Asnjë spital i ri në 8 vitet e Ramës/ Saga elektorale me premtime në Fier

Asnjë spital i ri në 8 vitet e Ramës/ Saga elektorale me premtime në Fier

10:28, 15/01/2021
A+ Aa A-

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Ankara më 6 janar u shoqërua me premtimin e presidentit të Turqisë, Erdogan për ndërtimin brenda tre muajve të një spitali rajonal në Fier. Teksa kryeministri Edi Rama shprehu skepticizmin nëse do arrihej që spitali të ndërtohej brenda tre muajve, presidenti turk Erdogan u zotua se ai do përfundonte para datës së zgjedhjeve, më 25 prill. “Jam i lumtur që së shpejti edhe Spitali Rajonal i Fierit do të jetë realitet. Tani, bastet në Turqi dhe në Shqipëri janë të ndaluara me ligj, nuk mund të vinim bast me Presidentin, por basti i Presidentit që Spitali Rajonal i Fierit të jetë gati për tre muaj është një bast shumë i fortë”, tha Rama.

Nga premtimi në premtim

Më 13 korrik 2016, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, premtoi ndërtimin e një spitali. Deklarata e Subashit u konkretizua formalisht në Planin e Investimeve Kapitale, pjesë e Planit të Përgjithshëm Vendor të Territorit të Bashkisë Fier.

“Sot, bashkia e re Fier dhe bashkitë e tjera fqinje vuajnë nga mungesa e shërbimeve spitalore të specializuara. Për këtë arsye, vlerësohet nevoja e ndërtimit të një spitali rajonal në bashkinë e Fierit, qendra e Qarkut të Fierit. Projekti konsiston në hartimin e projektit arkitektonik dhe inxhinierik të spitalit rajonal si dhe zbatimin e tij pranë Pyllit të Levanit”, vlerësohej në planin e hartuar nga bashkia.

Projekti parashikonte ndërtimin e një spitali me 400 shtretër me investim nga Bashkia Fier, Ministria e Shëndetësisë, komuniteti, sektori privat, FZHR dhe donatorët me një vlerë prej pothuajse 70 miliardë lekë (rreth 50 milionë euro sipas kursit të këmbimit të kohës). Ekzaktësisht një vit më vonë, Subashi ripremtoi ndërtimin e tij. Ai madje shtoi se përveç spitalit, për të cilin ekziston edhe një projekt fillestar, Fieri do kishte edhe një universitet mjekësor.

Ide e vjetër, vendndodhje e re

Tre ditë pas vizitës në Turqi, kryeministri Edi Rama shkoi në Pyllin e Levanit në Fier, në po të njëjtin vend ku ishte premtuar ndërtimi i spitalit më shumë se 4 vite e gjysmë më parë. Pas inspektimit, kryeministri postoi në Facebook edhe pamje nga vendi ku do të ndërtohej spitali, tashmë jo në Pyllin e Levanit por në hyrje të qytetit të Fierit, në Mbrostar, afër autostradës. 12 familjet, tokat e të cilave preken nga ndërtimi i spitali ri, protestuan duke kundërshtuar vlerën me të cilën do kryhej shpronësimi. Me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje, Rama shkoi në takim me ta por nuk dha detaje nëse palët kishin rënë dakord.

Asnjë spital i ri

Me ardhjen në krye të qeverisë, kryeministri Edi Rama premtoi “Rilindjen e Shëndetësisë”. Krahas përmirësimit të kushteve në spitalet ekzistuese, u premtua ndërtimi i spitaleve të reja. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Statistikave, në Shqipëri janë aktualisht 43 spitale publikë për sa i përket sistemit spitalor dytësor, shifër e njëjtë me atë të vitit 2013.

Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se në vitet 2015 dhe 2020 ka pasur ndërtime spitalesh. Sipas ministrisë, në vitin 2015 është ndërtuar Spitali Psikiatrik në Vlorë. Në fakt, bëhet fjalë për rindërtim, duke shembur ndërtesën ekzistuese për të ngritur një të re. Në vitin 2020, i vetmi spital i ri i raportuar është i ashtuquajturi Covid4. As në këtë rast nuk bëhet fjalë për një spital të mirëfilltë. Godina e ish-Universitetit Kristal u përshtat në një ambient spitalor për të përballuar flukset e mundshme të shtrimeve të reja.

Shqipëria e (para)fundit

Një tjetër disavantazh i Shqipërisë ka të bëjë me shtretërit spitalorë në raport me numrin e popullsisë. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka 3 shtretër spitalorë për çdo 1000 banorë, ndërsa vendet e rajonit kanë mesatarisht 6,4 shtretët për 1000 banorë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në fund të vitit 2019, e renditi vendin në fund të klasifikimit europian, ku vetëm Kosova renditej më keq se Shqipëria për sa i përket investimeve në shëndetësi. Sipas kësaj renditjeje, Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës, vetëm 2,8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bosnja akordon 6,9% të fondeve në raport me PBB-në për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6,4%, Maqedonia e Veriut 4,3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6,1%./A2CNN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco