I doli emri në përgjime/ Ja çfarë thotë ‘Niku’ për bisedat me ‘Ndraghetan’ ku përmendet edhe Veliaj

I doli emri në përgjime/ Ja çfarë thotë ‘Niku’ për bisedat me ‘Ndraghetan’ ku përmendet edhe Veliaj

21:21, 25/01/2021
A+ Aa A-

Biznesmeni Besnik Halili, i shoqërisë GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k., ka folur për herë të parë pas përmendjes së emrit të tij si ‘Niku’ në përgjimet e Ndragheta-s. Në një intervistë për MCN TV në lidhje me përfshirjen e tij në përgjimet e bujshme, ai nuk i ka mohuar bisedat, ndërsa është shprehur se mbi emrin e tij po hidhet baltë. Më tej, ai pretendon se ka pasur oferta në lidhje me produktet që Antonio Gallo, injohur ndryshe si “Princi” tregtonte në Shqipëri por që akordi nuk është realizuar kurrë.

Edhe pse këmbëngul se nuk ka asnjë rol, në asnjë moment nuk mohon bisedat ku Halili pretendohet se është regjistruar teksa bisedon me Antonio Gallon, të njohurin si “Princi” i klanit mafioz dhe Brutto Saverion. ‘Niku’, siç edhe cilësohet nga italianët, premton gjetjen e një hapësire në Shqipëri për futjen e tyre në tregun vendas për ndërtimin e rrugëve dhe për shitjen e materialeve. Vetë Niku, shprehet se këtu tek ne është bërë monopol përsa i përket ndërtimit të rrugëve, por jo se nuk mund të bënte gjë për ta.

Intervista e plotë

Halili, emri juaj është përmendur në përgjimet e dala në media gjatë javës së shkuar. Cili është roli juaj në to?

Unë refuzoj në mënyrë absolute ndonjë rol në to. Jam përmendur nga të tjerë, por për sa më përket, mund të them se vetëm po hidhet baltë dhe po spekullohet me emrin tim.

Halili, përse thoni spekulime?

E ndiej të domosdoshme të sqaroj opinionin publik mbi këto trillime, që bëhen veçse për qëllime politike, sepse nuk ekziston asnjë lidhje mes emrit tim dhe personazheve të politikës. Në fakt mund të shtoj se nuk kam asnjë marrëdhënie pune apo miqësie me emrat e përmendur. Unë jam inxhinier dhe sipërmarrës në sektorë të ndryshëm. Që prej vitit 1996 mbuloj pozicionin e drejtorit të Shoqërisë GTS sh.p.k., pjesë e multinacionales italiane Sol Group, kuotuar në bursë dhe prezente në 29 vende të botës. Ne jemi furnizuesi kryesor qysh prej vitit 1996 i spitaleve publike dhe private në vend, dhe dua të shtoj që për këtë jam dhe personalisht krenar, sidomos për shërbimet e kryera gjatë pandemisë, ku shërbimi nuk u ndal asnjë moment. Jam krenar dhe për mbështetjen e grupit, dhe ritheksoj, operojmë në tregun shqiptar si furnizuesi kryesor në disa dekada.

Por në fakt, emri juaj përmendet dhe në lidhje me lejet e ndërtimit të Bashkisë së Tiranës.

Refuzoj kategorikisht çdo akuzë në këtë sens. Unë kurrë nuk jam marrë me ndërtim dhe asnjëherë nuk kam patur asnjë marrëdhënie biznesi me Bashkinë e Tiranës. Por gjithashtu as shoqëria që unë drejtoj nuk ka patur asnjë marrëdhënie me Bashkinë e Tiranës, sepse e tillë është natyra e punës që ne realizojmë. Nuk kemi patur asnjë rol në ndërtime të asnjë lloji.

Halili, a i keni njohur dhe a keni biseduar ju me personat që janë përgjuar nga Antimafia Italiane?

Marrëdhënia ime e biznesit me z. Gallo ka qenë zero. Nuk ka asnjë aktivitet me shoqërisë që unë drejtoj dhe biznesit apo bizneseve të z. Gallo. Kam patur oferta në lidhje me produktet që z. Gallo tregtonte, por që nuk janë realizuar. Kaq. Asgjë më shumë, asnjë biznes apo kontratë nuk na lidh. Çdo njeriu që merret me biznes mund t’i rastisë rëndom të diskutojë me sipërmarrës të huaj ose vendas, dhe unë nuk i paragjykoj ata. Kjo nuk më bën as ortak me ta e as më tepër bashkëpunëtor të aferave të tyre. Madje dhe oferten për veshje pune, arsye për të cilën e njoha, nuk e pranuam. Kaq janë faktet, të tjerat veçse spekulime.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco