Lezha- bashkëudhëtare e denjë e demokracisë 30 vjeçare

Lezha- bashkëudhëtare e denjë e demokracisë 30 vjeçare

08:56, 12/01/2021
A+ Aa A-

Nga Gjovalin Gjeloshi

Po e filloj këtë shkrim përkujtimor, me rastin e 30 vjetorit të themelimit të Degës së Partisë Demokratike të Lezhës, me një rastësi domethënëse: kur ministri i drejtësisë në qeverinë e Adil Çarçanit (duhet të kujtojmë se ministria e drejtësisë kishte 7-8 muaj që funksiononte në Shqipëri), firmoste më 19 dhjetor 1990, urdhërin nr. 12 “Për formimin e Partisë Demokratike Shqiptare”, në të njëjtën ditë, të autorizuar nga komisioni nismëtar në Tiranë,  mblidhej në Lezhë, një grup demokratësh antikomunistë, për të diskutuar për fillimin e punës  për afrimin e njerëzve me Partinë Demokratike dhe shtrirjen e strukturave në bazë.

Pas metingut të 12 janarit 1991, që njihet si data e krijimit të PD në Lezhë,  më 17 janar u bë mbledhja e parë e zyrtarizuar e komisionit nismëtar për të zgjedhur organet drejtuese. Me votim të fshehtë, kryetar i komisionit u zgjodh Paulin Gjoni, me dy vota plus dhe sekretar Esat Myftari, me një votë plus. Kryetari i komisionit të votimit në këtë rast, ishte vet kryetari i komisionit nismëtar për formimin e PDSH, Sali Berisha. Është vendi të kujtojmë se, nga 10 anëtarë që kishte ky komision, tre ishin femra: Marie Mirashi nga Kakarriqi, Marie Sherri nga Ishull Lezha dhe Mira Berisha nga Lezha.

Sjellim në vëmendje të lexuesit, se numri i seksioneve (atëhere nuk kishte grup seksione) në fillimet tona ishte pothuaj i njëjtë me numrin e sotëm. Kjo sepse, nëse sot në qytet ka më shumë seksione natyrisht, atëhere u krijuan seksione të PD edhe në qendrat kryesore të punës, në ndërmarrje të tilla si: Ushqimore, Fabrika e letrës, Peshkimit, Porti, SMT, Ndërmarja e ujrave, Bonifikimi, Nd. Frutore, Nd. Pyjore, Komunale, Nd. Ndërtimit, Nd. Tregtare, PTT, Parku etj. Ndërsa në Ndërmarrjen Bujqësore të Lezhës, ndër më të mëdhatë në vend, seksionet u krijuan në bazë fshatrash, ashtu si në pjesën tjetër të territorit të rrethit.

Marr shkas të gërvishi pak lëkostrën e kujtimeve, të shfletoj bllokun e gazetarit apo t’u hedh një sy shënimeve të marra prej nismëtarëve të asaj kohe, për t’u treguar sot, jo thjesht anëtarësisë së PD, por drejtueseve të saj në rrethe e kudo, se historia e PD nuk është anonime. Ka themeluesit e saj konkret në çdo fshat, lagje e kudo.  Duhet të kujtojmë se “strukturat” e para, nëse mund ti quajmë kështu, nuk ishin të zgjedhura prej ndonjë “trupe elektorale”, komisioni nismëtar nuk ishte i emëruar prej ndokujt. Ata ishin burra e gra, të rinjë e të reja që ishin afruar vet me komisionin nismëtar të Azem Hajdarit dhe ishin vetëngarkuar me organizimin e partisë në rrethe, me dijeninë e komisionit nismëtar në Tiranë. Për Lezhën qenë: Paulin Gjoni mjek, Gjokë Lleshi ndihmës mjek, Gjokë Jaku mësues, Gjergj Gjoni agronom, Esat Myftari jurist, Marie Mirashi mjeke, Marie Sherri mjeke, Lekë Gjergji mësues, Mira Berisha zooteknike dhe Agron Belishova mjek. Pse ishin më shumë mjekë? Punët e para, më së shumti kanë filluar edhe me njohje personale. Duket qartë ndikimi dhe njohjet personale që kishte Sali Berisha, kryesisht me kolegët e profesionit të tij. Edhe “selia” e parë e PD në Lezhë kanë qenë zyrat e Qendrës Sanitare të rrethit në ambientet e spitalit. Edhe pse mitingu themelues u bë më 12 janar, deri në këtë kohë nuk kishte asnjë strukturë të zgjedhur. Të gjithë ishin “të parë ndër të barabartët”. Pas kësaj date, më 17 janar 1991, kryetar i komisionit nismëtar zgjidhet Paulin Gjoni, ku vet Sali Berisha ishte kryetar i komisionit të votimit në atë sallën e vogël të spitalit.

Kjo ishte bërthama e komisionit nismëtar prej 9-10 vetash, por lista e atyre që u vetofruan me këtë komision, ishte më e gjatë dhe përfaqësonte pothuaj të gjithë gjeografinë e rrethit: Kolë Ujka infermier në spital nga Rrila, i ndjeri Viktor Gjekmarkaj infermier në spital nga Ishull Shëngjini, Gjovalin Gjeloshi agronom në Stacionin Bujqësor, Ndue Hila nga lagjja Gurra, mësues në Shënkoll, Shtjefën Paloka agronom në frutore, Ali Hasia marangoz në komunale, Petrit Marsea elektricist, Pashk Kadeli e Sandër Vuka mekanikë në Port, Mark Kadeli në fabrikën e letrës, Viktor Përvathi merceolog në Ushqimore, Marjan Buna veteriner në NB Balldre, Paulin Xhani kaldajist në spital, Prend Koka mekanik në spital, Gjergj Frroku shofer në spital, Esat Sadiku mësues në gjimnaz, Gjon Paloka agronom në Balldre, Gjovalin Zef Gjoka e i ndjeri Zef Toma në Markatomaj, Selami Reçi kasap në Lezhë, Leonard Kraja, inxhinier në Parkun e Mallrave, Pjetër Gjoka  Raboshtë, Marjan Marku, nd. Tregëtare, Zef Leka Ishull Lezhë, Llesh Tomë Draga Gajush, Lekë Metohia në Malecaj.

Përveç komisionit të zgjeruar nismëtar në rreth, pothuaj në çdo ndërmarrje e kooperativë bujqësore, funksionoi komisioni nismëtar që natyrisht kishte lidhje me komisionin e rrethit. Në ndërmarrjen e Bonifikimit ishin: Pashk Përnoj, Vitore Isufi, Pashk Ndoci, Zef Ndoci, Lekë Ivanaj, Ferdinant Nika, Nikollë Ameri etj; në SMT ishin: Ndoc Makaj, Spartak Laçi, Kolë Maklaj etj; në Nd. Pyjore: Nik Miri, një person me mbiemrin Molla etj; në Peshkim: Paulin Përndoj, Ndoc Nika, Pjerin Duka, Vesel Gjoklekaj etj; në Nd. Grumbullimit: Luigj Berishaj, Sander Llusku, Pjerin Goga, Pëllumb Taka, Zef Nikolli, Llesh Malota etj; në Fabrikën e Letrës: Mark Frroku, Sokol Vadeja, Erzen Berisha, Abdyl Berisha, Ndoc Doda, Nikolin Sata etj; Parku: Gjovalin Përgega, Fatos Kaçaniku etj; Hekurudha: Gjelosh Miri etj; ndërmarrja e ndërtimit: Prek Hila, Pjetër Gjergji, Alfred Ujka, Luigj Nika, Zef Tusha etj; në komunalen e Shëngjinit: Sadik Sokoli, Ndoc Nikolla, Pal Leka etj; në Frutore: Prek Ivanaj etj; Nd. Farërave: i ndjeri Kolec Grizhaj etj.

Puna e komisionit nismëtar të rrethit të Lezhës u shtri me të shpejtë edhe në të gjitha fshatrat. Pal Bici, Nik Luli, Luigj Shyti, Prek Bici, Gjovalin Syku në Tale; Mark Gjetoja, Dodë Përdoda, Ndrekë Jaku, Tomë Pali në Rrilë; Ndue Prelashi e Pjeter Prelashi në Gajush; Mhill Lesi nga Spiteni; Pandeli Lleshi, Martin Vata, Sander Gega, Dedë Leka, Lec Ivanaj në Ishull Lezhë; Paulin Pati, Luigj Prela në Ishull Shëngjin; Dedë Njeçi e Gjon Ameri në Pllanë; Dodë Bajraktari, Nikoll Boci nga Manatia; Tonin Paloka nga Kolshi; Gjovalin Rusha, Sergei Çaçi, Qemal Hafizi, Artan Emini, Saimir Kraja, Mark Gj. Simoni nga qyteti i Lezhës; Mark Hasani, Shtjefën Doda, Luigj Duli nga Alku; Viktor Sallaku, Hysni Marku, Luigj Nika, Arben Ndoj, Engjëll Luna që punuan në fshatin Blinisht; Kolë Jaci, Martin Gega, Hilë Prendi nga Kallmeti; Nik Tushi, Gjin Gjini nga Raboshta; Viktor Gjoni, Ndoc Moli, Lek Celaj nga Balldreni i Ri, Gjovalin Marpalaj, Zenel Shabani, i ndjeri Rrok Dedgjonaj nga Balldreni; Kol Gjin Ndreca (Kola) nga Kashnjeti; Ndue Koleci, Ndue Ndoka, Petrit Koleci nga Fishta; i ndjeri Zef Ndreca (Ndoci), Fran Kuka e Gjergj Lufi nga Krajni; Kolë Kola nga Troshani; Ndrekë Gazulli, Ndrekë Ndreka, Pjetër Gjushi, Gaspër Miloti, Nikolin Miloti, Shtjefën Gjoni nga Dajçi, Çesk Luigji nga Kotrri; Frrok Kovaçi nga Dragusha; Llesh Prendi nga Kodheli; Pal Marku, Alfons Pali, Myfit Fejzo, Luigj Marashi nga Shëngjini; Nikë Lushi nga Gryka e Lumit; Palokë Coku e Edmond Kaçeli nga Shënkolli, Palokë Gjini nga Zojsi; i ndjeri Gjelosh Narkaj dhe Dedë Toma nga Kakarriqi; i ndjeri Gjergj Leka, Ndue Marku nga Gjadri; Rrok Marku nga Piraj; Ndue Skuraj e Luigj Simoni nga Merqia; Lekë Lleshi e Anton Lleshi nga Zejmeni, i ndjeri Gjergj Martini, Çesk Martuzi e një grup djelmoshash nga Torovica, që ishin “zjarri” i tubimeve; Bajram Bajrami nga Koljakaj. Natyrisht që kam harruar emra të tjerë, por nuk besoj se do të më fajsojnë lexuesit.

Në përvjetorin e 30-të të degës së PD në Lezhë nuk mund të mbeten pa u kujtuar djemtë e ekipit të mundjes të “Besëlidhjes”. Vërtet policia në ato momente përpiqej të tregohej asnjanëse, por kjo ishte një asnjanësi që e çonte policinë në mosveprime dhe po të ndodhte ndonjë përplasje me fanatikët e Partisë së Punës që ishin të shumtë, policia ndoshta do të mbronte më tepër përkrahësit e antimitingut. Kjo kishte ndodhur rëndom edhe në rrethe të tjera përpara nesh. Ndaj “marrja e masave vet” ishte një garanci e menduar mirë nga organizatorët. Mirash Shabi, i ndjeri Agustin Kaçeli, Sami Deda, Dedë Syku, Paç Curri e Mustafë Bajrami, ishin “një për të gjithë e të gjithë për një” me trajnerin Nazmi Molla (Zuku) në krye.

Duke menduar se ç’qëndrim mbante ushtria e asaj kohe, duhen vlerësuar e nderuar gjithmonë ushtarakët e parë që u bashkëgjenden me ne si: Muhamet Lika, Vasil Mici dhe një tjetër oficer marine, (një kosovar nga Fieri) të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Po kështu gjithmonë kujtoj me respekt një burrë të moshuar, por aktiv që kryente punët e protokollit, arkivistit, financierit e gjithshka që kishte të bënte me rregullat zyrtare të një force politike institucionale: ky ishte i ndjeri Hiqmet Angoni. Pas largimit të tij në mënyrë arbitrare dhe të Muhamet Likës i cili punoi disa kohë pas tij me arkivin dhe protokollin e degës së PD-së, unë nuk di se ç’ndodhi me dokumentacionin që ishte mbajtur me aq kujdes. Puna shkoi deri atje sa rreth vitit 1998-1999 të zhdukej edhe regjistri bazë i anëtarësisë së PD në rreth. Kjo mendoj unë, ishte vepër e ndonjë personi që kërkonte që historia e PD-së të fillonte me emrin e tij, pavarësisht se kur kishte ardhur ai si anëtar apo drejtues i saj.

Ndërsa studentët e parë që na sollën në Lezhë freskinë e moshës së tyre, por edhe atmosferën e ndezur të demonstratave e deri te greva e urisë, ishin ndër të tjerë: Etleva Lika, Entela Lala, Alban Bala, Arben Ivanaj, Edmond Pjetrushaj etj, si dhe studenti Zef Luca nga Kakarriqi që mori pjesë në grevën e parë të urisë.

Të gjithë, të gjithë duhen kujtuar: nga shoferët e parë të PD-së Pëllumb Tolla, Simon Zefi e Simon Hila e deri te kandidatët e parë për deputetë të PD: Agron Belishova, Preç Zogaj, Rudolf Marku, Esat Myftari e Gjovalin Gjeloshi.

Pas themelimit të PD, aksioni i parë dhe më i rëndësishmi, ishin zgjedhjet e para të përgjithshme që u mbajtën më 31 mars të vitit 1991. Vetëm me 2 muaj e gjysëm jetë, Partia Demokratike në Lezhë, në këto zgjedhje mori vota pothuaj barabar me Partinë e Punës që kishte 50 vjet pushtet. Vetëm 36 vota muarëm më pak dhe në përqindje vetëm 0.05 përqind. Megjithatë ne muarëm 2 deputetë kundrejt 3 që mori PP. Në këto zgjedhje Lezha u rreshtua me rrethet më demokratike të vendit. Vetëm në tre rrethe në Shqipëri: Tiranë, Shkodër dhe Durrës, Partia e Punës u shkërmoq dhe PD mori në mënyrë dërmuese më shumë deputetë, përkatësisht 18:10, 16:3 dhe 13:6. Mori një më pak se gjysmën: në Lezhë (2), Elbasan(6) dhe Korçë(5). Mori gjysmën në Krujë (4). Ndërkohë që gjysma më interesante ishte në Vlorë: 14 deputetë u ndanë midis PD e PP, kur fqinjë me Vlorën, në Fier PD nuk mori asnjë deputet prej 18 deputetëve që kishte gjithësejt ky rreth.

Nga maja e Vermoshit e deri te Ura e Zogut, Partia Demokratike mori deputetë vetem në Shkodër dhe Lezhë: Asnjë deputet në Dibër nga 12 që kishte. Asnjë në Pukë, Tropojë. Zero në Mat, nga 6 vende, zero në Mirditë, nga katër vende. E po kështu edhe në Kukës nga tetë vende gjithësejt në parlament, PD nuk mori asnjë.

Nuk po futem te zgjedhjet e 22 marsit 1992, ku Lezha rezultoi si e gjithë Shqipëria, për të dalë shkurt te zgjedhjet e para lokale të 26 korrikut 1992: Kur në shkallë vendi numri i njësive vendore të fituara pothuaj u nda në mënyrë të barabartë midis midis dy forcave kryesore politike, Lezha nga 10 njësi që kishte, fitoi në tetë prej tyre duke i lënë Partisë së Punës, të konvertuar në Partia Socialiste, vetëm qytetin e Kashnjetin. Më këndej, kujtimet për rezultatet e zgjedhjeve, i  kemi më të freskëta.

Në fund të këtij shkrimi përkujtimor, dua të përshëndes strukturat e 121 seksioneve të Partisë Demokratike në Lezhë, të gjithë simpatizantët dhe mbarë popullin lezhjanë, për shpirtin demokratik që manifeston dhe t’i bëj thirrje se: është koha t’i bashkohemi pa kushte  Partisë Demokratike dhe ta bojmë nga pushteti këtë bandë hajnash që po tallen me ne tash tetë vjet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco