Meta citon Hafiz Sabri Koçin: O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët

Meta citon Hafiz Sabri Koçin: O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët

12:26, 16/11/2020
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot rihapjen para 30 -vjetësh, të Xhamisë së Plumbit në Shkodër, të parës xhami të hapur në Shqipëri pas rrëzimit të regjimit totalitar. Faljen e parë historike e mbajti i nderuari Hafiz Sabri Koçi para 50 mijë besimtarëve myslimanë.

Presidenti Meta ka shprehur me kë rast, konsideratën më të lartë për Hafiz Sabri Koçin dhe ka cituar një thënie madhështore të tij kundër hakmarrjes.

Po ashtu, ka publikuar një foto me Myftiun e Shkodrën, imam Muhamed Sytarin, i cili ndodhet sot i sëmurë nga COVID në një nga spitalet e Turqisë, bashkë me babanë e tij po ashtu të infektuar.

Presidenti e ka nisur mesazhin e tij me një varg të famshëm kuranor. Në vijim, mesazhi i kreut të shtetit.

Nga Ilir Meta:.

"E, pas vështirësisë vjen lehtësimi." Kuran, El-Inshirah:5

Rihapja, 30 vite më parë, e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, është një ngjarje historike për komunitetin mysliman dhe për mbarë popullin shqiptar, që kujton sot një ditë të rëndësishme të rikthimit të lirisë së besimit dhe së drejtës së shprehjes, të mohuara për dekada terrori.

Regjimi totalitar ateist e goditi egërsisht dhe e ndaloi fenë, shkatërroi objektet e kultit, persekutoi klerikë dhe besimtarë, por nuk mundi të mposhte besimin e shqiptarëve te Zoti. Me ndryshimet demokratike, myslimanët shqiptarë rifituan liritë fetare dhe, me në krye udhëheqësin e ndritur Hafiz Sabri Koçi, ringritën nga hiri institucionet e kultit.

Shpreh respektin dhe vlerësimin tim për jetën e veprën, si dhe ju bashkohem lutjeve për shpirtin e këtij kleriku të nderuar e të paharruar, për bashkëpunëtorët e tij, si dhe për të gjithë rininë e qytetarët e Shkodrës, të cilët në 16 nëntor 1990 sfiduan me kurajë diktaturën dhe rikthyen shpresën tek besimtarët.

Frymëzuese do të mbetet përherë lutja e Hafiz Sabri Koçit, i cili edhe pse kaloi një kalvar vuajtjesh në burgjet komuniste për gati dy dekada, nuk bëri kurrë thirrje për hakmarrje, por na mësoi: “O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët me zullumqarët, njëri me tjetrin, të paguajnë hakun ndërmjet tyre.”

Mirënjohje për të gjithë klerikët myslimanë shqiptarë, simbole të përkushtimit ndaj Atdheut e idealeve kombëtare, vlerave hyjnore e njerëzore, të cilët përgjatë gjithë historisë kanë dhënë, me shumë sakrifica, një kontribut të vyer në drejtim të çështjes shqiptare, lirisë, demokracisë dhe forcimit të shtetit modern shqiptar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shqiptari16/11/2020 18:32

PO TI, O LIKE META, KU HYN? QE NGA VITI 1990 PRESIDENTET E AMERIKES, PRESIDENTET E EVROPES, KANCELARET E GJERMANISE DHE AUSTRISE, KRYEMINISTRAT E VENDEVE TE EVROPES JANE HARRUAR, ASKUSH NUK I KA PARE ME ASGJEKUNDI, PERVEC SE TE ZHYTUR NE JETET E TYRE PRIVATE, LARG PUBLIKUT DHE LARG POLITIKES. NDERSA TEK NE NUK I SHQITEN QE NUK I SHQITEN POLITIKES, PUSHTETIT DHE NUK LARGOHEN KURRE NGA VJEDHJA E SHTETIT! NUK PO ZBRESIN QE NUK PO ZBRESIN KURRE NGA SHPINA E KERRUSUR E POPULLIT TE SHUMEVUAJTUR! PO I LUTEM UNE ZOTIT, O LIKE: O ZOT, NA I HIQ QAFE KETA SATRAPE TE NDYRE!

Noni16/11/2020 15:23

Sipas presidentit , populli duhet vetem te ngre syte nga qielli e ti lutet zotit per atdheun , idealet kombetare si dhe vete jeten e tyre sketerre ne te cilen i kane zhytur banda 30 vjecare e politikaneve te babezitur , te cilet , deri , bere*et i kane xhvatur ketij populli .

Shto koment

Denonco