Për popullin e dinë ekspertët, për ministrat e di Rama

Për popullin e dinë ekspertët, për ministrat e di Rama

15:51, 14/11/2020
A+ Aa A-

Burime të besueshme, bëjnë me dije se të gjithë ministrat apo zyrtarë të lartë të qeverisë që kanë kontakt me Kryeministrin, janë të detyruar t’i nënshtrohen testit për Covid-19, çdo javë. Kjo për arsye sigurie, për të mbrojtur shefin.

Dhe nuk tingëllon keq. Ministrat nuk presin sigurisht me ditë që t’u vijë ambulaca pas thirrjes në numrin 127, dhe as me ditë të tjera për të marrë rezultatet, por i kryejnë ekzaminimet në qendra spitalore ose klinika private, sepse xhepi ua mban kaq shpenzim.

Problemi është tek dy standardet.

Prej nisjes së pandemisë, në fillim të vitit, Ramës i është kërkuar nga specialistë, po sidomos nga Opozita, që të bëjë sa më shumë testime.

Testimet do të ndihmonin për të parë gjendjen reale të shtrirjes së virusit, dhe do të parandalonin përhapjen masive, po do të kursenin edhe jetë.

Gjatë gjithë kohës, Rama ka kundërshtuar, duke u shprehur se testimet masive nuk do të sillnin efekt, dhe në fund të fundit, ai ka larë duart duke thënë se këtë e dinë specialistët dhe janë ata që e marrin vendimin.

Ky ka qënë edhe debati më i madh.

Ekspertët pra e dinë dhe vendosin për popullin. Ndërsa për ministrat, e di dhe vendos Rama.

Nuk ka asgjë që nuk shkon tek testimet private, për ata që i kanë mundësitë. Dhe sa më të shpeshta, aq më mirë. Problemi është për një pjesë të madhe të popullsisë që nuk e përballon dot këtë seancë prej 100 eurosh. Ndaj ekziston qeveria, që t’ua mundësojë atyre. Veçanërisht në Shqipëri, ku rilindja ka mundësuar tashmë shëndetësinë falas./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco