Lajmi i fundit

LIVE/ Nis protesta e qytetarëve para Bashkisë së Tiranës

A thua e hëngrëm prapë?! Testo, izolo, gjurmo!

A thua e hëngrëm prapë?! Testo, izolo, gjurmo!

08:28, 25/10/2020
A+ Aa A-

Nga Dritan Shano.

A thua e hëngrëm prapë?!

Mendoj se reagimi i qeverive ndaj Covid-19 dhe sidomos pranimi lehtësisht i kufizimeve të imponuara prej tyre nga njerëzit, i ka hapur rrugë nënshtrimit pa rezistencë ndaj pushtetit, sapo ky i fundit artikulon se është për të mirën e përgjithshme. Nëse kjo vijon më tej atëhere “Rendi i Ri Botëror” nuk do jetë demokratik, por totalitar.

A thua mjaftoi një virus kinez për të rrëzuar demokracinë?! A zëvendësoi virusi revolucionin?! A është kjo lufta finale, vendimtare mbi dhe?!

Përveçse kur dominohesh nga një mendësi totalitare, mendoj se është e gabuar të besosh që e vetmja formë efektive veprimi është të bësh diçka nga frika e ndëshkimit, ose i detyruar me forcë nga qeveria.

Të vepruarit nga frika dhe të detyruar me forcë kurrë nuk japin rezultate të qëndrueshme, pavarësisht sesa “bindshëm” e përkufizon kërcënimin kundër të cilit mobilizon dhunën qeveria.

Kjo mënyrë të vepruari pranohet kollaj nga njerëzit që kanë vështirësi të kuptojnë lirinë dhe rekrutohen me "gatishmëri të lartë" në ushtrinë apo Frontin Popullor të violencës konformiste mbi të tjerët, me argumentin e njohur marksist-leninist të të vepruarit "për të mirën e përgjithshme"; argument i cili eliminon nevojën për të dhënë prova dhe shpjegime, dhe zhduk përgjegjësinë konkrete individuale në favor të përgjegjësisë teorike kolektive.

Më shumë sesa të bindte njerëzit për një nivel më të lartë higjiene, qeveria arriti t’i bindte ata se njeriu tjetër ishte armiku i jetës së tyre, jo virusi dhe as mungesa personale e higjenës psh. Kjo, jo vetëm i dha mundësi qeverive të mos pranonin se izolimi është i gabuar, nuk të mbron nga virusi, por përkundrazi vijon edhe sot t’i lejoje atyre të vendosin kufizime të jetës dhe ekonomisë.

Qeveritë nuk do ta pranojnë kurrë me vullnet të lirë se gabuan. Por, jo vetëm që jeta dhe ekonomia jonë nuk janë pronë e qeverisë, jo vetëm që jeta është përgjegjësi individuale, por parimi i qeverisjes demokratike ka qenë dhe duhet të mbetet që kur qeverisë i mungojnë provat për kërcënimin, atëhere ajo nuk mund dhe nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim.

A mund, a duhet të jetë provë shkencore mbi të cilën qeveria ime kufizon jetën time, lirinë time, biznesin tim këtu në Shqipëri - pamja filmike se çfarë ndodh në Kinë, apo qoftë edhe në Bergamo? Apo shih rrushi rrushin dhe piqu kungulli ne tjeglla?!

Testo, Izolo, Gjurmo!

Të tjerat, përfshi edhe maskat në rrugë, janë pallavra për të mbuluar rrugën e shkurtër të qeverisë tek totalitarizmi dhe kontrolli i jetës, ekonomisë dhe mendjes së njerëzve – këto nuk janë çështje shëndeti por pushteti. Totalitar!
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco