Qeveria hesht/ Ademi ngre alarmin për përmbytjet: Sillni ndihma! Ademi sot nga zonat e permbytura

Qeveria hesht/ Ademi ngre alarmin për përmbytjet: Sillni ndihma!

11:32, 22/01/2021
A+ Aa A-

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, i ka bërë thirrje qeverisë të ndihmojë zonat e përmbytura me bazë ushqimore për blegtorinë, në kushtet kur pritet të rifillojnë shirat dhe të përkeqësohet situata.

Në një thirrje nga fshatrat ende nën ujë sot të Shkodrës, Voltana Ademi ka akuzuar se përmbytja e zonave rurale është pasojë e shkarkimeve të ujit nga hidrocentralet.

“Nuk kemi asnjë përgjigje për furnizimin e kërkuar për bazë ushqimore për gjënë e gjallë në zonat e përmbytura, - tha Ademi. -  Me rifillimin e reshjeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës, të cilat parashikohet të vazhdojnë disa ditë, vështirësohet situata për banorët, fermerët dhe gjënë e gjallë.

Sot, sipërfaqja nën ujë është 738 hektarë dhe sipas parashikimeve pritet të rritet në datat 22- 26 janar. Problemi kryesor vazhdon të mbetet furnizimi me koncentrat, sanë - ushqim për gjënë e gjallë.

Që me datën 14 janar 2021 kemi dërguar kërkesën në Institucionin e Prefektit të Qarkut për ushqim për gjënë e gjallë në territoret e përmbytura. Kemi kërkuar 156 ton koncentrat për plotësimin e nevojave për 10 ditë, për rreth 2550 krerë gjedhë, rreth 2720 krerë të imta dhe rreth 760 krerë derra.

Deri tani, nuk ka asnjë reagim nga institucionet shtetërore për sigurimin e ushqimit. Është një detyrim i Ministrisë së Bujqësisë sigurimi i koncentratit për gjënë e gjallë, teksa përmbytja është pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet.

I bëj thirrje Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Prefekturës Shkodër, Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile që t’i përgjigjen nevojës të komunitetit për ushqim për gjënë e gjallë. Kjo situatë do të vazhdojë për disa javë deri në tërheqjen e ujit, me pasoja të rënda për kulturat bujqësore, ndër të cilat edhe ato që përdoren si ushqim për blegtorinë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco