Lajmi i fundit

KUSH PAGUAN/ Vetëm 620 lekë në ditë, rreth 600 mijë shqiptarë në pragun e varfërisë

Meta kthen Kodin Zgjedhor dhe i drejtohet urgjent ‘Venecias’ për opinion

Meta kthen Kodin Zgjedhor dhe i drejtohet urgjent ‘Venecias’ për opinion

12:15, 23/10/2020
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor. Në 81 faqe argumentim, presidenti ka analizuar të gjithë historikun e veprimtarisë së Kuvendit gjatë kësaj legjislature.

Bashkë me kthimin e ndryshimeve në Kuvend, Meta ka kërkuar edhe një opinion në Komisionin e Venecias.

"Ndërsa në dy ndryshimet e rregullave themelore zgjedhore, si në vitin 2008 dhe 2012, edhe pse kanë qënë ndryshime të bëra me dialog të pjesshëm, përsëri është kërkuar opinioni dhe certifikimi i këtyre ndryshimeve nga Komisioni i Venecias. Ndërsa këtë herë, jo vetëm që nuk është kërkuar ky opinion, jo vetëm që janë bërë këto ndryshime të njëanshme në sistemin zgjedhor shumë vonë dhe shumë afër datës së zgjedhjes, por është refuzuar dhe kërkesa e opozitës për marrjen e mendimit dhe asistencës së OSBE/ODIHR.

Nëse mazhoranca qeverisëse do të kishte një vullnet të sinqertë për të realizuar një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe standardeve ndërkombëtare, do të duhej që gjatë shqyrtimit në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pse jo dhe pas konstituimit të Këshillit Politik, t`i ishte drejtuar si OSBE/ODIHR, ashtu dhe Komisionit të Venecias për marrjen e një opinioni për të gjithë masat shtesë që ajo (mazhoranca) dëshironte të realizonte në rregullat zgjedhore. Ky veprim nuk u krye, duke mos respektuar as kërkesat e shprehura të Opozitës së Bashkuar".

“Pikërisht për këto arsye, që konstatojnë faktin se këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të padakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane;

në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces,” shprehet Meta.

“Presidenti i Republikës vlerëson se, pas kthimit në Kuvend të ligjit nr. 118/2020, mazhoranca duhet të reflektojë duke rishikuar qëndrimin e saj mbi këto rregulla të reja, dhe të sigurojë opinionin final nga Komisioni i Venecias, duke thirrur njëkohësisht dialogun gjithëpërfshirës përmes Këshillit Politik.

Presidenti i Republikës ka bindjen se, me autoritetin e tij kushtetues, nëpërmjet këtij akti do të kontribuojë për ndërtimin e një shteti të së drejtës, demokratik e social për të garantuar një të drejtë themelore të njeriut, siç është e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Mbetem me besimin që, përmes këtij Dekreti, Presidenti i Republikës po krijon hapësirën e nevojshme kohore që mazhoranca qeverisëse të reflektojë dhe të vendos para interesave vetjake për mbajtjen e pushtetit, interesat e popullit shqiptar dhe të ardhmes europiane të tij,” thekson Meta.

ARGUMENTET E PRESIDENTIT

- Janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet themelore demokratike të mbrojtura prej saj;

- Këto ndryshime të rregullave zgjedhore, cenojnë parimet demokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme;

- Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15-kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit midis forcave politike në vend, duke zeruar praktikisht besimin reciprok midis tyre;

- Këto ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim flagrant me parimet dhe standardet evropiane të vendosura nga Komisioni i Venecias në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme;

- Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese, duke rëndë ndesh si me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 Tetor, për shkak të pozitave diskriminuese që ato përmbajnë krijojnë një terren shumë polarizues në vend. Kjo pozitë rëndohet edhe më shumë para faktit që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, çdo kundërshtim i këtyre dispozitave lidhur me antikushtetutshmërinë e tyre nuk mund të marrë së shpejti një përgjigje përfundimtare;

- Ndryshimet e njëanshme cenojnë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, çka do të përkthehet me një tjetër vendim negativ për Shqipërinë, duke cenuar drejtpërdrejt ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor cenojnë frymën dhe themelin e dakordësisë së arritur në vend përmes Marrëveshjeve të forcave politike të datës 14 Janar dhe 5 Qershor 2020, të cilat kishin si qëllim të garantonin një minimum standardesh për zgjedhjet në Shqipëri;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor përpiqen të krijojnë një ambient elektoral rregullash që favorizojnë mazhorancën qeverisëse ku përmes rregullave ambigue e të fshehura, ato do të ndikojnë në leximin real, të qartë dhe objektiv të vullnetit të sovranit në këtë proces zgjedhor;

- Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, krijojnë rrezik që procesi para-elektoral, ai i fushatës elektorale, i votimit, numrit, dhe ai ankimor deri në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, të zhvillohet nën një klimë të polarizuar politike, antagoniste, të mungesës së besimit ndërmjet palëve, që rrjedhimisht mund të sjellin si pasojë cenimin e standardeve zgjedhore, prishjen e paqes sociale dhe mundësinë e rritjes së tensionit në jetën shoqërore në vend;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, janë realizuar ndërkohë që Presidenti i Republikës që prej datës 6 shtator 2020 me Dekretin nr. 11700, ka caktuar datën e zgjedhjeve për Kuvendin, ditë e diel, datë 25 prill 2021, duke prishur kështu rregullat e një procesi zgjedhor që tashmë ka filluar, në shkelje të parimeve demokratike;

- Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe bien ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco