Tokat e jugut – Si po grabiten 16 milionë metra bregdet

Tokat e jugut – Si po grabiten 16 milionë metra bregdet

09:36, 21/01/2021
A+ Aa A-

Banorët e bregut të jugut refuzohen të regjistrojnë pronën e tyre që e kanë të trashëguar ose të marrë në bazë të ligjit. Burime për MAPO shprehen se në lojë ka hyrë dhe avokatura e shtetit. Në vitin 2018 qeveria kaloi në pronësi të Ministrisë së Turizmit 16 milionë metra katrorë bregdet që nga Vlora deri në Ksamil, duke injoruar certifikatat e pronësisë, qofshin këto të përfituara me trashëgimi apo në bazë të ligjit. Si po shpronësohen me ligj banorët e zonave Vlorë, Dhërmi, Shën Vasil, Lukovë, Sarandë e Ksamil, të cilët do kompensohen me vlera qesharake në tokat ku do ndërtojnë “investitorët strategjikë”.

Në rast se ke një pronë në jug, të përfituar sipas ligjeve në fuqi apo të trashëguar është e pamundur ta regjistrosh në zyrat e hipotekës, pavarësisht se ka nisur regjistrimi fillestar i proklamuar me aq bujë nga qeveria vitin e shkuar, kur të gjitha institucionet i kaloi në dorë të kadastrës dhe drejtorit Artan Lame. Në qershor të këtij viti Lame u prit me protesta nga banorët e Shën Vasilit në Sarandë, gjatë tentative të tij për të shpjeguar procesin. Në fakt, Lame u shtroi si alternativë atyre që regjistrimi të bëhej vetëm për shtëpitë ku kanë tokat dhe jo pronat në bregun e detit. Po atë vit, banorët e kësaj zone janë refuzuar të regjistrohen në ZVRPP e Sarandës për tokat që kanë përfituar në bazë të ligjit, pasi në bazë të një vendimi të vitit 2018 e gjithë vija bregdetare ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Turizmit.

Plani

Gazeta MAPO u interesua për këtë çështje, dhe mësoi se më të favorizuar në këtë çështje janë ata që ndërtojnë resorte turistike. Duket se ka qenë një plan i hershëm i qeverisë shqiptare, për të grabitur tokat e jugut, pasi menjëherë pas ardhjes në pushtet nxori një sërë ligjesh në disfavor të pronarëve që kanë trashëguar tokat por dhe atyre që kanë Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi. Në vitin 2014, miratoi ligjin për investimet strategjike dhe turizmin, me anë të të cilit kush ndërtonte hotele në një vlerë të caktuar në bregdetin e jugut cilësohej si investitor strategjik dhe i viheshin në dispozicion pronat shtetërore atje.

Më pas dhe ligjet e tjera shkonin në funksion të kësaj lëvizjeje, dhe përherë kishin si target tokat që kanë përparësi zhvillimin e turizmit ose tokat në bregdet. Në vitin 2015 u ngrit një task-forcë për verifikimin e pronave në jug të vendit, ndërkohë që me anë të një vendimi qeveria anuloi regjistrimin në hipoteka të të gjithë pronarëve që kishin AMTP apo dhe certifikata të vitit 1926. Në krye të task-forcës për këtë çështje u vendos Alket Hyseni, kandidat për deputet në qarkun e Vlorës i cili më pas do akuzohej për përvetësimin e 11 mijë metrave katrorë në bregdetin e Dhërmiut. Çështja u regjistrua te krimet e rënda dhe akuzat vinin nga familja Bua në Himarë. Rrjeti investigativ Birn shkruan se firma e Alket Hysenit do të përfitojë nga marrëveshja rreth 1.100 metra ndërtim me një vlerë tregu prej 1.1 milionë metra katrorë.

Image

Skema

Por ajo që nuk u jepet banorëve atje u jepet me përparësi pronarëve, nga gjykatat të cilat tashmë janë vendosur nën urdhrat e qeverisë. Burime të MAPO shpjeguan dhe skemën se si bëhet vjedhja e pronës, duke angazhuar dhe ushtrinë e avokaturës së shtetit. Ndërtuesi që përgjithësisht është i afërt me qeverinë si të gjithë ata që kanë ndërtuar në breg të jugut, fshatra turistike apo hotele, mund të lidhë një kontratë mirëbesimi me atë që zotëron një certifikatë pronësie ose AMTP. Por, këtu hyn në lojë avokatura e shtetit. Kjo e fundit pretendon pronësinë e shtetit mbi truallin bazuar në një mori ligjesh dhe vendimesh që disfavorizojnë dukshëm pronarët.

E natyrisht përpara ushtrisë shtetërore që angazhohet në këtë proces i humbur është pronari. Pasi toka i kthehet shtetit, ky lidh një kontratë tjetër këtë herë me qeverinë duke prishur kontratën e parë. Investitori trajtohet në bazë të ligjeve për Investitorët Strategjik, dhe merret në dorë nga AIDA, apo korporata e Investimeve e cila rregullon të gjitha dokumentat. Më tej në bazë të ligjit për korporatat investitori trajtohet me të gjitha nderet, siç janë investime në infrastrukturë që përfshijnë ujësjellësin, energjinë apo dhe rrugën. Ndërsa këtij i mbetet vetëm të ndërtojë dhe shesë vilat. Ligji i investimeve strategjike në fakt është kundërshtuar jo pak nga ana e BE-së e cila e sheh si çuditshëm, që ta trajtosh në këtë mënyrë një investitor i cili ka si synim biznesin.

Nga ana tjetër, s’mund të quhet i tillë një investitor i cili ndërton për të shitur, dhe kjo e përjashton dhe nga ligji për Turizmin. Ky i fundit ka si synim, trajtimin e atyre investitorëve të cilët kanë si qëllim zhvillimin e turizmin, ndërsa vilat janë personale. Pronari më pas kompensohet në bazë të ligjit të kompensimit të pronave sipas hartës së miratuar nga qeveria për tokën bujqësore, e cila nuk vlen më shumë se 160 lekë metri katror. Pra Pazar i pastër. Për 1 hektar tokë në bregdet ai s’mund të marrë më shumë se 1.6 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që me çmimin e tregut, ajo vlen të paktën një milionë euro.

Vendimi

Por çfarë është vendimi i nëntorit 2018, i cili i kalon në pronësi tokat e bregut Ministrisë së Turizmit. Në fakt atëherë u fol nga opozita se kjo është një vjedhje që po u bëhet tokave atje, por si përherë kjo u kalua në formën e propagandës duke pompuar idenë se është hera e parë që po vendoset rregull me pronat atje etj. E vërteta është krejt ndryshe. Sipas një llogaritjeje që ka bërë gazeta MAPO janë më shumë se 16 milionë metra katrorë bregdet ose 1600 hektarë nga Vlora deri në Ksamil që i kalojnë kësaj ministrie. Harta përcakton se plazhet në Dhërmi, Himarë, Vuno, Piqeras, Kakome, Lukovë, Ksamil e Sarandë i kanë kaluar të gjitha në administrim Ministrisë së Turizmit, me përjashtim të Qeparoit dhe Borshit. Pra, askush nuk merr parasysh investimin e një jete që kanë bërë banorët e zonës së bregut në investime dhomash apo restorantesh, dhe është u vetmi burim jetese për ta, e rëndësishme është që investitori mik me qeverinë të mbetet i kënaqur, natyrisht kundrejt një ryshfeti.

Lejet abuzive

Në bazë të këtyre ligjeve është abuzuar jo pak dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit. Burime thanë për MAPO se deri në vitin 2013, nga qeveritë Nano-Berisha ishin dhënë leje për ndërtim vetëm 12 në të gjithë bregun, nga Vlora në Ksamil. Pas ardhjes në pushtet të rilindjes përshtatjes së ligjeve në favor të atyre që janë të afërt me qeverinë këto leje janë me qindra dhe kjo është verifikuar dhe nga Task-Forcë e kryesuar nga zoti Hyseni.

Në formën e lejes dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet nuk janë dhënë vetëm leje hotelesh dhe biznesi por edhe për vila të personave të ndryshëm, duke e shtuar akoma më shumë kaosin me pronat në këtë zonë. Problemet me pronat janë evidentuar jo pak dhe në auditet që u janë bërë Bashkive Vlorë, Himarë dhe Sarandë nga Kontrolli i shtetit por që s’janë marrë asnjëherë parasysh. Fredi Bejleri, një nga përfaqësuesit e banorëve të zonës, është shprehur në emisionin Zonë e Lirë të datës 15 janar të gazetarit Arjan Çani, se në kadastër po regjistrojnë pronat vetëm ata që janë të afërt me qeverinë, gjë e cila u kundërshtua nga zoti Lame. Në fakt ngjarja e Shën Vasilit, dhe protestat me të cilat u prit Lame thuajse në të gjithë zonën e jugut flasin për të kundërtën.

Image

Interesat oligarkike

Interesi për jugun e vendit është shprehur dhe në marrëveshjen që qeveria ka bërë me investitorët nga Dubai. Gazeta MAPO në numrin e saj të datës 12 janar shkruan se synimi nuk ka qenë vetëm ndërtimi i portit të Durrësit, por e gjithë vija bregdetare nga Vlora në Ksamil. Çuditërisht më datë 24 janar të 2020-ës, qeveria shqiptare mori një tjetër vendim në dëm të pronarëve, ku paraqiste dhe hartat me të cilat ata do të kompensohen në rastet kur u njihej e drejta e pronës. E gjithë zona përfshihej si tokë bujqësore. “Më 24 dhjetor 2020, qeveria ndërmori një tjetër vendim ku paraqiste dhe hartat ku toka njihej si truall apo tokë bujqësore.

Çuditërisht, vendi i përzgjedhur në Durrës nga Kompania në fjalë për të ndërtuar portin e Durrësit, është lënë jashtë zonës urbane të qytetit. Hartat janë bazuar në vijat kufizuese të vitit 1938-1941. Janë tokat nga Porti i Durrësit deri në Currila, të cilat njihen si tokë bujqësore dhe kompensohen vetëm me 500 lekë metri, megjithëse ato janë kthyer në tokë truall që gjatë periudhës së komunizmit. Si të tilla njihen dhe tokat e Bregdetit të Vlorës, Himara që kufizohet vetëm në Himarën e vjetër, Palasa, Dhërmiu, Borshi, Qeparoi, Lukova, një pjesë e mirë e Sarandës dhe i gjithë Ksamili”, shkruan MAPO. Dhe në të gjitha këto raste nuk mund të flitet për koincidenca rastësore por për një plan të mirëmenduar për të përvetësuar bregdetin e jugut, ku dirigjent është vetë qeveria shqiptare dhe aktorë ata që rëndom quhen oligarkë por që s’janë gjë tjetër vetëm se miq të afërm të qeverisë./Mapo.al/

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Vendi yne 22/01/2021 10:14

Po bashkohu u popull dhe bej revolucion.Liri a vdekje.Merri te gjitha gjerat qe te takojne.Pse i le drogaxhinjt shushunjat dhe tradhetaret te te masakrojne ne kete menyre.

Albani21/01/2021 12:38

edvin rama duhet shpallur amiku numer nje i shtetit si behet ne Amerik dhe duhet zhdukur nje here e per gjithmon,jo te gezoj jeten ne qetesi me gjith ato deme qe ka bere sic ndodh rendomt ne shqiper por te behet nje shembull per te gjith ata qe e kan djekur e ndimur, ta din se cfare do i presi dhe per ata qe mund te kene ide te tilla.

Ligji21/01/2021 10:43

Sapo te vijme ne pushtet do ti anullojme ligjet e plehres. Toka do ti perkase te zotit me vleren qe ka.

Shto koment

Denonco