Presidenca i përgjigjet Ramës: Bën mirë të lexosh Kushtetutën

Presidenca i përgjigjet Ramës: Bën mirë të lexosh Kushtetutën

11:34, 28/10/2020
A+ Aa A-

Presidenca ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Rama pas letrës që presidenti Ilir Meta ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë në kuadër rë situatës pandemike.

Rama në reagimin e tij tha se Meta s’ka kompetenca të kërkojë llogari nga Ministria e Shëndetësisë, por zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka nxjerrë dy nene, saktësisht nenin 23 pika 2 dhe neni 93 gërma H.

Blushi përmes një postimi në rrjetin social thekson se kryeministri para se të kthejë përgjigje duhet të lexojë me kujdes të vetmen Kushtetutë që ekziston në Republikën e Shqipërisë.

Ndër të tjera ai shkruan se Presidenti Meta ka bërë gjithçka, brenda kompetencave që i jep Kushtetuta dhe ligji, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19 dhe i kujtojmë Kryeministrit ende në detyrë se edhe ai vetë e ka falenderuar publikisht për këtë.

Postimi i plotë:

Shumë i shqetësuar nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrit të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve që kanë humbur jetën, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, sikundër u bë sot publike, i është drejtuar me një letër zyrtare ministres së Shëndetësisë, Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit, në respekt edhe të Kushtetutës:

???? NENI 23, PIKA 2

“Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore”

???? NENI 93, GËRMA “H”

Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:

h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.

Kryeministri ende në detyrë, së pari bën mirë të lexojë me kujdes të vetmen Kushtetutë që ekziston në Republikën e Shqipërisë.

Së dyti i kujtojmë se është dekretuar për të qenë edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe jo ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Presidenti Meta ka bërë gjithçka, brenda kompetencave që i jep Kushtetuta dhe ligji, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19 dhe i kujtojmë Kryeministrit ende në detyrë se edhe ai vetë e ka falenderuar publikisht për këtë.

Presidenti Meta pret me shumë durim përgjigje për të gjitha pyetjet e adresuara sot ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sikundër është në pritje, në vijim edhe të komunikimit të drejtpërdrejtë që ka patur me znj.Manastirliu, për të sjellë propozime për vlerësimin e figurave të shquara të mjekëve e infermierëve me kontribut të vyer në luftën kundër COVID-19.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco