Ndryshon Kodi Penal – Kush tenton të manipulojë votën shkon në SPAK

Ndryshon Kodi Penal – Kush tenton të manipulojë votën shkon në SPAK

10:19, 14/01/2021
A+ Aa A-

Janë botuar dje në Fletoren Zyrtare ndryshimet që iu janë bërë ligjeve të Kodit Penal apo dhe të funksionimit të gjykatave dhe prokurorisë, të dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit. Ligjet e reja ngushtojnë hapësirat dhe shmangin dukshëm shtigjet e manipulimit. KQZ tashmë ka fuqi të tjera. Ai është institucioni që mbledh sinjalizimet dhe ia dërgon ato SPAK dhe Prokurorisë e cila ka detyrimin ligjor që brenda 15 ditëve të kthejë përgjigje në lidhje me çështjet e deleguara. Në kodin ekzistues penal, janë 15 ligje që kanë të bëjnë me manipulimin e votës, që japin dënime nga 1 deri në 8 vite burg për krimin zgjedhor.

Pas 28 janarit kush do tentojë të manipulojë votën me çdo lloj forme, blerje, kërcënim me vendin e punës, apo dhënie ryshfeti në forma të tjera, siç kemi parë shpesh do i duhet të përballet me hetimin nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ose SPAK. Në Fletoren Zyrtare janë botuar dje ndryshimet e “Kodit penal”, “Kodit të Procedurës Penale”, “Për funksionimin e Prokurorisë”, si dhe ndryshimet në ligjin “Për statusin e Gjyqtarëve” dhe “për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.

Të gjitha këto ndryshime, të dakordësuara në marrëveshjen e pesë qershorit kanë si qëllim shtrëngimin e masave dhe detyrimin e institucioneve për të vepruar në rast se vërehen raste të manipulimit apo shantazhimit të votuesve për të votuar një krah të caktuar politik. Kodi Penal ka aktualisht rreth 15 nene që parashikojnë nga një deri në tetë vit burg për manipulatorët, por që siç është vënë re nuk është zbatuar nga institucionet përkatëse.

Prokuroria dhe SPAK

Me ndryshimet e reja, pranë KQZ do të ngrihet dhe struktura përkatëse e cila do të menaxhojë denoncimet që mund të vijnë, publikisht, ose në mënyrë anonime nga persona të ndryshëm, punonjës në institucione private dhe shtetërore. Kjo strukturë më pas informacionin e mbërritur ia përcjell prokurorisë e cila ka si detyrim që brenda 15 ditëve të dërgojë informacion në lidhje me hetimin e hapur pranë KQZ. Pas nenit 107, në ligjin për funksionimin e prokurorisë shtohet dhe neni 107/1 me këtë përmbajtje “1. Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas juridiksionit përkatës, i japin KQZ-së informacion për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, që nuk cenon ruajtjen e sekretit hetimor sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale.

Informacioni jepet me të dhënat për çështjet penale, numrin e personave nën hetim, kohëzgjatjen e hetimit dhe përfundimin e tij, të dhënat për kërkesat e prokurorisë për gjykim, kohëzgjatjen e gjykimit dhe përfundimin e tij, të dhënat për ankimimin e vendimeve gjyqësore, shkakun e ankimimit, si dhe të dhënat për faktin nëse çështjet janë gjykuar në apel ose në Gjykatën e Lartë dhe rezultatin e këtij gjykimi.

Pjesë e informacionit duhet të jetë edhe informacioni për ekzekutimin e dënimeve. Informacioni sipas pikës 1 të këtij neni përdoret nga KQZ-ja për nevojat e informimit publik për gjendjen dhe rezultatet e hetimeve penale për çështjet zgjedhore. Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u përgjigjen kërkesave të KQZ-së për informacion jo më vonë se 15 ditë nga data e kërkesës”, thuhet në ligjin e ndryshuar “Për funksionimin e Prokurorisë”

Struktura e sinjalizimeve

Miratimi i ligjit për sinjalizimet në vitin 2016, adresonte që denoncimet për manipulimin e votës të bëheshin pranë ILDKPI, dhe kjo më pas ia dërgonte për hetim Prokurorisë së Përgjithshme. Me ndryshimet në ligj, KQZ është e detyruar që brenda muajit shkurt të ngrejë dhe strukturën përgjegjëse, që do merret me menaxhimin e sinjalizimeve. Do jetë kjo strukturë e cila, do fillojë hetimin administrativ dhe më pas do ia referojë prokurorisë.

Me ndryshimet në ligj ILDKPKI ka më shumë funksion ndihmës. Ligji për sinjalizimet e krimeve zgjedhore, parashikon mes të tjerash dhe ngritjen e ministrukturave përgjegjëse në çdo institucion publik që ka të paktën 80 punonjës, por edhe në institucionet private me mbi 100 punëtorë. Këto struktura që mund të përbëhen nga një ose më shumë persona do monitorojnë sjelljen e titullarëve të institucioneve apo administratorëve të kompanive për të shmangur çdo lloj shantazhi mbi votën. Kanosja ose shantazhi zgjedhor me çfarëdolloj forme në Kodin Penal shqiptar dënohet nga një deri në katër vjet burg.

Fuqia e KQZ

Me ndryshimet që iu janë bërë ligjeve KQZ, është tashmë përgjegjësja kryesore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Në këtë proces ajo mund të kërkojë dhe urdhërojë shmangien e çdo lloj manipulimi, dhe të garantojë kështu zgjedhje të lira dhe të ndershme duke i qëndruar larg shantazhit politik. Në kodin tonë penal janë rreth 15 nene që dënojnë tjetërsimin e votës. Dënimet variojnë nga një deri në tetë vjet burg. Për shembull në rast se do i referoheshim dosjes 184 të Dibrës, aty janë shkelur të paktën 11 nene të Kodit Penal nga ata që u shfaqën në përgjime.

Në rast se do kishte vullnet për të bërë drejtësi sot shumë prej aktorëve në atë manipulim do ishin në përgjegjësi penale. Nga ana e mazhorancës sërish vihet re një tentativë për të shkelur ligjet dhe Kodin Zgjedhor. Megjithëse ka një ligj që ndalon veprimtarinë me paratë publike katër muaj para zgjedhjeve, eksponentët e lartë të PS duke filluar nga kryeministri nuk kanë reshtur asnjë ditë së dali në publik duke bërë fshatë me rindërtimin, apo vepra të tjera publike të ndaluara.

Deri më tani KQZ ka zhvilluar vetëm një seancë ku i ka tërhequr vëmendjen një kandidati socialist për shpërndarjen e tapive të legalizimit, por çështja është më e gjerë se kaq. Mjaft të hysh në profilet e deputetëve apo kryetarëve të Bashkive dhe do shohësh se veprimtaria e tyre e ndaluar që nga 25 dhjetori i vitit të shkuar nuk ka reshtur për asnjë minutë. Kjo tregon dhe vëmendjen e shtuar që duhet të tregojë ky institucion për të shmangur manipulimin e votës në zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë cilësuar si jetike jo vetëm për integrimin, por dhe në aspekte të tjera të progresit të vendit./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Noni14/01/2021 15:04

Kush TENTON te manipuloje voten , shkon ne SPAK , kush e MANIPULON , shkon ne ASPAK -un e Gjiknurit e te Dakos , kryeeksperteve te vjedhjes dhe manipulimit te votes .

Shto koment

Denonco