Rama si Spiropali/ Ku mashtron kryeministri për pastrimin e parave

Rama si Spiropali/ Ku mashtron kryeministri për pastrimin e parave

13:41, 26/01/2021
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama u shfaq i nervozuar ditën e sotme në konferencën për shtyp, pas skandalit të rëndë të përgjimeve mafioze të Ndraghetës. Mes të tjerave, Rama deklaroi se problemi i pastrimit të parave është global, duke e relativizuar problemin.

Në këtë mënyrë ai u shfaq si Elisa Spiropali dhe të tjerët, që për çdo skandal apo problem, thonë se ai ekziston edhe në botë dhe për të bëhen filma.

Njësoj si Elisa Spiropali, e cila një ditë më parë në studion e Çim Peka LIVE deklaroi se Shqipëria është vend ku është shumë e vështirë të depërtojnë paratë e krimit, duke shkaktuar të qeshura në studio, edhe Rama tha se ligjet shqiptare e vështirësojnë pastrimin e parave. Rama tha se qeveria e tij është e gatshme që të financojë këdo që do të investigojë në këtë drejtim.

Por ku gënjen kryeministri Edi Rama për pastrimin e parave?

Zbardhja e përgjimeve të fundit të antimafies italiane, në fakt vetëm certifikoi atë që të gjithë shqiptarët e përjetojnë përditë. Një bum ndërtimesh dhe betoni përqendruar në kryeqytet, i cili nuk ka asnjë logjikë tregu, përveçse pastrimit masiv të parave të organizatave të krimit shqiptar dhe atij të huaj.

Operacioni i fundit dhe përgjimet e antimafies italiane, tregojnë se si “Ndragheta” kryen pastrim parash në bashkëpunim me biznesmenë shqiptarë dhe me vetë krerë të bashkisë së Tiranës e qeveritarë të lartë, të cilët ndihmojnë për lejet e ndërtimit pas ryshfeteve që shkojnë deri në 20%.

Ky hetim dhe këto përgjime kanë zgjatur për më shumë se 4 vite, nga 2016-ta, deri në ekzekutimin e dhjetëra arrestimeve dhe sekuestrimeve të shumta të kryera ditët e  fundit.

Por ajo që bie në sy është, se pikërisht në këtë periudhë ku sipas përgjimeve flitet për pastrim parash në fushën e ndërtimit nëpërmjet kullave gjigante në qendër të Tiranës, për leje ndërtimi, ryshfet dhe lidhjet me kryetarin Erion Veliaj, sipas fakteve dhe shifrave të institucioneve ndërkombëtare të specializuara, në kryeqytet është bërë nami, me beton dhe pastrim parash.

Kështu duhet të kujtojmë si fillim, se janë gati 3 milionë metër katrorë leje ndërtimi për 1,028 ndërtesa të reja që janë dhënë nga Bashkia Tiranë, sipas INSTAT, vetëm në harkun kohor 2017-2019 e cila (theksojmë) se përkon me operacionin e Ndragheta. Për ironi, teksa ndërtimet lulëzonin, kreditimi për këtë treg ulej dhe varfëria shtohej.

Ndërkohë sipas një raporti të Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar, rreth 60 për qind e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në këtë periudhë kohore në kryeqytet nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për 3 vitet janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro.

Në përgjime flitet pikërisht për kompani shqiptare të cilat kanë siguruar 3 leje ndërtimi për kulla në qendër të Tiranës, por që ju janë ofruar mafies italiane, që në këto projekte të pastrojnë plot 180 milion euro.

Tashmë është e certifikuar se Shqipëria konsiderohet si një nga vendet më problematik, për sa i përket pastrimit të parave.

Le të marrim vetëm Raportin e Moneyval për vitin 2019, i cili e riktheu Shqipërinë në “listën gri” të vendeve me nivel të lartë të riskut të pastrimit të parave. Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare të agjencive të specializuara të cilat monitorojnë pastrimin e parave, rezulton se Tirana renditet në krye të qyteteve ku më së shumti ushtrohet ky “aktivitet”.

Lidhur me këtë pastrimin masiv të parave në ndërtim në kryeqytet edhe opozita shqiptare dhe një pjesë e medias ka akuzuar sistematikisht kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj, për lidhje dhe favorizim të personave me të shkuar kriminale, të cilët janë shndërruar në përfituesit më të mëdhenj të lejeve të ndërtimit.

Që bashkia aktuale e Tiranës është kthyer në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave të pista nëpërmjet kullave gjigante që mbijnë kudo ku gjendet një hapësirë e lirë dhe madje pa pyetur për shkatërrimin e trashëgimisë historike-kulturore, kjo mund të shihet edhe me sy të lirë. Gjithashtu ky bum betoni sipas të gjithë ekspertëve të fushës, nuk ka as logjikë ekonomike e as kuptim e burim të ligjshëm financiar.

Nëse në vitin 2016, Shqipëria e Rilindjes vendosi një rekord global për kultivimin dhe trafikun e drogë, ai pasardhësi (2017-ta kur edhe del emri i Erion Veliajt në përgjimet e fundit të antimafies), u shënjua si viti rekord për lejet e ndërtimit.

Gjithashtu një raport i publikuar në fund të muajit gusht 2020 nga Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar, i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze, “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, tregoi një anë tjetër të medaljes që vërteton këtë operacion të krimit ndërkombëtar në Shqipëri.

Nga 141 kompani që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të larta sesa 6 kate në harkun kohor 2017-2019, 59% e tyre, nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato!

Sipas bilanceve të tyre, kompanitë kishin të ardhura minimale dhe nuk kishin as asete, as hua dhe as kompani të lidhura, që do tu mundësonin investime të tillë.

“Sipas bilanceve të këtyre kompanive, të ardhurat e tyre ishin minimale, dhe nuk kishin prona apo kredi që mund t’i lejonte që të kryenin investime të tilla. Sipas vlerësimeve tona, afërsisht 60 për qind e kësaj vlere vinte nga para të pista, afro 240 milionë euro”, shkruhet në këtë raport.

Kurse përfundimi i këtij studimi-raport është i frikshëm: Për 3 vite, 2017-2019, në kryeqytet janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro.

“Një ekspert i pastrimit të parave në Shqipëri vlerësoi se afro 500 milion euro u pastruan përmes sektorit të pasurive të patundshme në vitin 2019 në këtë mënyrë. Duke përdorur të njëjtën llogaritje për vitin 2017 dhe 2018 rezulton përkatësisht se u pastruan 320 milion dhe 570 milion €. Kjo e çon vlerësimin total të pastrimit të parave në 2017-2019 në 1.6 miliardë euro”, ka dhënë detaje ky raport.

Mjaftojnë këto pa folur për raportet e Departamentit të Shtetit për të kuptuar se të dhënat që dalin nga përgjimet e fundit të antimafies italiane ku tregohen planet e Ndraghetës për të pastruar qindra milion euro në ndërtim pikërisht në kryeqytetin shqiptar, janë brenda logjikës së një skeme gjigante të ngritur nga Rilindja dhe me ekzekutor direkt Edi Ramën, Erion Veliajn dhe kompani!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco