndjeva e fyer dy herë. E para sepse ai duke hedhur poshtë një dosje hetimore nga autoriteti më i lartë i drejtësië italiane që është Antimafia, hedh poshtë partneritetin më të rëndësishëm që ka, Italinë. Është Italia që është këshilltarja apo  që përkujdeset që Shqipëria të krijojë sistemin në atë sektorët kryesore të sistemit të drejtësisë.

Antimafia italiane mendoj se ka disa vite që e ka sinjalizuar se ka dëshirë që të punojë në Shqipëri e ka dëshirë të punojë duke nënvizuar pikërisht korrupsionin që është në bazë, në administratën publike. E ka të nështirë sepse Shqipëria nuk ka një rrjet dixhitalizimi për të  evidentuar personat kriminalë;

Shqipëria nuk ka një rrjet të personave që ndryshojnë emra, që ndryshojnë mbiemra, hyjnë e dalin në territorin italin edhe pse e kanë marrë urdhrin e dëbimit; përsëri hyjnë në territorin italian përmes pasaportave që bëhen në Shqipëri dhe përmes pikave kufitare që janë në Shqipëri.

Mendoj se Antimafia italiane nuk ka besimin siç duhet. Ndoshta është rastësi, ndoshta mund të jetë ajo që thua ti, rëndësi ka: Lajmi erdhi!

Por, frika është se çdo gjë do të shuhet. Unë pashë sot reagimin se diçka kaloi e u përqendruan në diçka tjetër. Mendoj se është diçka mjaft e madhe. Hera e parë që ‘20-përqindshi’ apo më mirë sektorët strategjikë të një vendi siç janë tokat në plazh, siç janë autostradat, siç janë grataçielat, siç janë ndërtimet pa leje, siç janë sektori i spitaleve; të mos harrojmë se në të se flitet edhe për tenderët në spitale apo sektori i ... apo persona të lidhur me politikën, persona që dikur kanë qenë edhe eurodeputetë apo persona që aktualisht janë deputetë në parlamentin italian, përmenden si emra. Të thuash se janë emra që përmenden midis mafiozëve?! - mendoj se serioziteti i grupit të personave që kanë hetuar prej 2-3 vitesh këtë lloj operacioni nuk do të ishte kaq i lehtë që të shkruanin në aktet e tyre gjithçka që ishte e pabazuar.

Në ato informacione që ata kanë përmbledhur është një përmbledhje e Policisë Gjyqësore për të pasur një qartësim të asaj që po ndodhte. Mendoj se të gjitha bisedat dhe të gjithë numrat telefonikë në të cilët janë kryer këto lloj biznesesh janë ende nën hetim.

Për t’iu kthyer edhe njëherë asaj që thotë Kryeministri, në numrat telefonikë të Antonio Gallo-s hetimet vazhdojnë deri në fillim të vitit 2020, deri në janar të vitit 2020.

Për shembull në numrin telefonik të Antonio Gallo-s kundrejt një numri tjetër janë regjistruar 1922 hyrje dalje bisedash telefonike! Pra do të thotë se nuk janë përgjime deri në vitin 2018. Kur do të zbardhen ato?! - Ndoshta më vonë, por garancia që japin se hetimet po vazhdojnë, nuk duhet të kishte një respekt të tillë nga ana e një konference shtypi që e gjeta të përmbledhur në një komunikatë shtypi që mua më erdhi pas orës së parë të operacionit. Pra ishte një gjë e përmbledhur që o një gabim i këshilltarëve të zyrës së shtypit të tij, o një lehtësi e dëshirueshme për të larguar vëmendjen , fakt është që sot që mjaft lajme që duhet të ishin përcjellë siç duhet, u lanë në harresë.

Adi Krasta: Alba, ti do të vazhdosh ta ndjekësh këtë çështje? I ke ti lidhjet e duhura brenda prokurorisë së republikës italiane që kjo ngjarje të mos vdesë në vetvete? Propaganda po ta shohësh me vëmendje e ka vendosur këtë ngjarje në një situatë që është shumë e pëlqyeshme për telenovelistët turq ose ata që shohin telenovelat turke në Shqipëri, të tipit për shembull që ....Nuk kanë faj telenovelat e shkreta turke, por është mentaliteti i ngjarjes pa peshë që bluhet në jetën e përditshme që të kalojnë orët.

Shtetarët në Shqipëri kanë thënë që ata kanë dëshirë, pra mafia, Ndrangheta, ka dëshirën që të krijojë lidhjet me shtetin shqiptar e kjo nuk do të thotë që shteti shqiptar, eksponentë të shtetit shqiptar, në rastin konkret Kryeministri, ministrat e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës. Dhe këtu kujtoj edhe një ngjarje që ti e ke bërë të njohur tani në Shqipëri që është ngjarja e marrëdhënies së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për plehrat, me mafian e Veronës. Edhe ajo ngjarje atëherë është sulmuar, është deligjitimuar, është ridikulizuar, pra është qeshur me të derisa u mbyll, u bllokua përfundimisht, siç është bllokuar sot.

Ti sot e ndjen me të drejtë , ne e ndiejmë me të drejtë që institucionet qendrore mediatike në Shqipëri këtë ngjarje e kanë mbyllur. Sot do të flasim ne, do të flasë Ora dhe shpresoj shumë që edhe kolegët tanë Klodiana Lala dhe Artan Hoxha që merren me investigimin e të tjerët, do të gjejnë ata njerëz, do të shohin lidhjet e tyre me Shqipërinë. Në këtë rast nuk lodhet prokuroria italiane, se po të ishte për shqiptarët, shqiptarët e kishin mbyllur këtë, kishin festuar edhe kishin shkuar në plazh! Por në këtë ngjarje i ke lidhjet e duhura, mendon që kjo ngjarje do të jetë kokëforte? Do të mbijetojë apo ka ajo rrezikun që të shuhet?

Alba Kepi: Mendoj se do të vazhdojë të hetohet.  Kujtojmë se ka dhe një kohë hetimi. Ky është procesi i parë i hetimit. Do të vazhdojnë hetime të tjera. Ndoshta po kryhen, po mbyllet një dosje tjetër, por kujtoj se jemi edhe midis dy shteteve. Puna më e madhe pas këtij sinjali që erdhi nga Italia do të kryhet edhe në territor.

Unë kam lexuar lloj-lloj gjërash të pavërteta kohët e fundit. Kam lexuar se janë sekuestruar miliona euro!!!

Po si mund t’i sekuestrohen miliona euro një personi që kishte mbi kurriz një sërë aktakuzash penale me një sërë problemesh me drejtësinë italiane?! Askush, as ai më i pafajshmi nuk do të mbante miliona euro në shtëpi!

Ndaj dhe duhet të kemi kujdes në përcjelljen e lajmeve. Se në momentin që ti përcjell një lajm që nuk është i vërtetë, herën e dytë lajmi devijohet dhe shkon në një drejtim tjetër.  Pra vëmendja shkon tek ato para që gjetëm dhe nuk shkon tek fenomeni.

Dhe një gjë tjetër që më ka bërë përshtypje në këtë lloj ngjarjeje që ndoshta se kam vënë re herët e tjera, është fakti se kur përcjell një lajm të tillë komenti është se po zihen dy kundërshtarë të politikës, sikur lajmin e solli një person apo një armik i Edi Ramës apo vetë Edi Rama për të luftuar armiqtë e tij. Duket gjëja më absurde, gjëja më e lehtë, gjëja më komode, që mund t’i shërbejë vetëm heshtjes ndaj mafies, mund t’i shërbejë grupeve kriminale, pikërisht këtë duan, të largojnë vëmendjen, të devijojnë vëmendjen, të largojnë të gjithë ata ç’ka është thelbi kryesor i çështjes.

Siç thashë, unë vura re se kërkojnë ‘përgjime’, kërkojnë ‘emra’, por ajo që duhet ndarë është fenomeni. Nuk mund të vesh në diskutim një faqe të një dosjeje të Antimafies sepse aty nuk është ai emër që ti pretendon!

Ai që e ka transkriptuar atë lloj faqeje duke përdorur numra telefoni, duke shoqëruar me fotografi është se ka pasur, e ka ndjekur, e ka përgjuar , ka dyshimet e viteve më parë!

Pra në arrijmë aty që të mos kuptojmë rëndësinë e një dosjeje, rëndësinë e një hetimi të bërë nga autoritetet, atëherë është e pamundur që të pretendojmë se edhe politika, opozita apo dikush tjetër të ketë një reagim në atë që presim.

Mendoj se të gjitha këto lloj lajmesh ‘kuturu’ siç i them unë, pa të vërteta, të shpërndara vetëm me aludime apo se dikush nga prokuroria nga Shqipëria i tha një fjalë dhe të aludojmë ta komentojmë! Nuk bëhet!

Unë kam një formim historik, pasi jam e diplomuar në histori dhe mendoj se më ka ndihmuar shumë në punën time. Në çdo ngjarje, uroj që memoria të jetë e gjatë, verifikoj dhe është mjaft e vlefshme për një gazetar që lajmin kur ta përcjellë, ta përcjellë përballë një dokumenti që lexon vetë, përballë dy thirrjeve telefonike që ka bërë dhe përballë një fakti, një krahasimi. Dhe kjo është më rëndësishmja që duhet bërë, ajo ‘salto di qualita’, ajo ngritja dhe në përcjelljen e informacionit. Sa më i dobët të jetë informacioni, aq më e penetrueshme është heshtja, shuarja dhe harresa e asaj që ne duhet të përcjellim.

Në qoftë se kërkojmë ndryshime në Shqipëri, ndryshimin do ta marrim dhe në rrugën mediatike. Është mjaft e rëndësishme, uroj që të shoh në sallat e shtypit njerëz me thinja në kokë, njerëz që mbajnë shënime. Unë kur futem në Palazzo Kixhi, kam shumë vite që ulem, isha më e reja dhe ulesha gjithmonë në rresht të fundit,se e konsideroja veten sikur isha më kalama në krahasim me ato firmat e mëdha të medias italiane që ishin në rresht të parë, burra me thinja në kokë kurse unë nuk shoh në rresht të parë në konferenca shtypi një gazetar që e heq veten se është analist, të ulet dhe t’i bëjë pyetje siç duhet një Kryeministri, një ministri, një kryetari bashkie pa pasur interferenca të sulmit verbal për fjalën apo komente për një bluzë apo për sytë e bukur. Mendoj se dinjiteti fitohet edhe duke veshur këpucët dhe duke i gjëmuar lajmit, duke grisur këpucët  deri aty ku është lajmi.

Adi Krasta: Alba, kam një pyetje të fundit. Dy janë armitë e tu për momentin, është ‘cancel culture’, pra që do të deligjitimojnë që ‘s’merr vesh’, ‘s’ka burime’, dmth ngjarja është e parëndësishme ose do të hash ndonjë kërcënim siç herë pas here hamë, me këto formulimet  klasike të njerëzve të nxehur. Ka ndodhur me ty të paktën për këtë rast?

Alba Kepi: Ka ndodhur, por nuk më pëlqen të jem viktimë. Më vjen keq se po më shohin dhe prindërit e mi. Unë jam OK. 

Adi Krasta. Më vjen shumë mirë. Unë, prindërit e tu dhe ne të gjithë jemi shumë krenarë jo pse jemi në kërkim të sensacionit por se ne e dimë se çfarë bëjnë këta. Ne e dimë se çfarë bëjnë, se çfarë i kanë bërë Shqipërisë! Ne e dimë ‘20-përqindshin’. Ne e dimë shkatërrimin e Tiranës për motive të përfitimit. Problemi është që nganjëherë gazetarët mbeten të vetmuar sepse shurdhimi i kakofonisë dhe i zhurmës së kundërshtarëve, për të na mbyllur gojën, ty e të tjerëve, është shumë i madh. Alba Kepi, të falenderoj me gjithë zemër për intervistën! 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco