Basha - Ramës: Të rimbursohen të sëmurët me COVID në shtëpi, harxhojnë 600 mijë - 1,2 mln lekë ilaçe!

Basha - Ramës: Të rimbursohen të sëmurët me COVID në shtëpi, harxhojnë 600 mijë - 1,2 mln lekë ilaçe!

11:07, 01/10/2020
A+ Aa A-

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i është drejtuar me një thirrje, kreut të Qeverisë Edi Ramës sot nga Durrësi, në kushtet kur kriza ekonomike prej pandemisë po rëndon mbi vendin, që t’i japë fund lojërave dhe propagandës dhe të fillojë të zbatojë Planin e PD-së me pesë pika për lehtësimin e gjendjes.

Në veçanti, Basha e vuri theksin tek rëndësia e rimbursimit të të sëmurëve me COVID-19 që kurohen në shtëpi.

Kryetari i opozitës bëri një përllogaritje se minimalisht atyre iu duhen 600 mijë lekë ilaçe e nëse do të duhej të blinin edhe oksigjenin e të bënin skanerin, do t’u shkonte dyfish, deri në 1 milion e 200 mijë lekë.

“Rimbursimi total i të gjithë të sëmurëve me COVID, - tha Basha, -  duhet të jetë hapi i parë që duhet të hedhë qeveria për t’u ardhur në ndihmë të infektuarve dhe familjarëve të tyre.”

Nga deklarata e kreut të PD, Lulzim Basha, pas takimeve me biznesmenët e vegjël në Durrës:

“Sot kam ardhur në Durrës për të diskutuar planin tonë të rimëkëmbjes nga pandemia.

Dhe kjo nuk ka të bëjë as me programin tonë ekonomik pas 25 prillit, dhe nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e rindërtimit për shkak të tërmetit. Ka të bëjë me gjendjen në të cilën ndodhet ekonomia, gjendjen që ndodhej para pandemisë dhe goditjen që ka marrë nga pandemia.

Sot, deri më 25 prill, dikush ka përgjegjësinë për t’iu përgjigjur këtyre njerëzve dhe ky dikush nuk mund të mjaftohet me konferenca për shtyp dhe sulme bajate kundër opozitës po ka për detyrë t’iu tregojë njerëzve çfarë plani ka sepse ndërkohë kriza ka filluar të kafshojë prapë.

Të tëra bizneset që takova sot në Durrës më thanë që dyjavëshi i fundit i shtatorit në veçanti ka shënuar një rënie edhe më thellë ekonomike.

Cila është përgjigja e qeverisë ndaj krizës ekonomike që po thellohet?!

Cila është përgjigja e qeverisë ndaj problemeve të shtuara për shkak të pandemisë?!

Ju e dini që numri i të infektuarve po shtohet. Dini gjithçka ju për këtë?! Zero përgjigje.

Shumicën e kohës e harxhojnë duke iu përgjigjur planit tonë me pesë pika ndaj ftesa që kam sot nga Durrësi është:

Jepini fund lojërave dhe propagandës. Mos u merrni me opozitën, por merrni propozimin tonë, merrni planin tonë me pesë pika dhe filloni e zbatojeni!

Plani me pesë pika është fare i qartë: e para, të sigurojë mbrojtjen maksimale kundër pandemisë, nivelet e infektimit të së cilës po shtohen.

Dhe për këtë propozojmë: Mbrojtje për mjekët dhe infermierët, pagën e premtuar dhe rimbursim 100% për të sëmurët që kurohen në shtëpi. Sepse, siç ma tha një farmaciste në qendër të Durrësit, një i sëmurë me COVID, harxhon minimalisht 600 mijë lekë vetëm për ilaçe. Në qoftë se duhet të blejë edhe oksigjenin, të bëjë edhe skanerin, i shkojnë deri në 1 milion, 1 milionë e 200 mije lekë vetëm për t’u kuruar. Cila familje, cili individ i ka këto para për t’i shpenzuar?!

Rimbursimi total i të gjithë të sëmurëve me COVID duhet të jetë hapi i parë që duhet të hedhë qeveria për t’u ardhur në ndihmë të infektuarve dhe familjarëve të tyre,” theksoi Basha në fjalën e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco