Lajmi i fundit

LIVE/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Himarë për të zgjedhur kryetarin e komanduar

Basha në Shishtavec: Do të jem në krahun tuaj, jo me fjalë, por me subvencione

Basha në Shishtavec: Do të jem në krahun tuaj, jo me fjalë, por me subvencione

11:15, 05/12/2020
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka dëgjuar me vëmendje problemet e mëdha të fermerëve të Kukësit, të fshatrave Novosej e Shishtavec, për kultivimin dhe tregtimin e prodhimeve të tyre, sidomos patates së famshme të zonës.

Basha e quajti “mëkat”, mënyrën sesi është trajtuar kjo zonë nga shteti duke u braktisur plotësisht. “Është mëkat që një zonë me kaq shumë traditë ku prodhimet tuaja kanë bërë emër në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin ta gjej në një varfëri të tillë.

Është mëkat i dyfishtë që në një kohë kur njerëzit po vuajnë për ushqimet bazë ne nuk arrijmë të garantojmë shitjen e patates tuaj dhe nuk arrijmë të lajmë as shpenzimet që ju keni hedhur për ta rritur këtë patate. Shqipëria po mbytet me prodhime të subvencionuara të fermerëve të huaj. Pse?! Sepse ne nuk jemi në krahun tuaj, sepse qeveria nuk është në krahun tuaj.

Nesër ju garantoj që do të jem në krahun tuaj, jo me fjalë por me subvencione, me mbështetje direkte për fermerët. Kjo është rruga e vetme për të shpëtuar bujqësinë, për të ndalur emigracionin, se dhe t’ju ikë gjithë rinia në emigracion… Ndërkohë që ka pasuri të jashtëzakonshme vendi, ka mundësi të jashtëzakonshme”, - iu tha Basha banorëve të Novosejës.

Më pas Basha u ndal në fshatin tjetër, në Shishtavec. Edhe në këtë fshat situatë e njëjtë: fermerë të braktisur dhe krah pune gjithnjë e më i pakët.

“Asnjë lloj subvencionim asnjë lloj na duhet përkrahje nga qeveria nga shteti. Sektor më i vështirë që ekziston, bujqësia dhe blegtoria është një punë më e vështirë”, - i thotë Bashës një prej banorëve të moshuar të fshatit.

“Unë jam babai i 5 vajzave. Të gjithë me shkollë të mesme, tre me shkollë të lartë. Vajzën e fundit psikologe e kam. Ka dy vjet që ka mbaruar. Ka mbaruar me nota të shkëlqyera, psikologe, me master me të gjitha, ka dy vjet pa punë. Shko atje, kush ta var?! Të ishte djalë e kishte marrë rrugën vetë herët. Ç’të bëjmë! Jemi në borxh deri në fyt”, - rrëfen një tjetër banor që duhet të përballet me krizën e thellë ekonomike pa asnjë ndihmë.

Por megjithë këtë krizë, banorët kanë edhe mesazhe shprese për kryetarin Basha. “Këtu njerëzit kanë jetuar të gjithë me forcat e veta pa përkrahjen e shtetit. Po ti je i ri ma merr mendja, do t’i bësh ca gjëra edhe kam besim shumë të plotë”.

Shefi i opozitës iu tha këtyre banorëve se nuk premton mrekullira, por i garantoi ata se qeveria e ardhëshme do të jetë në krah të tyre për ti ndihmuar dhe jo për ti zhvatur. “Nuk do të bëjmë mrekullira, por kur e ke qeverinë në krah dhe jo duke gërmuar xhepat, por duke të ndihmuar me aq sa mundet të jesh i sigurt që gjërat do të jenë mirë për të gjithë këtë familje të madhe. Sepse qeveria është një familje e madhe. Kështu që të garantoj, do të kesh përkrahje.

Do të keni përkrahje, do të keni mbështetje nga qeveria e ardhshme. Gjërat do të ndryshojnë, kështu që të jemi bashkë se e di që është kohë e vështirë kudo, por ndryshimi është ai që iu thashë, prindi që kujdeset për fëmijën dhe prindi që nuk kujdeset për fëmijët, qeveria që kujdeset për qytetarët apo qeveria që e ka mendjen te vetja e vetë. Ka ardhur koha të kemi një qeveri në krahun tuaj, t’iu mbështes, t’iu përkrah të bëjë gjithçka për t’ua bërë më të lehtë jetën jo më të vështirë. Kjo do të jetë qeveria që do të vijë. Unë ju jap fjalën që në çdo aspekt do kemi sy për të parë, vesh për të dëgjuar problemet tuaja dhe së bashku do bëjmë maksimumin për t’i zgjidhur”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco