Meta: Qytetarët të informohen për vaksinën, me këtë pandemi nuk ka vend për ‘sekrete’

Meta: Qytetarët të informohen për vaksinën, me këtë pandemi nuk ka vend për ‘sekrete’

17:52, 16/01/2021
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta në një intervistë të dhënë për emisionin ‘Kjo javë’ të gazetares Nisida Tufa në Neës 24, i ka kërkuar qeverisë Rama të bëjë transparencë lidhur mbi vaksinat

Pyetje (Gazetare Nisida Tufa): Zoti President, lamë pas një vit të vështirë dhe po nisim një vit tjetër me shpresën, që gjërat kanë për të shkuar më mirë, por përsëri jemi në pandemi. Lajmi i mirë është mbërritja e vaksinës në Shqipëri, që në fakt shumë vende të tjera ende nuk kanë nisur ta aplikojnë. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

Presidenti Meta: Shqipëria ka nevojë për një plan të qartë për vaksinimin e popullsisë dhe duhet ta kishte prej kohësh.

Është e nevojshme sigurimi i vaksinës për atë pjesë të popullsisë, që e ka të domosdoshme.

Nuk duhet të harrojmë situatën aktuale në spitalet tona, që vazhdon të jetë kritike dhe që detyron një kujdes më të madh ndaj të gjithë qytetarëve, të cilët janë të prekur dhe po luftojnë me COVID-19.

Pyetje: Fakti që Shqipëria i siguron këto vaksina më herët se ç’ishte parashikuar, a është lajm i mirë? 

Presidenti Meta: Është lajm i mirë çdo lajm, që i shërben përballimit të kësaj situate në të gjithë dimensionin e vet real.

Çdo mbërritje e vaksinave është pozitive, por çdo fshehje e problematikës së gjerë përmes akteve të karakterit propagandistik, nuk i shërben qëllimit të përgjithshëm dhe në këtë drejtim, sigurisht që kemi pasur dhe kemi probleme tepër shqetësuese.

Të mos harrojmë, që në spitalet tona mungojnë një pjesë e mirë e pajisjeve shpëtuese dhe raste të mesme apo të rënda trajtohen jashtë vendit.

Të mos harrojmë, që jemi vendi me personelin mjekësor më të dëmtuar.

Ndaj është shumë e rëndësishme që të gjitha hapat t’i shërbejnë një strategjie të qartë të përballimit sa më efektiv të COVID-19.

Pyetje: Pra, nga ana e qeverisë, nga ana e vetë Kryeministrit është bërë propagandë për mbërritjen e vaksinës, nga sa kuptojmë?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të ndërhyj në këtë çështje.

Mua më shqetëson gjendja aktuale e spitaleve tona, që kanë një infrastrukturë problematike.

Më shqetëson niveli shumë i lartë i humbjes së jetës për të gjithë ata pacientë, të cilët intubohen.

Duhet të kemi në konsideratë edhe shumë problematika të tjera, që mund të ishin menaxhuar shumë më mirë, përfshi edhe çështjen e vaksinimit, kur dihet, që qeveri të tjera i kanë zgjidhur këto probleme prej kohësh dhe kanë një program shumë më të qartë vaksinimi se sa ne.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco