Pa tokë dhe pa shpresë/ Kostot e fshehta të inceneratorit të Sharrës

Pa tokë dhe pa shpresë/ Kostot e fshehta të inceneratorit të Sharrës

15:44, 30/09/2020
A+ Aa A-

Shpronësimet në favor të koncesionit të inceneratorit të Tiranës rrënuan jetën e dhjetra familjeve në Sharrë, ndërkohë që një seri vendimesh në Gjykatën Administrative tregojnë se taksapaguesit mund të ngarkohen me një faturë të kripur shtesë për të shlyer pronarët e tokës.

Nga Vladimir Karaj-BIRN

E veshur me tuta dhe me shapka llastiku, një grua 48-vjeçare heq dorën me të cilën mban mbuluar gojën dhe tregon me gisht gropat dhe pirgjet e dheut të ngritura nga buldozerë e makina të rënda, zhurma e të cilave buçet në fshatin Sharrë të Tiranës nga dhjetëra metra larg.

‘Atje dilshin djemtë për të protestuar,’ kujton ajo, ndërsa tregon një fushë të dystuar tashmë me dhe. ‘Pastaj vinte furgoni [i policisë] dhe i merrte. Natën flinin në komisariat, në mëngjes i lëshojshin dhe shkonin në punë,’ shton gruaja me trishtim.

Gruaja është një nga anëtarët e fisit Lamuça, të cilëve qeveria u shpronësoi tokën në vitin 2018 për t’i hapur rrugë ndërtimit me koncesion të Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë nga kompania ‘Integrated Energy BV’. Ajo nuk pranon të identifikohet, por u ankua për BIRN se shpronësimi e rrënoi familjen e saj.

‘S’kam mo as një pëllom tokë. Po blej bar për lopën,’ u ankua ajo.

Një duzinë banorësh të tjerë në Sharrë, fqinjë me kantierin e punimeve për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, thanë gjithashtu se projekti i shumëdebatuar u kishte marrë tokën dhe ujin, duke ua bërë jetën në fshat të papërballueshme.

Sipas një VKM-je të botuar në Fletoren Zyrtare më 14 janar 2019, qeveria vendosi të shpronësonte tokat e banorëve të Sharrës për llogari të koncesionit të trajtimit të mbetjeve për 448 lekë/metri, duke vendosur në dispozicion një fond prej 284.9 milionë lekë [rreth 2.3 milionë euro].

Banorët i kundërshtuan shpronësimet dhe u ngritën në protesta në maj 2019, por nuk mundën të ndalnin avancimin e fadromave drejt tokave të tyre.

Të papërfillur, dhjetra familje të shpronësuara iu drejtuan Gjykatës Administrative të Tiranës me padi kundër qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës – dhe disa prej tyre kanë dalë tashmë fitues.

Vendimet e gjykatës i rrisin ndjeshëm kostot e shumëdebatuara të inceneratorit të Tiranës, që edhe pa shpronësimet parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 330 milionë euro në tri dekadat e ardhshme.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm nga 4 çështje të fituara në shkallë të parë, fatura shtesë nga shpronësimet është 211 milionë lekë ose 74% e fondit total të përcaktuar nga qeveria për banorët e Sharrës –ndërsa mbulon më pak se 1/10 e pronës së shpronësuar.

Nëse të gjithë banorët e shpronësuar do t’i drejtoheshin gjykatës, kostot e shpronësimeve mund të shkojnë nga 10 deri në 30 milionë euro –të cilat do të paguhen gjithashtu nga taksapaguesit shqiptarë.

Shpronësimet në gjyq

Image

Qeveria e Shqipërisë përdor për dëmshpërblimet e shpronësimit vlera të përcaktuara në çmimet e referencës, që janë shumë herë më të ulëta se sa ato të tregut. Në dhjetëra raste, shpronësimet për punë publike janë shoqëruar me protesta masive, ndërsa banorët ankoheshin për çmime të padrejta.

Në mjaft raste, qeveria shqiptare i vonon edhe pagesat e dëmshpërblimeve që i ka caktuar vetë. Deri në qershor 2019 ishte akumuluar një borxh prej 6 miliardë lekësh ndaj qindra familjeve, prona ose toka e të cilave u shpronësua për t’u hapur rrugë projekteve për punë publike.

Prej fillimit të vitit 2019, një numër banorësh të Sharrës iu drejtuan Gjykatës Administrative për të kundërshtuar dëmshpërblimin e tokës së tyre për llogari të inceneratorit. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në shkallë të parë janë marrë tetë vendime, ndërkohë që të paktën gjashtë çështje të tjera janë ende në shqyrtim.

Nga shtatë vendimet e zbardhura të Gjykatës Administrative të Tiranës, katër janë fituar nga banorët e Sharrës dhe tre janë humbur prej tyre. Të gjitha çështjet janë apeluar dhe presin tashmë shqyrtimin në Gjykatën Administrative të Apelit.

Në çështjet e fituara nga banorët, gjykata argumenton se vendimi i Këshillit të Ministrave që përcakton një vlerë prej 448 lekësh për metër katror bie ndesh me nenin 41 të Kushtetutës.

‘Marrja e pronës pa një pagesë të drejtë për vlerën e saj si dhe e palikujduar në mënyrë të menjëhershme, nuk mund të konsiderohet si një zgjidhje proporcionale,’ argumenton gjyqtari Erarbër Madhi.

Në një vendim të dytë, gjyqtari Gentian Hamiti i referohet një vendimi specifik të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në shpronësimin e kompleksit ‘Jon’ për ndërtimin e Lungomares në Vlorë. Ai vë gjithashtu në balancë shpronësimin për interes publik dhe të drejtën e pronës.

‘Marrja e pronës pa paguar një shumë, e cila lidhet arsyeshëm me vlerën e saj, normalisht do të përbëjë një ndërhyrje joproporcionale,’ argumenton gjyqtari.

Në të 4 vendimet, toka është vlerësuar me çmime të ndryshme bazuar mbi aktet e ekspertizës dhe kontratat e shit-blerjes për tokat pranë tyre.

Gjykata Administrative e Tiranës ka caktuar çmime nga 2560 lekë në 6750 lekë për metër katror –të cilat variojnë nga 5 deri në 15 herë më të larta sesa vendimi i qeverisë.

Ndonëse me kërkesa të njëjta, tre prej banorëve i kanë humbur çështjet e tyre në Gjykatën Administrative të Tiranës. Në vendimet e arsyetuara, gjyqtaret Elvana Çiçolli dhe Nafije Hasku e konsideruan të drejtë vlerën e përcaktuar në VKM.

Bazuar mbi të njëjtin nen të Kushtetutës dhe në disa raste edhe me referenca të ngjashme të GJEDNJ-së, gjyqtaret i mëshojnë interesit publik, duke marrë për bazë qëndrimet e të paditurve.

‘Koncepti i shpërblimit të drejtë nuk prezumon realizimin e interesave ekonomike më të larta të subjekteve’ dhe se ‘pronarit duhet t’i akordohet një masë shpërblimi e kënaqshme për standardet ekonomike dhe sociale, në kohën kur ky shpronësim kryhet,’ argumenton gjyqtarja Çiçolli duke rrëzuar padinë e njërit prej banorëve.

Të dyja gjyqtaret po ashtu përmendin specifikisht këtë paragraf: ‘Përfitimet që ka komuniteti dhe vetë pronari që shpronësohet nga realizimi i veprave të reja, siç mund të jetë rritja e vlerës së pronës së tij që mund të ketë në këtë zonë, rritja e cilësisë së jetës, etj’.

Në proceset e zhvilluara deri më tani në Gjykatën Administrative të Tiranës, Avokati i Shtetit i ka kundërshtuar pretendimet e paditësve, duke pretenduar shkelje afatesh dhe kërkesa për çmim ekstrem nga banorët e Sharrës.

Bashkia e Tiranës, e cila ngarkohej me VKM të bënte pagesën e dëmshpërblimit, pretendoi të mos konsiderohej palë, pasi nuk kishte vendimarrje në proces. Edhe kompania ‘Integrated Energy BV’ po ashtu kërkoi që të mos konsiderohej palë, pasi nuk e kishte përcaktuar ajo vlerën e dëmshpërblimit.

 ‘Përcaktimi i vlerës së shpronësimit është një atribut që e kanë të tjerë subjekte në realizimin e këtij projekti dhe është një moment në të cilin shoqëria koncesionare nuk ka assesi akses,’ ka pretenduar në gjykatë kompania koncesionare.

