Përgjimet e antimafias/ PD: Korrupsion galopant. Përpjekja e Ballës, patetike

Përgjimet e antimafias/ PD: Korrupsion galopant. Përpjekja e Ballës, patetike

11:51, 25/01/2021
A+ Aa A-

"Përgjimet e antimafias italiane janë një provë më shumë se Rama dhe njerëzit e tij shqetësohen vetëm për veten dhe jo për popullin shqiptar", deklaroi sot Partia Demokratike, pas skandalit të zbuluar nga Antimafia italiane të lidhjeve të organizatës mafioze Ndragheta me qeveritarët shqiptarë. 

Jorida Tabaku nga selia e PD-së hodhi poshtë edhe përpjekjen që krahu i djathtë i Ramës, Taulant Balla, tentoi sot për t'i adresuar faktet kokëforta tek opozita. 

Tabaku tha: "Këtë javë doli në dritë një korrupsion në shkallë të gjerë në Shqipëri. Korrupsion galopant i udhëhequr nga mafia dhe i ushtruar me miratimin e Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Janë 1000 faqe përgjime të antimafias italiane, ku përshkruhet mënyra sesi bëhen pazaret për tenderat, koncesionet, PPP-të dhe ndërtimet në Shqipëri.

20%-shi është pjesa për pushtetin e Edi Ramës, dëshmi e gjallë e asaj që po ndodh në Shqipëri prej 8 vjetësh.

Edi Rama hesht. Kukulla e tij në bashkinë e Tiranës ka mbyllur gojën. Arsyeja pse Rama nuk flet dhe Veliaj po shmang përgjigjet e vërteta dhe po justifikohet është e qartë për të gjithë. Ata e dinë se sa thellë janë futur në këtë biznes me mafian.

Ndërkohë që Rama dhe Veliaj janë të fokusuar në punët e tyre të pista me mafian, shqiptarët janë gjithnjë e më shumë të papunë, investitorët seriozë largohen, ekonomia e pjesës dërrmuese të familjeve shkon drejt rrënimit, mijëra të rinj e të rinj largohen nga vendi.

Kundrejt rryshfetit 20%, Edi Rama dhe kukulla e tij në bashki e kanë shndërruar vendin në një parajsë për pastrimin e parave, duke dhunuar ligjin dhe duke shkatërruar konkurencën.

Përgjimet e antimafias italiane janë një provë më shumë se Rama dhe njerëzit e tij shqetësohen vetëm për veten dhe jo për popullin shqiptar.

Ata po trefishojnë pasurinë e tyre, ndërsa ekonomia shqiptare po kolapson.  Ata bëjnë biznes me mafian në vend që të krijojnë vende pune për qytetarët. Ata hanë darka luksoze në Dubai, kur vendi është i përmbytur.

Mafia dhe pastrimi i parave nuk sjell vende pune, nuk prodhon mirëqenie, nuk ofron investime reale dhe të besueshme për ekonominë dhe qytetarët.

Mafia dhe lavatriçja e parave të pista prodhon vetëm shkatërrim, dhe mjerim për çdo familje që jeton me punë të ndershme.

Të dashur qytetarë! Këto 8 vjet të Edi Ramës në pushtet na kanë mësuar një gjë: Se kjo është një qeveri që kujdeset vetëm për vete dhe paratë e saj. Vëmendja dhe synimi i kësaj qeverie dhe i këtij kryeministri nuk është barazia apo konkurenca, por korrupsioni dhe monopoli.

Përpjekja patetike nga Taulant Balla nuk do të funksionojë. Kjo është ajo që ata bëjnë. Ata dështojnë. Ata korruptojnë. Ata marrin paratë tuaja dhe i fusin në xhepat e tyre.

Ne do ta ndryshojmë këtë! Në 25 prill historia e një qeverie që punon për 20%-shin e mafias dhe të korrupsionit do të marrë fund. Është koha për ndryshim! Ne do ta sjellim ndryshimin! Ne do ta shpëtojmë vendin nga mafia, nga Rama, nga kukulla e tij në Bashkinë e Tiranës dhe nga miqtë e tyre. Ne do të ndërtojmë një qeveri që kujdeset për qytetarët e Shqipërisë".
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

cak25/01/2021 13:55

Tani e ka rradhën Tao Palla për tja nxjerrë lidhjet me mafien e drogës, që nga Bego, Rajat e deri tek Toyota Yaris

Shto koment

Denonco