Çmimi i ujit rritet vazhdimisht, cilësia e furnizimit mbetet njësoj

Çmimi i ujit rritet vazhdimisht, cilësia e furnizimit mbetet njësoj

13:38, 01/10/2020
A+ Aa A-

Raporti i Entit Rregullator të Ujit për vitin 2019, tregon se gjendja e furnizimit me ujë dhe shërbimi i heqjes së ujërave të ndotura nuk pësoi kurrfarë përmirësimi, pavarësisht se vetë ERRU gjatë viteve të fundit ka rritur çmimin e këtyre shërbimeve në shumë bashki të vendit.

BIRN

Enti Rregullator i Ujit, institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sektorit të ujësjellësve dhe kanalizimeve, i cili përcakton çmimet e shitjes së këtyre shërbimeve dhe monitoron cilësinë e shërbimeve, bëri të ditur në raportin e vet vjetor se gjatë vitit 2019, furnizimi me ujë dhe kanalizime i popullsisë mbeti në nivele pothuajse të pandryshuara.

Kohëzgjatja e furnizimit me ujë njohu një përmirësim të lehtë ndërsa shpenzimet duket se janë rritur dhe humbjet e ujit nga rrjedhjet e pakontrolluara në rrjet vijojnë të mbeten në 63% të totalit të furnizimit me ujë.

Sipas raportit, rreth 23% e shqiptarëve vijojnë të jetojnë jashtë rrjetit të furnizimit publik me ujë ndërsa 47% e tyre i derdhin ujërat e ndotura ku të munden.

Kuptohet që Shqipëria e shekullit të njëzet e një vijon të derdhë shumicën e ujërave të veta të ndotura në lumenj, liqene apo det të papërpunuara më parë me disa projekte shumë milionëshe si ai i impiantit të përpunimit të ujërave të zeza të Tiranës.

Treguesi kyç i cilësisë së administrimit të ndërmarrjeve të ujësjellësve, ai i mbulimit të kostove operative dhe të mirëmbajtjes, ra nga 119% në 108%, gjë që do të thotë se të ardhurat e ujësjellësve nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet e tyre të zakonshme duke përjashtuar investimet kapitale.

“Vërehet se gjendja në sektor në krahasim me vitin 2018 paraqet një përkeqësim në drejtim të mbulimit të kostove direkte të O&M [operimit dhe mirëmbatjes],” vëren raporti i ERRU.

“Ndërkohë që treguesit e Ujit Pa të Ardhura dhe të Normës së Arkëtimit Korrente mbesin në nivele të pandryshuara,” shtoi Enti.

Sipas ERRU-së këto indikatorë tregojnë se në sektor janë rritur kostot për operim dhe mirëmbajte, ndërkohë që të ardhurat kanë mbetur në nivele pothuajse të njëjta.

Lekët rroga

Të dhënat financiare të kompanive të ujësjellësve dhe kanalizimeve tregojnë se këto kompani patën në total 10.3 miliardë lekë të ardhura (rreth 86 milionë euro) dhe 12.7 miliardë lekë shpenzime.

Në krahasim me vitin 2018, shpenzimet e ujësjellësve u rritën me shifrën prej 19%. Në krahasim me rritjen e shpenzimeve, të ardhurat u rritën me 6%.

Nga rritja e shpenzimeve, kostot e pagave janë rritur me 14% ndërsa kosto e materialeve me 159%. Kostoja e energjisë elektrike të konsumuar është rritur me 12%. Gjatë vitit të kaluar, ujësjellësit shpenzuan 41% të të gjitha parave që paguan shqiptarët për ujë, për pagat e punonjësve të vet.

Kjo rritje e shpenzimeve për paga ka ardhur për shkak se ujësjellësit shtuan 254 punonjës në krahasim me vitin 2018. Edhe shërbimet e kontraktuara, të cilat u rritën me 6% në vit dhe që më 2019, kushtuan 7 milionë euro, përbëhen kryesisht nga shërbimet e kontraktuara për roje sigurie.

Qeveria qendrore përmes programeve të veta të investimeve harxhoi 4.4 miliardë lekë të taksapaguesve për investime në ujësjellës. Lajmet për investime në ujësjellës prezantohen shpesh nga kryeministri Edi Rama në median e tij personale ERTV. Efektiviteti i këtyre investimeve nuk duket qartë në statistikat e ERRU pavarësisht se sa të bukura janë fotot dhe videot e realizuara nga ERTV.

Enti Rregullator i Ujit zbaton filozofinë e rritjes së çmimeve sepse populli mban. Sipas një deklarate të kryetarit të saj në parlament Ndriçim Shani, populli mund të mbajë fatura ujësjellësish në rast se këto nuk kapërcejnë nivelin e 5% të buxhetit vjetor të familjeve.

Një filozofi e tillë nga një institucion publik duket se bie ndesh me ekonomiksin bazë, i cili sugjeron se çmimi i ujit duhet të jetë në varësi të kostos së furnizimit me ujë dhe jo në varësi të nivelit ekonomik të konsumatorit.

Faturat e furnizimit me ujë dhe kanalizime që paguajnë shqiptarët kanë njohur rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit nën premtimin e rritjes së cilësisë së furnizimit. Në Tiranë, ERRU lejoi rritjen e çmimit nga 45 në 65 lekë për metër kub në vitin 2017 dhe po atë vit, në Durrës u lejua rritja e çmimit me 15%.

Tre vjet më pas, kohëzgjatja e furnizimit me ujë sipas statistikave zyrtare të ERRU, nuk ka njohur ndonjë përmirësim. Por vetë ERRU paralajmëron se statistikat e saj, të cilat mblidhen nga kompanitë e ujësjellësve dhe kanalizimeve, duhet të merren me rezerva të mëdha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco