Pjetër Arbnori sot do të mbushte 85 vjeç/ Dita kur lindi 'Mandela' i Ballkanit

Pjetër Arbnori sot do të mbushte 85 vjeç/ Dita kur lindi 'Mandela' i Ballkanit

08:31, 18/01/2021
A+ Aa A-

Përkujtohet sot shkrimtari, përkthyesi dhe politikani Pjetër Arbnori, i quajtur gjithashtu "Mandela i Ballkanit", për shkak të kohës së gjatë 28 vjeçare të kaluar në burgjet e diktaturës komuniste. Pjetër Arbnori lindi më datë 18 janar të vitit 1935 në qytetin e Durrësit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij dhe qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t'i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera, njoftoi Muzeu Kombëtar "Shtëpia me Gjethe".

Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social Demokrate, e cila u pikas nga Sigurimi i Shtetit. Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë.

Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit.

U lirua në vitin 1989, vite ku tashmë ndihej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër.

Në vitet 1992-1997 shërbeu si Kryetar Kuvendi. Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eleminohej. Ndryshimet në ligj që pasuan në këtë fushë u quajtën "Amendamenti Arbnori".

Rreth krijimtarisë së tij letrare rendisim: "Kur dynden vikingët", "Bukuroshja me hijen", "E bardha dhe e zeza", "E panjohura", "Vdekja e Gebelsit" "Shtëpia e mbetur përgjysmë", “Letër nga burgu”etj.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco