‘Spatrimi etnik i shqiptarëve:  Çamëria dhe Lugina e Preshëves’

‘Spatrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Preshëves’

16:17, 18/01/2021
A+ Aa A-

Në Medvegjë po ndodh një politikë e kontrolluar e spastrimit etnik të shqiptarëve përmes pasivizimit të adresave. Shoqata Patriotike ‘Çamëria’, e cila këtë janar kremton 30-vjetorin e themelimit të saj, ka ngritur zërin për shqiptarët e Preshevës dhe ka kërkuar që historia e Çamërisë të mos përsëritet.

Në kuadër të ‘Javës Çame’, Shoqata çeli ditën e sotme në ambientet e Kalasë së Tiranës ekspozitën ‘Spatrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Preshëves’ me foto nga këto dy treva shqiptare.

Fjalën e hapjes të ekspozitës e mbajti Kreu i Shoqatës Patriotike ‘Çamëria’, z. Hektor Sejko, i cili u shpreh se kjo ekspozitë flet më shumë se çdo orator’. ‘Drama e Çamërisë po përsëritet në Medvegjë. Ne nuk e lëshojmë Çamërinë dhe do ta mbrojmë Medvegjën. Janë tokat tona, shtëpitë tona’, u shpreh ai.

Për kreun e Fondacionit ‘Hasan Tahsin’, Alket Veliu ‘shqiptarët e Çamërisë janë vetë viktima të një sistemi genocidar dhe e dinë shumë mirë se çdo të thotë të të dëbojnë nga vendi yt’.

    ‘Në shekullin e kaluar, shqiptarët u përballën me spastrim të dhunshem etnik në Çamëri dhe Sanxhak, ndërsa sot misioni shpopullues serb në Luginën e Preshevës vazhdon me mjete të tjera duke detyruar shqiptarët të largohen nga shtëpitë e veta’, theksoi ai.

    Ekspozitën e përshëndeti edhe kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Ai kërkoi ‘ndërgjegjësimin për spastrimin etnik që po iu ndodh shqiptarëve të Luginës dhe apeloi pë të mos lejuar kthimin e saj në një Çamëri të dytë’.

    ‘Medvegja sot ka vetëm 10% të shqiptarëve, kurse 90% e tyre janë dëbuar. Malësia e Bujanocit është shkretuar gati tërësisht. Sot atyre nuk iu lejohet kthimi dhe janë fshirë nga regjistrat civilë. Ky presion i Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një diskriminim i pashoq në Evropën e sotme. Për të mos lejuar spastrimin e Luginës së Preshevës duhet angazhim më i madh i spektrit politik në Shqipëri e në Kosovë. Këto troje strategjike janë të Kosovës, janë të Shqipërisë, jo të Serbisë’, përfundoi ai.

    Ekspozita do të zgjasë deri në datën 24 janar dhe është e hapur për të gjithë vizitorët.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco