Arsyetimi i gjykatës së Firences për 'mospërmendje', justifikon sipas prokurorisë mosdeklarimin e dënimit nga Valdrin Pjetri

Arsyetimi i gjykatës së Firences për 'mospërmendje', justifikon sipas prokurorisë mosdeklarimin e dënimit nga Valdrin Pjetri

15:13, 29/09/2020
A+ Aa A-

Prokurori i Tiranës Ervin Karanxha arsyeton në kërkesën për pushimin e çështjes ndaj Valdrin Pjetrin, se kandidati për kryebashkiak nuk ishte fajtor për mosdeklarim në formularin e dekriminalizimit, pasi Gjykata e Firences kishte vendosur ndër të tjera edhe që dënimi ndaj tij ‘të mospërmendej e të mos publikohej në të ardhmen’.

Nga Edmond Hoxha-BIRN

Prokuroria pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur të dërgojë për pushim çështjen penale në ngarkim të ish-kandidatit të Partisë Socialiste për pozicionin e kryetarit të Bashkisë Shkodër në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, Valdrin Pjetri.

Kërkesën për pushim dërguar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë më 30 korrik, prokurori i çështjes Ervin Karanxha e bazon në vendimin e Gjykatës së Firences, Itali të vitit 2003, kur Pjetri është akuzuar dhe dënuar me 18 muaj burgim dhe 1000 euro gjobë për ‘mbajtje të lëndës narkotike’ në bashkëpunim. Në kërkesën për pushim të prokurorisë, thuhet se Gjykata e Fierences kishte vendosur pezullimin e dënimit dhe mospërmendjen e tij në të ardhmen.

 ‘Vetë vendimi i dënimit të tij në pjesën e dispozitivit të tij deklaronte që ky vendim nuk duhej të përmendej në të ardhmen ose të bëhej publik’, citohet në kërkesën për pushimin e çështjes.

Karanxha vlerëson se, kur gjykata ka urdhëruar që vendimi nuk duhet të përmendet, atëherë ky vendim dyhet zbatuar. ‘Sipas interpretimit të nenit 3 dhe 11 të Kodit të Procedurës Penale del se vendimi i gjykatës zbatohet dhe nuk diskutohet’, citohet në kërkesën për pushim.  Sipas prokurorisë, Pjetri ka zbatuar një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Fierences duke mos e deklaruar dënimin e dhënë ndaj tij për posedim të lëndës narkotike të llojit cannabis sattiva.

Më tej, prokuroria argumenton, se duke qenë se vepra penale ka ndodhur në shtetin fqinj, në rastin konkret zbatohet ligji penal Italian dhe jo ai shqiptar. Bazuar në këto arsyetime, prokuroria arrin në përfundimin se Pjetri nuk duhej ta deklaronte dënimin e tij dhe se për këtë shkak nuk ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal ‘falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve’.

Kërkesa për pushim do të vlerësohet nga Gjykata e Tiranës e cila do të vendosi nëse është I drejtë ose jo konkluzioni i prokurorisë.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi më 17 dhjetor 2019 nisjen e procedimit penal për Valdrin Pjetrit, për mosdeklarim në formularin e ligjit për dekriminalizimin të dënimit në Itali.

Pjetri, i cili ishte zgjedhur kryetar i Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet pa garë të vitit që shkoi, u tërhoq dhe nuk mori detyrën pas denoncimeve publike nga Partia Demokratike se ishte dënuar në Itali për çështje të lidhura me drogën.

Bashkia e Shkodrës vijon të drejtohet nga Voltana Ademi, mandati i të cilës ka mbaruar në verën që shkoi, por që nuk mund të ndryshohet në mungesë të një kryebashkiaku tjetër dhe në mungesë të një date për zgjedhjet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku29/09/2020 16:19

Po na u boka Shkodra me kryebashkiak "të ndershëm" që paska zbatuar ligjin italian duke i u referuar dispozitivit (arsyetimit) të vendimit dhe jo vendimit vetë. Çfatë "fantazie" paskan këta pëçkurorët tanë, gati gati me ja kalu Edvinit dhe Erjonit (mufkës) të marrë së bashku. Nuk ka vetting që mund ta pastrojë këtë gjiriz të "drejtësisë" të ridhjerë nga "Rilindhjerja".

Shto koment

Denonco