 ‘Me shtetin nuk hahemi’

Image

Koncesioni për trajtimin e mbetjeve në Tiranë u firmos më 31 gusht 2017 nga Ministria e Mjedisit dhe kompania e regjistruar në Holandë – ‘Integrated Energy’ B.V. Sipas studimit të fizibilitetit të Ministrisë së Mjedisit, gati 39% e tokës ku parashikohej të shtrihej projekti koncesionar ishte në pronësi private.

Një audit i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për koncesionin e trajtimit të mbetjeve të Tiranës i konsideron shpronësimet si kosto të fshehta, të cilat nuk u bënë pjesë e treguesve financiarë të projektit.

‘Kjo vlerë e parashikuar për shpronësimet për interes publik me qëllim realizimin e projektit nuk është parashikuar në buxhetin e nevojshëm që kërkon ky projekt dhe as nuk është pjesë e analizës ekonomike dhe financiare në flukset e parasë dhe treguesit financiarë të projektit,’ thuhet në auditin e KLSH.

Përveç kostove financiare të shpronësimeve, të cilat parashikohet të rriten në gjykatë, projekti koncesionar duket se nuk ka marrë parasysh edhe kostot njerëzore për banorët e Sharrës.

‘Nuk di ca të them, me shtetin nuk hahemi! Jeta jonë ka maru, tokën na e morën dhe shtëpinë do na e marrin,’ thotë një burrë rreth të 60-ave, i cili po planifikon shpërnguljen edhe për shkak të pluhurit dhe ndotjes.

Burri pranoi fillimisht të fotografohej, por bashkëshortja i tërhoqi vëmendjen se mund të rrezikonte punën prej 20 mijë lekësh në muaj. ‘Të mblidhen të gjithë burrat këtu dhe të flasim,’ tha më pas ai.

Edhe 48-vjeçarja nga fisi Lamuça i tha BIRN se pas humbjes së tokës, nuk ka më arsye për të qëndruar në Sharrë. Ajo ankohet për pluhurin e krijuar nga ndërtimi.

 ‘Këtu nuk do jetohet më, edhe sikur t’i marrim paratë (të gjitha), plehrat do vijnë deri ke dera e shtëpisë,’ thotë ajo.

Ajo ankohet gjithashtu se nga paratë e miratuara nga qeveria, nuk kanë marrë ende asnjë lek.

‘Kam 2 dynym që më janë njohur. Janë marrë çunat me letrat, po nuk kemi marrë asnjë lek. 5 të tjera nuk m’i njohin edhe pse i kam me letra dhe i kam pas unë prej kohësh,’ thotë ajo me pesimizëm.

Shumica e banorëve i thanë BIRN se një dëmshpërblim i drejtë do t’u jepte atyre mundësinë që  të trasferoheshin. Të mbetur pa tokë dhe me frikën e ndotjes nga inceneratori dhe depozitimi i mbetjeve, ata nuk shohin rrugë tjetër përpos shpërnguljes.

Shumica e banorëve të Sharrës punojnë për rroga minimale në Kombinat, në punishte të vogla apo në rrobaqepësi masive. Përveç tokës, projekti u mori atyre edhe burimin e ujit dhe tani e gjithë lagja mban frymën me një bot që u sjellin në ditë, në kompensim për burimin që u mbyll.

‘Aty kam pi ujë unë, baba, gjyshi dhe stërgjyshi, më tutje pas stërgjyshit të rrej,’ thotë një 65-vjeçar që e takojmë në një kafe në Kombinat.

Ai është një ndër paditësit ndaj qeverisë, por njësoj si të tjerët, nuk pranon të intervistohet pa përfunduar gjyqi. Një grua tjetër, që tregon se gjatë protestave i kishin shoqëruar tre-katër herë të shoqin, thotë se shumë shpejt ata nuk do të jetojnë dot në këtë lagje.

‘Asnjë nuk na ka ndihmu, prandaj nuk duam me fol. Ka ca që punojnë për kompaninë dhe nuk duan të rrezikojnë bukën e gojës,’ tha ajo. ‘Tani që na morën tokën, ca na ka ngel ne?! Asgjë!’ përfundoi ajo.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco