Basha nga Kukësi: Paketë ndihme ekonomike, t'i shpëtojmë nga falimentimi bizneset

Basha nga Kukësi: Paketë ndihme ekonomike, t'i shpëtojmë nga falimentimi bizneset

13:21, 04/12/2020
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot në Kukës ku u ndal në një punishte artizanale në këtë qytet.

Basha ishte në punishten e zonjës Hate Ora, me të cilën bisedoi për situatën e këtij lloj biznesi dhe në përgjithësi për situatën ekonomike në Kukës.

Lulzim Basha: Sa punonjës ke?

Hate Ora: Tani për momentin kam njerëzit e shtëpisë edhe të afërm katër pesë vetë, sipas porosisë i mbledhim.

Lulzim Basha: Përpara ke pasur më shumë apo jo?

Hate Ora: Kam pasur deri në 15 veta kam pasur kërkesa më shumë, kam punuar për kullën e Deçanit e të madhit Rustem Geci.

Lulzim Basha: Po, po.

Hate Ora: Edhe kam pasur 15 punëtorë edhe e kam pasur biznesin e hapur, jam përgjigj të gjitha rregullave pastaj më ra puna edhe e kam pezulluar për momentin.

Prej një viti puna ka rënë dhe kjo është reflektuar edhe në punësimin e grave dhe vajzave të Kukësit. Ndërkohë që vajzat e reja pasi mësojnë zanatin ikin në emigracion duke krijuar një vështirësi më shumë për punishten e zonjës Ora.

Lulzim Basha: Sa kohë ka që ka rënë puna?

Hate Ora: Puna sidomos sivjet ka rënë më shumë, ka ra puna. Kur ka pak punë punoj vetë se e kam dhunti vetë, logot e ndryshme që i bëjnë dhurata me dedikim njerëzve. I punoj vetë, janë vizatime aty që do ti shohim.

Lulzim Basha: Po ato zonja që kishe në punë përpara, tani që si mban dot në punë, ça bëjnë?

Hate Ora: Ato janë martuar, kanë dal jashtë për momentin, nuk janë disa këtu por gjej të tjera. Kam trajnu nxënëse disa herë. Janë martuar, kanë ikur larg jashtë shtetit dhe kam nevojë të trajnoj vajza të tjera.

Lulzim Basha: Pastaj ka biznese si ky i juaji, thashë që jeni dhe shkollë, në qoftë se ju largohen, akoma më keq në qoftë se largohen jashtë Shqipërisë, nuk është dikush që zëvendësohet me sot e me nesër. Sa kohë ju është dashur ju, të trajnoni ato gra, ato zonja? Sa kohë ju është dashur?

Hate Ora: Një vit!

Lulzim Basha: Një vit! Pra, në qoftë se të largohet dikush, nuk e zëvendëson dot nesër. Duhet prapë të marrë një vit trajnim, stazh që të jetë në gjendje të bëjë punën.

Hate Ora: Edhe s’kam kapacitet që t’i trajnoj ato pa më ndihmuar dikush.

Image

Situata ekonomike e krijuar nga kriza e thellë, ka ndikuar në çdo aspekt të jetës duke futur vendin në një zinxhir krize.

Lulzim Basha: Gjendje shumë e rëndë ekonomike dhe në këtë gjendje shteti ka detyra të veçanta. Ju tani jeni ngjit me Kosovën dhe po lexoja dje ndihma që jep qeveria e Kosovës për të gjitha bizneset, për të gjitha dhe për të gjithë njerëzit në marrëdhënie punë, të cilët për shkak të krizës, ose rrezikojnë të humbin vendin e punës ose s’kanë të ardhura ku janë të vetëpunësuar. Kosova, zonja Hate ju e dini ka gjysmën e buxhetit të Shqipërisë pra, dhe prapë se prapë kanë ndarë paketën e parë, të dytën, të tretën, Maqedonia po ndan të katërtën. I vetmi vend me ndihmën më të ulët ekonomike në Europë mbetëm ne, dhe kjo ka shkaktuar një vuajtje e një dhimbje të jashtëzakonshme te familjet shqiptare në radhë të parë. Ju e dini vetë se Kukësi është në krye të listës të varfërisë e papunësisë dhe pastaj për efekt të uljes së konsumit dhe rënies së të ardhurave të tyre , natyrisht ti ke bizneset dhe unë kam shkuar dhe i kam parë. Kur ka rënë xhiro tek dyqani i bukës dhe tek ushqimorja imagjino tjerat. Po, në këto kushte qeveria duhet të ndihmojë. Duhet ta zgjidhë qesen për ju , se qesja po zgjidhet vetëm për një grup njerëzish. Ndërkohë që shumica dërrmuese e njerëzve nuk po marrin asgjë në këtë kohë. Xhiro ka rënë, detyrimet i shtyni, ndihmë s’keni marrë? E njëjta histori kudo. Kjo vetëm e thellon krizën. Dhe në fund të kësaj humbin të gjitha palët. Humbni ju, humbin punëmarrësit tuaj, ata punonjësit që keni dhe detyroheni, humbet dhe shteti. Edhe shteti nuk është në gjendje të vjelë detyrime apo t'i kthejë ato detyrime në shërbime ndaj qytetarëve.

Rruga e vetme për t'i dalë përpara kësaj të keqeje ishte ajo që kemi propozuar prej marsit. Paketa ndihme ekonomike dhe financiare për të gjithë familjet në nevojë dhe për biznesin në veçanti për biznes si i juajin i cili pa këtë ndihmë rrezikon falimentin. Dhe do kesh gjithë përkrahjen dhe gjithë ndihmën, për të rindërtuar biznesin, sipërmarrjen, prodhimin në majat më të larta që e ke pasur, pse jo edhe më mirë.

Hate Ora: Fjala jote në vesh të Zotit!

Zonja Ora i dhuroi kryetarit Basha një punim të saj me një mesazh shumë domethënës.

Hate Ora: Kjo shiko çfarë kuptimi ka. Gruaja duar arta e shoqërisë. Ruan malin, ruan delet, tjerr leshin e deles edhe mban familjen.

Lulzim Basha: Ky është mesazhi më I bukur dhe unë meqë ma the këtë do të të them këtë tjetrën. Një shoqëri nuk ka për të ecur dot para kurrë, çfarë do që të bëjë, pa i dhënë gruas vendin që meriton. Dhe po ta them nga zemra. Edhe si kryetari i Partisë Demokratike dhe i opozitës edhe si bashkëshort edhe si prind i dy vajzave që t'i japim gruas vendin që meriton në shoqëri dhe në ekonomi është bindja dhe prioriteti im absolut. Duke nisur me barazinë e të ardhurave midis grave dhe burrave, se ka një diskriminim të madh, një hendek të madh pagesash, duke vazhduar me të gjitha mbrojtjet ligjore dhe me promovimin, si me thënë diskriminimin pozitiv për gratë, për nënat , për vajzat shqiptare se jeni krenaria jonë, jeni thesari i këtij kombi, - tha Basha

Kryetari Basha u njoh nga afër me këtë traditë të ruajtur ndër vite nga zonja Ora e cila synon që jo vetëm ta ketë si mundësi jetese, por edhe si një shans për të trashëguar brez pas brezi një traditë të prodhimit 100 përqind shqiptar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco