Fiton të paktën 76 mandate/ Pse kryeson Opozita në sondazhe

Fiton të paktën 76 mandate/ Pse kryeson Opozita në sondazhe

11:00, 23/01/2021
A+ Aa A-

Këtë javë 4 sondazhe kanë qenë tema më e fortë e debatit politik në vend. Të dhënat e një sondazhi të papublikuar, duket se u konfirmuan nga dy studime që tregojnë se Opozita fiton dukshëm zgjedhjet e 25 prillit, dhe kryeson me 52-53 për qind. Gazeta MAPO bën një përmbledhje të këtyre konkluzioneve dhe analizon shkaqet e mundshme.

Nuk janë të pakët ata zgjedhës që megjithëse e kanë vendosur se për kë do të votojnë, sërish stepen ta deklarojnë. Janë kryesisht votues që do të votojnë për opozitën, por frika se mund të humbasin ndihmën ekonomike, kempin, apo bonusin e qirasë që marrin si pasojë e tërmetit bën që të mos e shprehin publikisht, sidomos në qytetet e vogla ky fenomen është dhe më i theksuar, dhe MAPO sot sjell perceptimin e Cërrikut dhe Shijakut. Në dy sondazhe të transmetuara javën e kaluar më shumë se 52% deri në 53% e shqiptarëve kanë deklaruar se do votojnë Bashën për kryeministër të vendit. PD nga ana e saj, ka nisur në terren grupet e intervistuesve dhe futjen e programit Cavassing, që ka si qëllim jo vetëm skanimin e orientimit të votës, por dhe shpjegimin e programit dhe dhënien e mesazhit për qeverisjen e ardhshme.

Vetëm 92 ditë para zgjedhjeve sondazhet serioze flasin qartë për një fitore të opozitës, dhe se kryeministri i ardhshëm do jetë Lulzim Basha. Flame Tree Advisors, në një sondazh me katër mijë të intervistuar dilte në përfundimin se Bashën e duan si kryeministër të paktën 52 % e shqiptarëve. Një tjetër sondazh i zhvilluar nga IPR marketing, fliste për 53 % të shqiptarëve që kërkojnë ndryshimin. Një tjetër sondazh i papublikuar, i kryer nga një kompani serioze (gazeta MAPO e disponon por ruan të drejtën e autorit) flet për rreth 76 mandate të fituara nga opozita, ose 54% të zgjedhësve, dhe që garanton fitoren në disa qarqe të cilat vetë e majta i konsideron si bastione të saj. Faktin e bëri të ditur dhe gazetari Bledian Koka i Syri.net gjatë një debati që pati me ministren Spiropali në TV Ora.

*

Çfarë do të ndodhë nëse Rama merr një mandat të tretë? Kësaj pyetjeje me optimizëm nuk di t’i përgjigjet as mendja e militantit më të thekur. Rëndom dëgjon shprehjen e pashpresë së në rast të një fitoreje tjetër të rilindjes, shumëkujt s’i ka mbetur tjetër vetëm se të bëjë gati valixhet dhe të kërkojë një jetë më të mirë diku tjetër. Shqipëria ka nevojë ulëritëse për ndryshim, në rast se kërkon të mbajë këtu pjesën e njerëzve më aktivë, në rast se nuk do të shndërrohet në një vend të plakur e të mpakur, ku prindërve do u mungojnë bijtë dhe gjyshërve nipat.

Në rast se do kthejmë kokën për të parë punën e pushtetit, atëherë kemi të bëjmë me një bilanc i cili rezulton i frikshëm. Një qeveri që mban rekord për rritjen e borxhit dhe thellimin e hendekut të pabarazisë. Kjo s’do të thotë as më shumë e as më pak, por taksat e shqiptarëve së bashku me borxhet që ata duhet t’i paguajnë ndër vite kanë shkuar në pak duar, kryesisht të miqve të qeverisë. Rëndom i quajmë oligarkë, por ata as oligarkë nuk janë. Në fund të ditës dhe oligarku më i keq, jep diçka për vendin e tij. Janë thjesht një grup njerëzish, që po zhvatin çdo gjë në këtë vend. Para publike, troje në zonat urbane dhe bregdetare me anë të prokurimeve të kërkuara e të pakërkuara, të suportuar fort në këtë garë vjedhjesh me anë të mashtrimit nga ligjet e një qeverie të kapur, dhe të një parlamenti për turp. Shqipëria ka prekur fundin dhe rrotacioni i pushtetit në zgjedhjet e 25 prillit është më shumë se i domosdoshëm.

*
Qytetarët e këtij vendi e kanë kuptuar këtë. Sondazhet që po zhvillohen nxjerrin dukshëm problemet, që lidhen me ekonominë dhe korrupsionin. Këtë s’mund ta mohojnë as bubuzhelët e pushtetit që mbijnë në çdo studio, me lloj-lloj pretekstesh qesharake për liderin e opozitës. Këtij inkursioni i është bashkuar dhe Kryeministri të cilit dëshpërimisht s’i ka mbetur gjë tjetër vetëm se të inaugurojë tetë herë një kopsht në Vorë. Kjo për të na u shfaqur si njeri i punës, dhe për të bërë krahasimin me atë që do vijë. A thua se e gjithë sinergjia e tetë viteve qeverisje, vendimi i shqiptarëve se çfarë do bëjnë me jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, varet nga mbarëvajtja e punimeve të kopshtit “Muçaj”.

*
E megjithatë, duket se vota e 25 prillit do jetë dukshëm një votë revolte, e cila do tejkalojë dhe spërdredhjet me Kodin Zgjedhor apo manipulimet që do tentojë të bëjë qeveria. Informacionet që na vijnë nga qarqe të ndryshme të vendit bëjnë të ditur se shumë prej qytetarëve kanë frikë të deklarojnë votën e tyre haptazi, për një mori arsyesh. Ndërprerje e ndihmës ekonomike, ndërprerje KEMP-i, apo dhe për shkak se ndonjë i afërm i tyre mund të jetë i punësuar në shtet. Por gjithsesi, me zë të lartë apo nën zë ata duan ndryshimin.

SONDAZHET
52 për qind e shqiptarëve duan Bashën kryeministër

E kemi thënë dhe më parë se Kryeministri njihet si ndjekës frenetik i sondazheve. Por 92 ditë para zgjedhjeve të gjitha të dhënat tregojnë se kryeministër i ardhshëm do jetë kundërshtari i tij Lulzim Basha. Mungesa e bilanceve ka bërë që të ndjekë një fushatë negativiste që s’po ngjit askund. Një sondazh paraelektoral i zhvilluar nga kompania angleze Flame Tree Advisors, me katër mijë persona të intervistuar ka nxjerrë Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve të 25 prillit. Drejtori i Flame Tree Advisors Adlej Pici, u shpreh në Syri TV, ku u publikuan rezultatet se ky është nga sondazhet më kapilar, pasi jo vetëm personat janë intervistuar ballë për ballë, por kampionet janë përzgjedhur në çdo qark të Shqipërisë.

Pici thotë se në çdo rast një sondazh e ka një gabim prej plus minus katër për qind. Në 52 për qind të tyre të intervistuarit mendojnë se do jetë Basha Kryeministër, ndërsa 38% besojnë se Rama do jetë Kryeministër pas zgjedhjeve të 25 prillit. 10 për qind të tjerë kanë refuzuar të përgjigjen. Shqiptarët sipas sondazhit besojnë se Edi Rama ka bërë një punë të keqe në 39% të të intervistuarve, dhe një punë të dobët në 26 për qind të tyre, ose në total 64% janë të pakënaqur me punën e qeverisë. Sondazhi i Palm Tree Advisors, i zhvilluar në muajt nëntor-dhjetor pasonte një tjetër sondazh të papublikuar të zhvilluar në muajt shtator-tetor, nga një tjetër kompani ndërkombëtare. Disa të dhëna të tij i bëri publike gazetari i Syri TV, Bledian Koka në një përballje publike me ministren e qeverisë Rama, Elisa Spiropali, e cila nga reagimi dukej që kishte dijeni në lidhje me të dhënat. Koka tha se opozita në këto zgjedhje fiton deri në 76 mandate kundrejt mazhorancës. Ndërkohë, nga interesimi i MAPO, për këtë sondazh rezulton se mazhoranca ka një gropë të madhe votash sidomos në bastionet e saj, siç është Fieri p.sh. ku vihet re një braktisje e madhe e elektoratit të PS dhe në rast se vërtetohen të dhënat e sondazhit atëherë rezultati përfundimtar në këtë qark mund të jetë surprizë.

IPR Marketing
Sondazhi i tretë i kryer është ai i IPR marketing i drejtuar nga Antonio Noto, dhe që ka rezultuar nga sondazhet me një rezultat më të përafërt në zgjedhje. Sipas asaj çka u transmetua në TV Ora në mbrëmjen e 19 janarit, opozita rezulton fituese me një minimum prej 54 për qind të votave kundrejt 46 për qind të së majtës. PD rezulton me një rritje të paktën prej 8 për qind në krahasim me vitin 2017. Të dhëna interesante, u dhanë dhe për Tiranën dhe Durrësin. Në Tiranë rezulton fituese me të paktën 52 për qind, ndërsa në Durrës rezulton fituese deri në 57 për qind të votave.

Çka do të thotë që nga 14 deputetë që ka ky qark minimumi 8 prej tyre i merr opozita. Nga ana tjetër një e dhënë interesante ishte dhe perceptimi i të intervistuarve për zgjedhjet ku 84% prej tyre i shikojnë ato si tejet të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Një tjetër e dhënë që të çon në përfundimin se zgjedhjet e 25 prillit do kenë një pjesëmarrje të konsiderueshme. Vlen për t’u theksuar fakti se IPR marketing ka qenë kompania e cila i është afruar më shumë rezultatit për dy zgjedhje parlamentare 2013-2017. I vetmi sondazh që paraqiste një fitore anemike të mazhorancës ishte ai i kompanisë greke MRB i transmetuar në televizioni euronews. Opozita e Bashkuar sipas këtij sondazhi do të fitonte 42.7% të votave kundrejt 44 % të mazhorancës.

Në fakt sondazhi duhet theksuar se kishte disa kontradikta në hartimin e tij. Fjala vjen, opozitën e nxjerr në të njëjtat nivele si ato të vitit 2017 pra rreth 28%. Ndërkohë që sheh me tkurrje PS-në, por gjithsesi në nivelet e 41% aq sa e nxjerrin dhe sondazhet e tjera. Me tkurrje nxjerr dhe LSI-në me rreth 5 % dhe PDIU-në me rreth 3% , ndërsa parti si PBDNJ, PAA apo PR nuk i llogariste fare në sondazhin e saj, megjithëse dihet pesha e tyre në qarqe të caktuara të vendit.

Kontradikta tjetër, qëndronte në faktin se rreth 64% e shqiptarëve shikonin si problem papunësinë, korrupsionin dhe shpopullimin e vendit nga emigracioni, pra afërmendsh akuzojnë qeverinë për të gjitha këto. Në asnjë moment sondazhi nuk dha të dhëna se nga shkon vota e të pakënaqurve, qofshin këta të PS-së, LSI-së apo PDIU-së, kur dihet se votuesi tradicional nuk i braktis kurrë zgjedhjet. Këto rezultate vijnë në një kohë që të pavendosurit sipas sondazhit ishin vetëm 16 %, ose rreth 50 më pak se rezultatet e nxjerra nga sondazhet e mëparshme. Sondazhi, ishte zhvilluar në një kohë rekord prej 23 ditësh, nga data 20 dhjetor deri më 13 janar, ndërkohë që çdo kompanie i janë dashur të paktën dy muaj për të zhvilluar një sondazh me pyetje ballë përballë.

Varfëria, qytetarët të frikësuar se mund të humbasin ndihmën ekonomike

Ibri Sako është një nga vullnetarët dhe përgjegjës grupi i PD për zgjedhjet në qytetin e Cërrikut. Bëhet fjalë për udhëzimin më të fundit të kryetarit Basha për anëtarësinë për të dorëzuar pyetësorët dhe prezantuar programin derë më derë te votuesit. I pyetur nga gazeta MAPO rreth situatës në terren, ai shprehet se gatishmëria për të votuar ndryshimin është dhe më e madhe se ajo që nxjerrin sondazhet. Por njerëzit, stepen të shprehen. Në fakt, Cërriku ka votuar rëndom majtas, dhe e djathta vetëm në pak raste ka fituar në zgjedhjet lokale atje më së shumti për merita të kandidatëve. Por Sako, shprehet se situata ka ndryshuar ndjeshëm. Cërriku vuan papunësinë dhe shumica e njerëzve aty trajtohen me ndihmë ekonomike.

“Ka shumë njerëz që na përkrahin, por gjithsesi vihet re një lloj stepjeje, kjo për disa arsye. Kanë frikë se po i panë me ne mund t’u heqin ndihmën ekonomike, apo kempin për paaftësi në punë. Gjithsesi, nga bisedat me ta ata kërkojnë të dinë se çfarë do bëhet sepse litari është shtrënguar aty ku nuk mban më”, thotë Sako. Një gjë të tillë e shprehu dhe Sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi njëkohësisht dhe drejtues i qarkut të Elbasanit gjatë një interviste për Ora News, kur tha se megjithëse sondazhet nxjerrin fitues opozitën sërish ato nuk paraqesin realitetin, pasi rezultati mendohet të jetë më i thellë.

“Ai rezultat për PS-në reflekton edhe frikën e njerëzve për të deklaruar votën. Dua të them një eksperiencë personale në Elbasan. Kudo ku shkoj ka njerëz që fshihen dhe kanë frikë të dalin në foto se i kërcënojnë me ndihmë ekonomike. Në çdo fshat të Elbasanit, më ngrihet shqetësimi që banorët që marrin ndihmë ekonomike, kërcënohen nëse vijnë në takimet e PD-së apo votojnë për ne, do t’u ndërpritet kjo ndihmë. Në rezultatet e sondazhit, qytetarët nuk e dinë nëse është përfaqësuesi i qeverisë, i RTV Ora apo dikush nga PS” thotë Bardhi.

Sistemi Cavassing
PD në këto zgjedhje do të aplikojë sistemin Cavassing. Është një sistem të cilin Basha e përdori në një farë mënyre dhe në zgjedhjet e vitit 2011 kur fitoi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës. Por çfarë është ky sistem. Ka të bëjë me faktin se një kandidat politik mund të ketë idetë më të mira të politikës, një personalitet dinamik dhe stilin e udhëheqjes, një busull moral të fortë dhe një etikë të jashtëzakonshme pune por asnjë nga këto tipare nuk do ta bëjë atë të zgjedhur pa ndërgjegjësimin dhe veprimin e votuesve. Gjithashtu sistemi Cavassing është një projektues më i saktë i votës, pasi të dhënat e mbledhura nga grupet në fund të ditës hidhen në sistem dhe në ditën e zgjedhjeve forca politike që ka zhvilluar këtë sistem ka një ide të numrit të votave për çdo ZAZ që do të marrë ditën e zgjedhjeve. Kjo formulë rezultoi e suksesshme në vitin 2011 çka solli dhe fitoren e Bashës në zgjedhjet lokale për bashkinë e Tiranës.

Shijaku
Stepja vihet re dhe dukshëm dhe në qarqet apo qytetet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Gazeta MAPO, në reportazhin e datës 9 nëntor me titull “Mashtrimi me Shijakun, çfarë po ndodh me ngritjen e 567 banesave” e evidentoi nga afër këtë fakt. Të frikësuar se mund t’u pritet pagesa e bonuseve të qirasë, ata stepen ta deklarojnë votën hapur. “Në qendër të vëmendjes tashmë është propaganda, për punët e pakryera kurrë. Është shndërrimi i Shijakut në qytet të frikës, ku njerëzit kërcënohen përditë me shtëpitë e tyre, me mosdhënien e bonusit, me bukën e gojës, me varfërinë.

Do vazhdojë dhe gjatë fushatës elektorale, ku regjitë e komanduara do vijojnë të shtohen. Rindërtimi po përdoret fort për propagandë, dhe Rilindja e di fort mirë se kjo është diçka shumë e ndjeshme. Mundohet të eklipsojë situatën dhe të shfaqë një realitet tjetër që nuk ekziston. Ashtu si në Kombinat, edhe në Shijak frika mbizotëron kudo, saqë duket sikur zonat e prekura nga tërmeti kanë bërë betimin e mbylljes së gojës ose “omerta”-n e famshme Siçiliane. Ata kërcënohen çdo ditë. Shohin çdo ditë se si militantët e partisë shpërblehen me paratë që duhet t’i merrte tjetër, dhe sërish nuk flasin. Duke mos folur ata kanë një shpresë se një ditë do kenë një banesë”, shkruan MAPO. Një fakt të tillë na e konfirmon dhe kryetari i grupseksionit të këtij qyteti Ilgner Vora, i cili shprehet për MAPO se pakënaqësia ka arritur kulmin, por njerëzit kanë frikë se çdo ditë monitorohen nga militantët e PS-së, të angazhuar në Bashki, Tatime dhe kudo tjetër. “Gjendja është e mjerueshme, por njerëzit kanë frikë të flasin hapur se mund të humbasin gjithçka, gjithsesi ngado shikohet revolta e tyre ndaj qeverisë dhe ndihet nevoja për ndryshim. Këtë ta deklarojnë në çdo bisedë me ta, në çdo takim. Mos harroni, se këtu kemi një kryetar bashkie që kontrollon çdo moment jetët e tyre, dhe një kryeministër që ngeli thuaj çdo tre ditë në zonën e Shijakut”, na thotë Vora, i cili shton se së shpejti do fillojë dhe atje takimet derë më derë me votuesit sipas udhëzimit të PD-së./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Gj 23/01/2021 11:23

pse fiton opozita,po eshte zkandaloze,,te fitoj Edi rama ,me gjithe kete varferi qe i beri vendit,eshte per budallain ,kur do te vij ai cast mos ta shof se kur del ai ne tv.un nderroj kanal ,,direkt.

Shto koment

Denonco