Modeli 'Rama': Rrit taksat për qytetarët, shto koncesionet për miqtë

Modeli 'Rama': Rrit taksat për qytetarët, shto koncesionet për miqtë

12:09, 24/10/2020
A+ Aa A-

Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë të njëjtën prerje sa i takon menaxhimit të buxheteve dhe taksave të qytetarëve. Të dy kanë rritur taksat dhe tarifat, dhe të dy i dërgojnë paratë te klientela në format e koncesioneve dhe tenderave pa garë. Për vitin elektoral 2021 qeveria mendon të rrisë borxhin publik me 880 milionë euro duke e çuar në 90% të GDP, ose vetëm 1.5 miliard euro larg shifrës 100%. Borxhi i lartë, mungesa e shërbimeve për qytetarët, korrupsioni ekstrem apo gjyqësori joefektiv janë shenjat tipike të një shteti të falimentuar. Megjithatë, Rama vijon të kërkojë një mandat të tretë. E ngjashme ka qenë sjellja e Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës me taksat e qytetarëve në këto vite, ku rezulton që Rama së bashku me borxhet të ketë shpenzuar më shumë se 30 miliardë euro, ndërsa  vetëm Veliaj 700 milionë euro. Gazeta MAPO bën një hulumtim të plotë se si sillen me financat dy njerëzit me më shumë buxhet dhe pushtet në Shqipëri.

Sociologu gjerman Max Weber kur shpjegon kushtet e falimentimit të shtetit shprehet se, “Në mënyrë tipike do të thotë se shteti është bërë joefektiv. Nuk është në gjendje të zbatojë ligjet e tij, apo të sigurojë shërbimet themelore për qytetarët, për shkak të kriminalitetit të lartë, korrupsionit ekstrem, një gjyqësori joefektiv, apo një ndërhyrjeje ushtarake”. Përveç arsyes së fundit, Shqipëria prej të paktën katër vjetësh noton në të tilla ujëra. Qeveria sot nuk mundet të sigurojë shërbimet themelore për qytetarët, korrupsioni ka infektuar çdo qelizë të qeverisjes, kriminaliteti është shtruar këmbëkryq të paktën në qytetet e mëdha, gjyqësori është bërë joefektiv dhe prej tre vjetësh nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Sipas revistës Monitor, Shqipëria sot renditet e para në Evropë për lidhjen e kontratave tip PPP, kontrata më dyshime të forta korrupsioni, që në shumicën e rasteve kanë gllabëruar në favor të një grushti njerëzish resurset dhe të ardhurat e vendit.

**
Rama kërkon një mandat të tretë të pushtetit, në një kohë kur qeverisja e tij që nga 2016 e deri më sot ka marrë 3.2 miliardë euro borxh. Një tjetër shifër e frikshme pritet të merret dhe për vitin 2021, që është vit elektoral, rreth 880 milonë euro, çka rrezikon ta çojë nivelin e borxhit në mbi 90% të GDP. Eksperti Selami Xhepa, në një dalje televizive u shpreh se në rast se vazhdohet me këto ritme borxhi do të shkojë në 100% të GDP. Pra, në rast se GDP e Shqipërisë është rreth 15 miliardë euro në vit, sot jemi në nivelet e 13.5 miliardë euro të borxhit. Shqipërinë e ndan nga kufiri i 100%, vetëm 1.5 miliard euro. Në rast se i shtojmë dhe paratë e buxhetit, rreth 27 miliardë euro ne 7 vjet  që qeveria vjel nga taksat rezulton se Rama ka pasur në dispozicion rreth 30 miliardë euro, të cilat në një pjesë të mirë të tyre janë shpërdoruar.

**
E megjithatë Rama kërkon një mandat tjetër qeverisje. Në praktikën botërore qeveria në situata të tilla ka ndjekur dy rrugë. Ose kanë shpallur zgjedhjet e parakohshme, të cilat i japin një tjetër hov ekonomisë, ose kanë shpallur falimentimin. Greqia është rasti ku zgjedhjet e parakohshme kanë funksionuar, ndërsa Belize, shtet në Amerikën e Jugut, shpalli falimentin për shkak të pamundësisë së pagesës të interesave të borxhit. Panorama bëhet më e zymtë, po të mendosh se për vitin 2021, Rama ka planifikuar dhe 1.7 miliard koncesione të reja, në një kohë kur sipas parashikimeve të bankës botërore, për vitin 2021, rritja ekonomike do vazhdojë të jetë me ritme nën pozitive. Sipas këtij raporti, përgjatë pandemisë rritja ekonomike shënoi -8.4 për qind, dhe do ketë një rikuperim prej rreth 5%. Pra, për vitin 2021, Shqipëria do shënojë shifrat e -3.4 pikë përqindje.

**
Me pak fjalë, kjo mënyrë menaxhimi do i prekë të gjithë. Doemos kjo situatë do sjellë rritje taksash, sidomos në ato komunale. Tirana mban vendin e parë, e cila përfiton jo pak para dhe nga transferta e pakushtëzuar e qeverisë. Sipas një përllogaritje të MAPO, kryetari i bashkisë më të madhe në vend ka përfituar në 5 vjet buxhetin që kanë përfituar në 15 vjet paraardhësit e tij, Rama dhe Basha. Rreth 700 milionë euro, ose rreth 5 % e GDP të të gjithë vendit kanë shkuar vetëm si pagesa për Bashkinë e Tiranës, e cila vazhdon të vuajë ndotjen e ajrit, trafikun e çmendur dhe kufizimin e hapësirave të gjelbra.

TIRANA
Taksat e Veliajt – Në 5 vite ka përfituar 700 milionë euro

Shuma e arkëtuar në vetëm pesë vite nga Bashkia Tiranë është e përafërt me buxhetin e 15 viteve që kanë përfituar paraardhësit e tij, Rama dhe Basha që prej vitit 2000.Trefishimi i taksave, rritja e çmimit të ujit apo vendosja e tarifave të pastrimit dhe parkimit, ka bërë që Veliaj të ketë buxhetin më të madh në historinë e Tiranës pas pluralizmit. Por sipas një vëzhgimi nga Gazeta MAPO më shumë se gjysma e tyre shkojnë për paga ose shpenzime operative, siç janë karburanti apo blerja e makinave. Bashkia nuk i ka kthyer në shërbime, investime apo përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët, paratë që u ka marrë me taksa të rritura dhe gjoba.

Bashkia e Tiranës, me ardhjen e Erion Veliajt ka njohur një rritje të panjohur më parë të taksave. Vetëm në 5 vjet, ai ka administruar një fond gati të barabartë me shumën që ka shpenzuar Rama në tri mandate në krye të Bashkisë së Tiranës, dhe Basha në katër vitet e tij. Janë rreth 793 miliardë lekë, ose 700 milionë euro që Bashkia e Tiranës ka shpenzuar deri më tani, ku gati 141 milionë i ka marrë nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër prej gati 560 milionë eurosh, ose më shumë se 110 milionë euro në vit, janë taksa që kanë dalë nga xhepat vetëm të qytetarëve të Tiranës. Kur vjen fjala te transparenca, institucioni i Bashkisë së Tiranës është nga më hermetikët në vend.

Një pjesë e mirë e këtyre parave vjetore, shkojnë vetëm për pagat e Bashkisë. Në të dhënat e vitit 2018, nga 16,3 miliardë që ishte buxheti, 4,1 miliardë kishin shkuar për rroga, ndërsa 5.1 miliardë për shpenzime operative. Ndërsa vetëm 7 miliardë nga taksat dhe buxheti i shtetit kanë shkuar për investime.

E njëjta gjë ka vijuar dhe në vitin 2019, ku shpenzime të bashkisë rezultojnë 11 miliardë dhe investime 7 miliardë nga buxheti prej 18 miliardë lekësh, ose rreth 150 milionë euro. Pra, më pak se gjysma e parave të mbledhura shkojnë për investime. Këto para, në shumicë nuk janë kthyer në shërbime për qytetarët. Qytetarët sot përballen me ajrin e ndotur, me trafikun, me mungesën e hapësirave të gjelbra, me shkollat që mungojnë, me mungesën e ujit, me shtrenjtimin e pazakontë të apartamenteve, dhe sot fëmijët e kryeqytetit vuajnë mësimin me tri turne.

Premtimi
Në vitin 2015 gjatë fushatës elektorale, Veliaj do deklaronte se problem ishte menaxhimi i taksave në Bashkinë e Tiranës, jo rritja e tyre. Por askush s’e mendonte se menjëherë pasi mori karrigen e kryetarit të Bashkisë ndoshta pa kaluar as tre muaj, ai do të propozonte një buxhet që minimumi i dyfishonte dhe maksimumi i dhjetëfishonte taksat në Tiranë, si për bizneset ashtu dhe për qytetarët. Kjo solli dhe protestat sidomos të biznesit të vogël, por që u mbështet dhe nga qytetarët. Atëherë filloi dhe rritja galopante e çmimeve të apartamenteve, ku taksa e ndikimit në infrastrukturë u rrit nga 4% në 8%.Rriti çmimin e ujit, çmimin e hapësirave publike për bizneset e dhjetëfishoi, vuri taksën e infrastrukturës arsimore, ka taksën për tokën bujqësore, rrit çdo vit taksën e pastrimit e kështu me radhë.

Por si ka qenë sjellja e Veliajt me taksat. Vetëm nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme që paguajnë qytetarët dhe bizneset, Bashkia vjel rreth 25 milionë euro në vit, nga rreth 6 apo 7 milionë euro që ishte më parë. Pra, duket qartë se Veliaj minimumi e ka trefishuar këtë taksë, ndërsa rast pas rasti e ka pesëfishuar. Pra, në rast se një biznes 100 metra katrorë në qendër të Tiranës, deri dje nuk paguante më shumë se 25 mijë lekë të rinj në vit, sot i duhet të paguajë vetëm taksë mbi pronën rreth 75 mijë në mos më tepër. Kemi taksën e infrastrukturës që Veliaj ka rreth 5 vite që e vjel nga qytetarët dhe bizneset.

Janë rreth 8 milionë euro, në pesë vjet që vilen rregullisht në faturat e ujit, dhe vetëm nga kjo taksë Bashkia ka marrë rreth 40 milionë euro, afërsisht sa ka qenë buxheti vjetor kur shefi i tij drejtonte Bashkinë e Tiranës. Kjo duhet theksuar se është një taksë antiligjore, pasi qytetarët paguajnë për arsimin në taksat shtetërore. Pra, kjo është taksë mbi taksë, pasi nuk aplikohet në asnjë bashki tjetër. Po të kishte gjykatë kushtetuese kjo taksë me siguri do rrëzohej.

Buxheti i shtetit
Por një sjellje dorëlëshuar ka pasur dhe qeveria kur bie fjala për Bashkinë e Tiranës. Përgjatë pesë viteve, ajo ka dhënë jo pak para për këtë institucion. Kështu në rast se nga buxheti i shtetit deri në vitin 2015 bashkia financohej vetëm me 1.5 milion dollarë në vit, sot kjo shifër ka arritur deri në 20 milionë euro në vit. Pra, në rast se paraardhësve të tij u mjaftonin për punët e qytetit, 40 deri në 50 milionë euro në vit, sot Erion Veliajt nuk i dalin 110 milionë euro, por kërkon dhe para shtesë nga buxheti i shtetit. Kjo ka bërë që vetëm Bashkia e Tiranës të shpenzojë rreth 135-140 milionë euro në vit. Edhe kjo llogari nuk mund të bëhet ekzakt pasi thuajse çdo vit Veliaj, rrit tarifat. Dhe një fakt tjetër, me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, u vu dhe tarifa e parkimit. Sot bashkia vetëm nga kthimi i parkingjeve me pagesë vjel rreth 5 milionë euro në vit, nga jo më shumë se 200 mijë euro që ishte pagesa që e gjithë Tirana bënte para se ai të merrte institucionin.

Lejet e ndërtimit
Në vitin 2019 ka pasur dhe një boom të jashtëzakonshëm ndërtimesh në Tiranë, dhe këtë e tregon dhe vjelja e taksës së ndërtimit. Për vitin 2019, Bashkia Tiranë në dhjetor vlerësonte se priste të arkëtonte 6 miliardë lekë nga Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, ose 52% më shumë sesa planifikimi që kishte në fillim të vitit (15% më shumë se fakti i 2018-s). Sipas relacionit, realizimi i të ardhurave nga kjo taksë tejkalon planin e miratuar si rrjedhojë e aplikimeve përtej parashikimeve nga strukturat përgjegjëse.

Prej disa vitesh, buxheti i bashkisë Tiranë është bërë tepër i varur nga të ardhurat që merr si rrjedhojë e lejeve të ndërtimit. Rekordi u shënua në 2019-n, me gati 45% të të ardhurave të veta. Në total, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi për 2019-n në kryeqytet, sipas INSTAT ishte rreth 1.5 milion metra katror, me një rritje prej 55% në raport me vitin e mëparshëm dhe duke shënuar një nivel rekord të paktën që prej vitit 2010, kur raportohen të dhënat e detajuara sipas rretheve.

Për vitin 2020 kjo shumë pritet të jetë rreth 3.5 miliardë lekë ose gati 30 milionë euro, çka do të thotë as më shumë e as më pak se ritmet e ndërtimit vazhdojnë të shtohen. Në tabelën e buxhetit të bashkisë nuk janë futur të ardhurat që vijnë nga ujësjellësi i Tiranës. Në vitin 2017 Veliaj vendosi të rriste me 20 lekë çmimin e ujit, duke premtuar ujë 24 orë. Sot tre vjet pas rritjes sërish Tirana vazhdon të vuajë për ujë. Në vitin 2018, Bashkia raportonte rritje të të ardhurave me 26 %, çka do të thotë që për çdo 100 lekë ujë të paguar nga qytetarët 26 lekë i shkojnë Bashkisë së Tiranës.

BUXHETI I 2021
Rama dyfishon PPP për vitin e ardhshëm

Sipas të dhënave të bëra publike në relacionin e ligjit për buxhetin, del se 50% e ekonomisë shqiptare është dhënë me koncesion. Që nga hidrocentralet, rrugët, shëndetësia, arsimi, peshkimi, rekreacioni i qyteteve dhe deri te rritja e fidanëve në Cërrik, rezultojnë kontrata koncesionare. Për vitin 2021, Rama pritet të dyfishojë pagesat për kontratat e PPP-ve duke i çuar në 127 milionë euro.

Rritje pritet të ketë dhe borxhi publik me 880 milionë euro, duke iu afruar shifrës prej 90% të GDP. Për vitin 2021, çdo shqiptari vetëm interesa të borxhit qeveritar, do i duhet të paguajë rreth 110 euro. Rreth gjysma e ekonomisë së Shqipërisë, është dhënë me koncesion ose me PPP nga ana e qeverisë Rama.

Në relacionin që i bashkëngjitet buxhetit, thuhet se vlera e kontratave që ka lidhur qeveria me privatin shkon në 49.8 për qind të Prodhimit të përgjithshëm bruto. Që nga hidrocentralet, rrugët, shëndetësia, arsimi, peshkimi, rekreacioni i qyteteve dhe deri te rritja e fidanëve në Cërrik, rezultojnë kontrata koncesionare. Ndërkohë që metoda e PPP-ve nuk do ndalet as në vitin 2021, ku parashikohen të jepen me koncesion të tjerë sektorë të ekonomisë.

Pagesat
Sipas projektbuxhetit, për vitin e ardhshëm buxheti i shtetit do paguajë 127 milionë euro ose 14.46 miliardë lekë euro për PPP. Një shumë e përafërt që qeveria shpenzoi për të gjithë pandeminë. Bëhet fjalë për koncesionet të cilat kanë mbështetjen financiare të shtetit. Janë 14 të tilla ku 13 janë dhënë pas vitit 2015.Bëhet fjalë për koncesionet në shëndetësi, ku ai i Check-Up për vitin 2021, do përfitojë rreth 7 milionë euro, koncesioni i sterilizimit që përfiton rreth 10 milionë euro ai i dializës me 6 milionë euro apo koncesioni i laboratorëve me rreth 3.5 milionë euro.

Gjithashtu, janë dhe një sërë koncesionesh të rrugëve, si ajo e Arbrit që vetëm këtë vit do marrë 35 milionë euro, përmirësimi i rrugës Milot-Morinë me 7 milionë euro e kështu me radhë. Në radhën e koncesioneve është dhe Bashkia e Tiranës, e cila që prej vitit 2017 ka dhënë me koncesion infrastrukturën arsimore. Gjithashtu, në parashikimin e investimeve janë dhe incineratorët e Fierit, Elbasanit dhe ai i Tiranës. Vitin e kaluar pagesat për koncesionet u reduktuan për shkak të pandemisë, por me sa duket qeveria është kujdesur që humbjet t’i zëvendësojë këtë vit.

Koncesionet e reja
Ndërkohë për vitin 2021 janë në proces dhe gjashtë koncesione të tjera me vlerë kontratash të përgjithshme rreth 195 milionë euro. Pjesën kryesore e zë fillimi i autostradës Milot-Fier me vlerë rreth 140 milionë euro, dhënia e shërbimit të kontrollit të automjeteve me vlerë 17 milionë euro, aeroporti i Vlorës me vlerë rreth 10 milionë euro etj. Por një koncesion i çuditshëm është dhënë në Elbasan. Kështu qeveria do paguajë rreth 7 milionë euro për përmirësimin e pamjes së disa blloqeve të banimit në Elbasan, kur në fakt kjo do duhej të ishte punë e Bashkisë së atij qyteti.

Rritja e borxhit
Por si parashikohen pritshmëritë për vitin e ardhshëm. Kështu qeveria ka ndërmend të ngrejë sërish borxhin publik me 880 milionë euro të tjera, përveç atyre që mori vitin e kaluar. Nuk dihet, se përse i do qeveria këto para ndërkohë që duhet theksuar se 2021 është vit zgjedhor. Në rast se ndodh një gjë e tillë atëherë niveli i borxhit e kapërcen shifrën e 90% të GDP, duke iu drejtuar kështu me shpejtësi nivelit 100%. Qeveria pretendon se niveli i borxhit është 81%, por kjo hidhet poshtë nga ekspertët që shprehen se qeveria po fsheh shifrat, dhe se borxhi aktual ka arritur në masën e 84% të PPB. Interesat e borxhit shtetëror për vitin e ardhshëm, pritet të arrijnë shifrën e gati 350 milionë euro, ose e thënë më qartë çdo shqiptari i duhet të paguajë rreth 110 euro vetëm interesa që qeveria i ka marrë dhe nuk dihet se ku i ka shpenzuar në këto tetë vjet.

Taksat
Por a do ketë rritje taksash? Qeveria shprehet optimiste në relacionin e saj për arritjet e buxhetit, por ende nuk e ka të qartë se ku do i marrë të ardhurat. Rritja e rrogës minimale do sjellë patjetër rritje të pagesës së kontributeve nga ana e sipërmarrësve, por edhe biznesit të vogël. Vetëm nga kjo lëvizje, buxheti i shtetit do arkëtojë rreth 25 milionë euro. Por vitin e ardhshëm, pritet dhe reformimi i sistemit fiskal të taksave, ku bizneset do të detyrohen të riblejnë dhe një herë kasat fiskale që kanë një çmim të kripur prej më shumë se 300 euro. Për sa i përket Bashkisë së Tiranës, ku është dhe një numër i lartë i përqendrimit të bizneseve, duhet pritur miratimi i buxhetit nga Këshilli Bashkiak. Ky institucion i ka rritur taksat për çdo vit nga 10 deri në 17 %./MAPO

ImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Fiku bashkis24/10/2020 14:35

Te gjitha keto para te grabitura nga Dhjeri pedofili, shum shpejt do ti vjelle nga goja dhe nga bytha kopili nga Terpani.

Shto koment

Denonco