Edhe pas tetë muajve, Durrësi vetëm me 12 aparatura oksigjeni! Pamje nga dhoma e spitalit

Edhe pas tetë muajve, Durrësi vetëm me 12 aparatura oksigjeni!

11:30, 13/11/2020
A+ Aa A-

Ferdinand Xhaferraj, kryetari i PD në Durrës, ka denoncuar me foto, gjendjen e mjerë të spitalit rajonal të Durrësit, ku edhe pse kanë kaluar tetë muaj që nga fillimi i pandemisë, në këtë spital mund të kurohen e shumta 20 pacientë me COVID! Xhaferri shprehet se kjo është kostoja katastrofike e “shëndetësisë falas"!

“Janë bërë 8 muaj nga konfirmimi i rastit të parë me Covid-19 në vendin tonë, ku çdo masë e marrë ka qënë e pamjaftueshme ose totalisht absurde, - tha Xhaferraj. - Si rrjedhojë, ndonëse jemi një vend i vogël dhe që mund ta përballojmë më mirë pandeminë, gjendemi përpara një kaosi total ku qytetarët e prekur nga ky virus tinzar u duhet ta përballojnë të vetëm atë.

Kostot katastrofike të "shëndetësisë falas" po i ndjejmë çdo ditë kur paguajmë faturat në farmaci, kur marrim me qira aparaturat e oksigjenit dhe kur thërrasim infermierët të na shërbejnë në shtëpi.

Mjekët dhe infermierët e rraskapitur nga muaj të tërë ngarkese fizike dhe psikologjike, nuk kanë kushtet, mjetet dhe medikamentet e nevojshme për lehtësimin e punës së tyre.

Përkatësisht, në spitalin e Durrësit, qyteti i dytë më i madh në vend, gjenden vetëm 12 aparatura për oksigjen, ku vetëm 8 prej tyre janë të mirëfillta dhe 4 janë të sajuara(!!).

Me hapjen prej sot të repartit të kujdesit paliativ për të sëmurët me Covid-19, shtohen vetëm 8 bombula oksigjeni.

Pra, spitali i Durrësit mund t'i shërbejë gjithsej 20 personave me Covid-19, duke rrezikuar edhe të tjerët që kanë nevojë për mjekimin nga sëmundje të tjera.

Ndonëse kishin plot 8 muaj për të shtuar kapacitetet, sot gjendemi përpara një kaosi ku të sëmurët dhe mjekët nuk kanë as infrastrukturën bazike për të lehtësuar trajtimin e rasteve.

Këto muaj e kanë bërë edhe më të dukshëm dështimin e Ramës, pasi nuk mund të bësh shëndetësi me PPP dhe nuk mund të luftosh pandeminë me lajmet alternative të ERTV-së.

Fakti është se Rama u ka vjedhur qytetarëve në nevojë për trajtim dhe mjekëve në shërbim, jo vetëm mundësinë për të përballuar siç duhet pandeminë, por edhe dinjitetin.," përfundon Xhaferraj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco