Haradinaj një `Rambo` në luftë e në paqe, që synon presidencën

Haradinaj një `Rambo` në luftë e në paqe, që synon presidencën

10:20, 21/01/2021
A+ Aa A-

Ramush Haradinaj është vetë-ofruar si kandidat për president të Kosovës, i cili do të zgjidhet nga parlamenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Një komandant emërmadh i UÇK i cili ka bërë marrëveshje i pari me Ibrahim Rrugovën e më pas edhe me Thaçin, pasi ka qenë dy herë kryeministër, tani kërkon që të jetë në kye të shtetit si një figurë gjithëpërfshirëse dhe pajtuese, në skenën e trazuar politike të Kosovës.

Por kush është Ramush Haradinaj?

Për shumicën e shqiptarëve në Kosovë e gjithë viset e tjera, portreti i tij është skalitur si ai i heroit që lufton dhe nuk bën kurrë kompromis për atdheun dhe idealet e tij. Nga ana tjetër për serbët ai vizatohet si një terrorist i cili ngelet në listën e tyre të zezë, edhe sot e kësaj dite.

Fëmijëria dhe rinia

Haradinaj lindi në fshatin Gllogjan më 3 korrik të vitit 1968, si fëmija i dytë nga 9 të tillë në familjen e tij. Vetë ai këtë periudhë e përshkuan si një nxënës i shkëlqyer në shkollë, por edhe problematik ndër sherret mes fëmijëve. Kur ishte 12 vjeç ai tregon se shkoi i pari në odën ku ishin mbledhur burrat dhe me entuziazëm e gëzim, ju dha lajmin e vdekjes së Marshallit Tito.

Pasi përfundoi shkollën fillore në Irzniq dhe shkollën e mesme në Deçan dhe Gjakovë në vitin 1987, ai kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Ushtrinë Popullore Jugosllave, ku për hir të aftësive të veçanta  u promovua deri në komandant toge. Pas ushtrisë, Haradinaj, fillimisht synoi që të studionte fizikë- astronomi në universitetin e Prishtinës, në atë kohë të udhëhequr nga serbët, por për shkak se disa nga anëtarët e familjes së tij kishin pasur probleme me autoritetet, kjo gjë nuk ju mundësua.

Pas kësaj ai emigroi në Lucern të Zvicrës, ku së bashku me xhaxhanë e tij e krijuan një biznes ndërtimi. Gjatë një rikthimi në Kosovë, në mars të vitit 1991, Haradinaj, u përfshi nga vala e protestave dhe kryengritjeve që po ndodhnin në këtë krahinë dhe veçanërisht në vendlindjen e tij, kundër ligjeve të ashpra anti-shqiptare të vendosura nën kujdesin direkt të Sllobodan Millosheviç.

Haradinaj u mbajt në paraburgim për një natë dhe menjëherë pas lirimit, ai u kthye në Zvicër ku iu dha edhe azili politik. Por edhe në ekzil ai ndiqte zhvillimet e vrullshme në Kosovë dhe nisi aty aktivitetin anti regjimit serb.

Angazhimi në çështjen e Kosovës

U bë pjesë e Lidhjes Popullore të Kosovës, (LPK) një grup radikal patriotik ky i shqiptarëve emigrantë me banim në Zvicër, të cilët u bënin thirrje shqiptarëve të përdorin çdo mjet, përfshirë edhe kryengritjen e armatosur, për të siguruar pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë në planin personal, Haradinaj, krijoi një lidhje dashurie me një finlandeze me të cilën filloi të bashkëjetonte.

Herë pas here ai kthehej në Kosovë ilegalisht duke kaluar nëpër male nëpërmjet Shqipërisë dhe duke bërë edhe transport armësh, për celulat e para luftarake të cilat ishin bërthama e UÇK.

 Në mars të vitit 1997, ndërkohë që Shqipëria ishte përfshirë nga trazira të mëdha civile, Haradinaj së bashku me disa bashkëpunëtorë mes të cilëve edhe i vëllai Luani, nisi grumbullimin dhe transportin masiv të armëve sidomos pas shpërthimit të depove të ushtrisë shqiptare.

Në maj të vitit 1997, duke transportuar një ngarkesë me armë në këmbë nga kufiri, grupi i Haradinajt ra në një pritë të ushtarëve serbë. Vëllai Luani u vra, kurse një person tjetër u plagos rëndë.

Kujtohet si një ngjarje epike rikthimi i Ramush Haradinajt në territorin e Shqipërisë  mes ndjekjeve të ushtarëve serb, duke mbajtur për kilometra të tërë mbi shpinë, trupin e vëllait të tij.

Gjithsesi ai do të rikthehej 2 muaj më vonë. Sërish nga Shqipëria kapërceu sërish malet për të shkuar në Kosovë ku themeloi bazën e tij luftarake në fshatin e lindjes, Gllogjan.

E shndërroi shtëpinë e familjes në bazë të UÇK-së dhe ndihmoi në ndërtimin e ushtrisë guerile të rajonit të Dukagjinit, duke e transformuar nga një grup të paorganizuar djemsh të rinj, në një force ushtarake të disiplinuar që do të trondiste regjimin serb.

Betejat me UÇK

Në mars të vitit 1998, gjatë një operacioni të gjerë për të eliminuar UÇK-në, trupat serbe ndërmorën një sulm në bazën rebele të Haradinajt në Gllogjan, duke përdorur armatim të rëndë si helikopterë, makina të blinduara dhe civilë shqiptarë si mburoja të gjalla. Pas një lufte të ashpër, grupi i shqiptarëve i udhëhequr nga Haradinaj e çau rrethimin kurse ai vetë u plagos rëndë.

 Pas kësaj beteje, emri i tij do të bëhej gati legjendë në Kosovë dhe njëkohësisht u fut në listën e më të kërkuarve, për tu eliminuar nga trupat pushtuese serbe.

Më pas, Haradinaj do të humbte edhe një vëlla tjetër në luftime dhe disa prej shokëve të tij më të ngushtë. Ndërkohë që UÇK po shndërrohej në një forcë të vërtetë të organizuar luftarake, Haradinaj, mori nofkën “Rambo” dhe fitoi reputacionin absolute të një luftëtari që di tu tregojë vendin serbëve.

Në krahinën e tij edhe sot përdoret shprehja: Për politikë kemi plot, por nëse kthehet Serbia kemi Ramushin!

Gjatë kësaj periudhe ai lidhi marrëdhënie specifike me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara, të cilët ndërkohë kishin nisur të interesoheshin dhe monitoronin UÇK-në.

`Rambo` edhe në paqe e politikë

as luftës ai nuk la për asnjë moment pas dore, arsimimin e mëtejshëm. Ramush Haradinaj është diplomuar për Juridik në Universitetin e Prishtinës gjatë viteve 2001 – 2004 si dhe ka kryer master në shkencat e shërbimit menaxhues, në universitetin teknologjik Roçester, Shba.

Por as në liri, “Rambos” nuk do ti ndaheshin telashet. Pala serbe ndër të parët dhe të akuzuarin kryesorë për krime lufte dhe terrorizëm, ka pasur sistematikisht Ramush Haradinajn, gjatë luftës dhe sot e kësaj dite.

Gjithashtu edhe Gjykata e Hagës ka ngritur tre herë akuza ndaj tij, por ai ka dalë i pafajshëm. Nga të dyja palët ai është akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e rreth 40 civilëve serbë, por për këto të ashtuquajtura krime lufte kanë rezultuar blof në tribunalin e Hagës.

Pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, Haradinaj, u zgjodh Zv. Komandant i Trupave për Mbrojtjen e Kosovës (TMK) me gradën Gjeneral Major. Por shpejt ai do jepte dorëheqjen nga ky post ushtarak për të themeluar forcën politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Me një emër të madh nga lufta, i preferuar nga ndërkombëtarët dhe me një anglishte e frëngjishte të rrjedhshme, ai përveç çështjes së pavarësisë fliste më së shumti për një Kosovë të standardeve perëndimore, me shkolla e infrastrukturë moderne.

Gjithsesi partia e tij në zgjedhjet e radhës mbeti gjithmonë pas LDK, PDK dhe më vonë Vetëvendosjes, edhe pse ka qenë shpesh vendimtare në ekuilibrat politik dhe qeverisës në Kosovë, siç edhe shpreson të dalë  edhe pas këtyre zgjedhjeve të parakohshme të 14 Shkurtit me synimin e një marrëveshje për postin e presidentit.

Pasi zhveshi uniformën dhe u fut në politikë, Haradinaj, pati ndryshime edhe në planin personal. U nda nga e dashura e filandeze dhe u martua me gazetaren Anita Muça. Ata tashmë janë prindër të tre fëmijëve. Pavarësisht jetës së tij të vrullshme dhe shpesh me incidente të rënda, “Rambo”, ka mbetur një nga politikanët më popullorë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e më gjerë ku jetojnë shqiptarë.

Pas zgjedhjeve të vitit 2004, AAK e udhëhequr nga ai hyri në koalicion me Rugovën dhe Haradinaj u zgjodh kryeministër i Kosovës. Por vetëm 100 ditë më pas dha dorëheqjen, pas një thirrje nga Gjykata e Hagës.

Në vitin 2008 u shpall i pafajshëm, por ai do të thirrej nga kjo gjykatë sërish në 2012 dhe sërish ai u shpall i pafajshëm. Në 9 shtator të vitit 2017 pas një koalicioni me PDK e Hashim Thaçit, ai do të zgjidhej sërish kryeministër, për 22 muajsh rresht, por dha dorëheqjen në korrik të vitit 2019 pasi u thirr për herë të tretë në Gjykatën e Hagës.

Ashtu si në luftë, gjatë qeverisjes së parë edhe në këtë të dytën, Ramush Haradinaj e justifikoi epitetin “Rambo”. Ai do të mbahet mend si kryeministri që mori vendime të forta kundër Serbisë duke vendosur taksën 100% ndaj mallrave serbe, e cila mbeti në fuqi deri në ditën e fundit që drejtoi qeverinë, edhe pas presionit të fortë të BE dhe SHBA.

Haradinaj gjithashtu, ndryshe nga shumica e lidershipit kosovar doli hapur dhe publikisht kundër prapaskenave Vuçic-Thaçi- Rama, me rastin e planit për shkëmbimin e territoreve të Kosovës me Serbinë. U përplas me kryeministrin e Shqipërisë edhe për taksën në samitin e Berlinit, si dhe për çështjen e mini-shengenit. Edi Rama madje hapi proces gjyqësor kundër tij, në kohën kur ishte ende kryeministër, por Haradinaj nuk i hoqi asnjë presje deklaratave dhe ai që u tërhoq në fund ishte Edi Rama.

Një nga arritjet më të mëdha të “Rambos” në pushtet dhe në kohë paqeje, do të ishte kontributi i tij në shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës të varura më së shumti nga ndërkombëtarët, në një ushtri të mirëfilltë të Republikës. Fjalimin emocionues të dorëheqjes së fundit nga posti i kryeministrit, ai do ta mbyllte me fjalët:

“Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufij”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Arberi 21/01/2021 16:02

Ramushi duhet zgjedh President i gjithe Shqiperise

Shto koment

Denonco