A e kaloi znj.Hajna testin fizik?/ Publikohet letra e aplikantit që u dogj nga BKH

A e kaloi znj.Hajna testin fizik?/ Publikohet letra e aplikantit që u dogj nga BKH

16:42, 29/10/2020
A+ Aa A-

Zhvillimi i garës për plotësimin e vendeve të BKH-së nuk ka kaluar pa ankesa dhe ka aplikantët pjesmarrërrës.

Nga media kemi mësuar se është bërë dhe një padi për organizatorët e konkursit për vendet e BKH-së.

Sot është publikuar letra e një prej aplikantëve I cili u ‘dogj’ nga BKH, ku ndër të tjera pyet nëse znj.Hajna testin fizik.  

‘Duke qenë se nuk pata fatin e madh të marrë pjesë në fazën e testit esse, do të përpiqem të shkruaj një esse me temë “Testi i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe anët negative”, për të cilën ju, mbase edhe me të drejtë, do të thoni se është njësoj si të krahasosh Hajnën me Huverin’.

Nga “Aplikanti”

Po ju shkruan një prej 300 “humbësve” të testit fizik të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pata vendosur, që me të gjithë zhgënjimin personal, të mos ndjehesha lidhur me garën, kushtet e zhvillimit të saj, organizimin dhe transparencën e testit fizik, por ndërrova mendim kur, papritur, dje në media pashë të shfaqur një reagim të SPAK-ut, i cili për herë të parë ata që nuk kaluan testin fizik i quajti “humbës”. Për SPAK-un ata nuk ishin të skualifikuar, por “humbës”. Subkoshienca e organizuesve të testit me ç’duket foli qartë me përzgjedhjen e fjalës: HUMBËS.

Më marrshit të keqen, mendova! Pa t’ia nisim qëmtimit.

Duke qenë se nuk pata fatin e madh të marrë pjesë në fazën e testit esse, do të përpiqem të shkruaj një esse me temë “Testi i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe anët negative”, për të cilën ju, mbase edhe me të drejtë, do të thoni se është njësoj si të krahasosh Hajnën me Huverin.

Mëngjes. Data 14 tetor. U paraqita në Pallatin e Kongreseve për të marrë pjesë në testin e arsyetimit logjik. Një ekran i stërmadh elektronik në sallën ku zhvillohet testi më tërheq vëmendje. Në këtë ekran u shfaqën pamje se si procedohej dhe u shpjegua, që mjaftonte të përgjijeshe saktë në 12 nga 30 pyetjet dhe do të kaloje në fazën tjetër.

Më vonë, mësova se edhe në testin logjik të FBI-së mjaftonte e njëjta sasi pikësh për të kaluar, megjithëse personalisht m’u duk një prag shumë i ulët.

Unë u radhita ndër 40 konkurrentët e parë në këtë test, por nuk isha ekselent si 5-6 të parët me pikë të plota. Nga ky test kaluan 403 nga 424 kandidadatë të regjistruar, pra u skualifikuan vetëm 21, nga të cilët disa as nuk ishin paraqitur. Nuk pati asnjë kontestim për pikët apo për renditjen në këtë test. Vijojmë…

Mëngjes. Ditë e re. Data 19 tetor. U paraqita në repartin “Renea” në Yzberisht, për të marrë pjesë në testin fizik. Kam veshje sportive, kam ujë me vete dhe një peshqir për të fshirë djersët, siç do të bënit edhe ju në vendin tim. Pa dale!

Më bën menjëherë përshtypje se pista e garimit ishte katrore. Katrore, me cepa. Pistë katrore garimi shpejtësie. Në garën e 300 metrave, e cila presupozohet të ishte garë shpejtësie, garuesit përplaseshin shpesh në këndin e parë që hasnin. Vrapo dhe hoop, përplaseshin në këndin 90- gradësh të pistës, ku u duhej të ngadalësonin në kthesë dhe të përshpejtonin sërish kur dilnin nga kthesa.

Në këtë test, ndryshe nga hera e parë, nuk kishte asnjë pajisje elektronike, as ekran, as GPS, as matës. Këtë radhë organizatorët ia kishin besuar matjen dhe pikëzimin Kaçit nga Poliçani dhe jo pajisjeve moderne. Arsyen pse, as Kaçi nga Poliçani, as kronometristët, as bilbilistët e askush, përfshirë edhe mua, nuk mund ta shpjegojë. FBI-ja shqiptare, në kohën ku prej një dekade e më tepër, kronometrimi është digjitalizuar e chip-ëzuar, ia beson modës së vjetër. Në cdo garë kishte një instruktor nga Akademia e Policisë, që masnin kohën “fshatçe”, me kronometër mekanik.

Këtu më lindën disa pikëpyetje të tjera të mëdha: duke qenë se gati gjysma e garuesve ishin oficerë policie, atëherë, pse matjen e kohës duhet ta bënin disa oficerë të tjerë policie dhe jo një palë asnjëanëse? Fjala vjen, pse nuk mund ta kryenin këtë matje përfaqësues nga Fakulteti i Sporteve?

Një ndër garuesit, për më tepër, kujtoj se ishte një komisioner i vetting-ut të policisë. Një komisioner i vetting-ut të policisë garonte me mua, në një garë që “arbitrohej” nga police të tjerë? A është kjo e drejtë, e barabartë, po serioze a është? A mundet, që kohën e garës së tij ta masin vartësit e drejtorit të Akademisë së Policisë, i cili është subjekt i drejtpërdrejtë i vetting-ut në polici? A nuk cënon kjo edhe garën e BKH-së, edhe vetë vetting-un në Polici?

Po ju jap një lajm të madh: Ky garues, megjithëse ishte me moshë tek të 50-tat, e fitoi testin.

Unë e fillova garën pas 6 orësh pritje në diell dhe si qershi mbi torte, në këtë kohë pandemie, ishte se kanatieren me numër, që do të duhej të mbaja veshur gjatë garimit, e kishin djersitur përpara meje 6 garues të tjerë. Ndoshta kam patur fatin, që djersa e një fituesi është bërë njësh me djersën e një humbësi si unë. Kjo, nuk u tha për mediat nga SPAK-u.

U tha në rikujtimin e SPAK-ut se humbësit e dinin, se këtu i thonë FBI e jo shaka, por çfarë i pengoi të thonin cili ishte pragu për të kaluar testin fizik, pasi një ngordhalaq si unë nuk do të mundohej të jepte shpirtin për të bërë 2,400 m në 8 minuta e 59 sekonda, ashtu si kërkon FBI, sepse jam aq koshient për limitet e mia fizike. Asnjë garues nuk e arriti kohën që kërkon FBI dhe për këtë shkak në listën me 103 fitues që shpalli BKH, nuk u bë transparente koha e garës së arritur nga gjithësecili.

Unë ngre pyetjen: cila ishte koha e garës së gjithsecilit? Ngre dhe një çështje tjetër: a janë filmuar këto? A janë dokumentuar kohët dhe paraqitjet e gjithsecilit? Dyshoj. Kam të drejtën ta bëj. Media mund të mësoj më shumë sot, nesër, apo kurdo të jetë e thënë. Ju ftoj ta bëni, do të gjeni furnizim të bollshëm si për redaksitë e lajmeve, aq edhe për programacionet e humorit.

Po vijoj me disa pyetje të tjera: A e ka arritur znj. Hajna, në testin e saj fizik, kohën e kërkuar nga FBI?

Unë mendoj që jo, duke u nisur nga konstrukti i saj trupor e për këtë, në parantezë, kërkoj ndjesë. Jam kurioz të di kohën dhe paraqitjen e saj. Ajo do të thoshte, me gjasë, se edhe Huverin në kohë të vetë as nuk do të mendonte njeri ta fuste ne test fizik. Ku i dihet! Unë këtë nuk kam nga ta di, as unë, as humbësit e tjerë, të treqindët, as Kaçi i matjes së kohës, askush.  Për mbyllje, këtë esse po e le pa mbyllje.”

Shënim: Autori është një nga 300 aplikantët e skualifikuar në garën e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që për qëllime personale ka zgjedhur të ruajë anonimatin./ Dosja.al/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco