Bashkitë refuzojnë inceneratorin i Elbasanit, nuk depozitojnë mbetjet

Bashkitë refuzojnë inceneratorin i Elbasanit, nuk depozitojnë mbetjet

20:20, 29/10/2020
A+ Aa A-

Qeveria shqiptare e prezanton inceneratorin e përpunimit të mbetjeve të Elbasanit si një gur xhevahiri në planet e saj për praktikat koncensionare në këtë fushë menaxhimi.

Por, ndërkohë që inceneratori, sipas autoriteteve qeveritare, ka hyrë në vitin e gjashtë të aktivitetit, më shumë se gjysma e bashkive të Qarkut Elbasan kanë refuzuar të transportojnë mbeturinat e tyre pranë impiantit të përpunimit, të ndërtuar nga shoqëria koncensionare “Alb-Tek Energy”.

Qarku i Elbasanit përbëhet nga 7 bashki. Tre prej tyre, fillimisht Elbasani, më tej Cërriku dhe në fund Librazhdi, vendosën në seri që të dërgonin mbetjet e tyre në inceneratorin e Elbasanit.

Ndërkohë, 4 bashki të tjera, Peqini, Prrenjasi, Belshi dhe Gramshi nuk preferojnë që t’i bashkohen projektit të incenerimit. Shkaku kryesor duket se janë kostot e larta të transportimit të mbetjeve nga këto bashki drejt Elbasanit.

Qarku i Elbasanit është, në përgjithësi, me territor malor, gjë e cila e vështirëson transportin, si edhe rrit kostot për bashkitë e varfra të zonës. Këto 4 bashki i kanë rezistuar edhe presioneve nga autoritetet e larta qeveritare për të depozituar mbeturinat e tyre në inceneratorin e Elbasanit.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, në një vizitë në vitin 2018 në impiantin e ndërtuar nga “Alb Tek Energy”, deklaroi se: “Impianti ka nevojë për më shumë mbetje dhe kjo është një çështje që duhet ta trajtojnë baskitë, por edhe qeveria në terma afatgjatë, pasi problemi i mbetjeve do të jetë një problem serioz për Shqipërinë”.

Sipas tij: “Ajo çka duhet tu imponojmë qytetarëve, por edhe autoriteteve që duhet të marrin masat është që mbetjet të grumbullohen aty ku duhet të grumbullohen dhe të depozitohen në këtë impiant që ka edhe anën tjetër pozitive që prodhon energji elektrike”.

Deklaratat e Gjiknurit nuk duket se janë materializuar nga bashkitë “rebele”. Këtë e konstatoi edhe Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, në fund të qershorit 2020.

Në një vizitë në landfillin e Peqinit, Klosi deklaroi se: “Bashkitë, në kuadër të projekt buxhetit të vitit 2021, të fillojnë të mendojnë që mbajtja e mbetjeve në qytetet nuk është zgjidhje, duhet çuar në landfillet qendrore. Do të punojmë fort që të gjitha instrumentet që kemi në dorë, por edhe me zbatimin e ligjit, për t’i nxitur Bashkitë që të procedojnë duke i çuar mbetjet në landfillet rajonale”.

Megjithëse ministrat e qeverisë “Rama” kanë përdorur nota kërcënuese, sërish pjesa më e madhe e bashkive të Qarkut Elbasan nuk kanë vendosur të depozitojnë mbetjet në inceneratorin e Elbasanit. Ky fakt pranohet edhe nga Ministria e Financave, në raportin e performancës së koncesioneve, publikuar në qershor 2020.

“Sasia e mbetjeve të rikuperuara në vit e parashikuar në kontratë është 43,200 ton/vit. Për vitin 2019 janë rikuperuar 33,104 ton apo 23,4% më pak se sasia e parashikuar në kontratë, për shkak se jo të gjitha Bashkitë e Qarkut të Elbasanit (Peqin, Prrenjas, Gramsh dhe Belsh) i dërgojnë mbetjet në impiantin e ndërtuar”, thuhet në raport e Financave, duke konfirmuar se projekti për inceneratorin e Elbasanit është një projekt i pamenduar mirë.

Bashkitë që depozitojnë mbetjet tek inceneratori i Elbasanit

1. Bashkia Elbasan

2. Bashkia Cërrik

3. Bashkia Librazhd

Bashkitë që nuk depozitojnë mbetjet tek inceneratori i Elbasanit

1. Bashkia Belsh

2. Bashkia Gramsh

3. Bashkia Prrenjas

4. Bashkia Peqin

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco