Dy modelet e fushatës/ PD me garë e fortë brenda vetes, PS ndërron drejtorët

Dy modelet e fushatës/ PD me garë e fortë brenda vetes, PS ndërron drejtorët

08:52, 28/09/2020
A+ Aa A-

Gazeta MAPO bën një analizë të dy krahëve politikë dhe modelin me të cilin ata pritet të paraqiten në fushatë. Në një kohë që Basha ka futur nën presionin e votave të anëtarësisë të gjithë pretendentët për kandidatë, Rama është mjaftuar me disa ndërrime drejtorësh të Bashkive. Si po shkon votimi në anëtarësinë e PD ku në vetting janë jo vetëm ata që do garojnë në zgjedhjet parlamentare por edhe kandidatët për zgjedhjet lokale. Në lista janë përfshirë dhe ish-kandidatët e zgjedhjeve lokale që megjithëse mund të kenë rezultuar jo fitues sërish kanë mbledhur vota të konsiderueshme në zgjedhjet e 2015-ës.

Kandidatët për deputet dhe kryetar Bashkie, të dërguar në bazë nga Partia Demokratike, po përballen me një proces jo të lehtë. Ditën e djeshme, u kryen votimet për qarkun e Gjirokastrës, dhe burime nga ky qytet thanë për MAPO se pjesëmarrja ka qenë goxha e lartë. Duke pasur parasysh dhe mentalitetin e demokratëve shpesh gara rezervon surpriza të pakëndshme, sidomos për ata deputetë ose ish-kryetarë bashkish që janë shkëputur nga realiteti. Mesazhi i Kukësit dhe Tropojës ku dy prej ish-kryetarëve të Bashkisë u nominuan për t’u larguar nga gara ishte i qartë. Gjithçka tashmë mbetet në dorë të anëtarësisë, nga gara mund të dalë kushdo që nuk ka lidhje me elektoratin ose përgjatë viteve që ka mbajtur mandatin nuk ka justifikuar besimin e zgjedhësve. Ata që janë përfshirë në këtë proces s’u mbetet gjë tjetër vetëm se të presin çfarë do vendosë vota e anëtarësisë.

Alternativa e PS

Krejt një panoramë tjetër ofrohet nga krahu kundërshtar. Përveç disa ndërrimeve të drejtorëve në Bashkinë e Tiranës, dhe paralajmërimit për zëvendësime të tjera në administratë, deri më tani nuk po shihet asgjë tjetër. Alket Hyseni deputet i PS por dhe Taulant Balla kreu i grupit Parlamentar folën për një filtër të rreptë në përzgjedhjen e kandidaturave, por pa shpjeguar se cili do jetë ai dhe si do merret mendimi i anëtarësisë. Balla u tregua më konkret para disa ditësh kur foli për një platformë online në faqen e PS-së, ku do propozohen kandidatët. Nga një vështrim që i bëmë faqes zyrtare PS.al nuk na rezulton asnjë platformë e tillë.

I vetmi lajm ka qenë delegimi i të dërguarve politikë në qarqe, ku të bien në sy emrat e zakonshëm, Balla, Spiropali, Gjiknuri, Beqja, Xhaçka apo dhe vetë Edi Rama që është në dilemë për përzgjedhjen e zonës së tij elektorale. Më parë u fol se do kandidonte në Durrës, por gjatë vizitës në Vlorë deklaroi se do ishte sërish atje si deputet. Është munduar të bëjë disa ndërrime drejtorësh, apo ka paralajmëruar ndryshime në disa institucione por sërish këto s’kanë të bëjnë asgjë me mendimin e bazës, dhe votën atje pasi ndryshimet në administratë janë atribut i tij. Dhe në rast se ajo që thotë Taulant Balla është e vërtetë, besueshmëria e një platforme online, është larg demokracisë së votës direkte.

Kryetarët e Bashkive

Kjo nuk është fazë përfundimtare e përzgjedhjes. Këtë gjë e konfirmoi dhe sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi. “Do të ketë një fazë tjetër vlerësimi, veçanërisht të integritetit të secilit prej kandidatëve, përsëri nga Komisioni i Vlerësimit dhe, më pas, do të ketë një filtër real vlerësimi të kontributeve në parti, veçanërisht gjatë 7 viteve në opozitë, nga kryesia qendrore e partisë dhe më pas nga Këshilli Kombëtar”, tha dje Bardhi nga Gjirokastra. Komisioni i Vlerësimit do të kalojë dhe një herë në sitë kandidatët e përzgjedhur, ku do të merret parasysh jo vetëm rankimi dhe numri i votave që kanë marrë nga anëtarësia, por dhe 30 përqindëshi i kandidateve femra.

Më tej kjo listë do i shkojë kryesisë së PD-së e cila do vendosë për çdo emër të ardhur nga baza. Në listë nuk janë vetëm kandidaturat për deputetë, por do jenë dhe 61 kandidatët për pushtetin lokal, të cilët sipas burimeve në PD e kanë deklaruar më parë preferencën e tyre. Për shembull në rast se në Dibër do dalin 5 kandidatë për deputetë, katër të tjerë janë kandidatura për bashkitë, Dibër, Klos, Bulqizë dhe Mat. Në rast se Berati ka 7 deputetë, kandidatët që do jenë fitues do jenë 12, sepse 5 prej tyre janë kandidatë që duhet të presin zgjedhjet lokale në bashkitë, Berat, Poliçan, Urë Vajgurore, Skrapar, Kuçovë. Natyrisht në lista janë përfshirë dhe ata që kanë kandiduar më parë për zgjedhjet lokale dhe kanë marrë rezultate të mira.

Fjala vjen Niko Shupuli rezulton kandidat në listën e Përmetit, por burime nga dega e PD Gjirokastrës shprehen se vetë Shupuli ka shfaqur preferencën për të qenë si kandidat i Bashkisë Përmet dhe jo për në Kuvend. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në Berat me disa nga kandidatët që kanë rezultuar të suksesshëm në zgjedhjet e vitit 2015, dhe që rezulton se kanë marrë më shumë vota se vetë koalicioni opozitar, por bashkimi me LSI-në i favorizon në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kasëm Mahmutaj i koalicionit opozitar në zgjedhjet lokale të vitit 2015 mori 5600 vota më shumë se vetë koalicioni, por kandidati i majtë u favorizua nga aleanca që PS kishte me LSI-në. Por kjo gjë nuk ka ndodhur fjala vjen me Ilir Krosin, i cili humbi bashkinë e Dibrës në vitin 2015 përballë Shukri Xhelilit. Rasti i Gjirokastrës është specifik, pasi kandidati Igli Kokalari, i cili mori një rezultat të pëlqyeshëm përballë Zamira Çavos, ka emigruar në Amerikë, sipas burimeve nga Gjirokastra.

Surprizat

Por duket se nga zgjedhjet e PD, do na duhet të presim dhe surpriza të tjera. Ish-kandidatët e vitit 2017, apo dhe ish-deputetët në shumë raste mund të mos jenë në listat e ardhura nga baza. Komisioni i vlerësimit ka qenë shumë strikt për të dhënë një informacion të tillë, por burime nga PD shprehen se surprizat nuk do të mungojnë, qoftë nga përzgjedhja fillestare qoftë dhe nga skualifikimet që kanë nisur. Shumë prej ish-deputetëve kanë menduar të ndërrojnë zonë, ose dhe të tërhiqen nga kandidimi. Shpresa e vetme mbeten qarqet e mëdha, si Tirana, Durrësi, Shkodra apo Fieri.

Megjithatë hiq Tiranën apo Durrësin që kanë një popullsi homogjene, qarqet e tjera kërkojnë të zgjedhurit e tyre dhe njerëz që i kanë ndenjur afër elektoratit, qoftë kur kanë pasur mandate deputeti qoftë kur kanë qenë pa të. Kjo tregon dhe një herë se sa i gabuar ka qenë përcaktimi i kandidaturave nga qendra, jo vetëm në vitin 2017 por edhe më parë. Një figurë e panjohur apo e komanduar çorodit elektoratin dhe ngjall jo pak pakënaqësi.

Deklarata

Por procesi, natyrisht që do krijojë dhe pakënaqësi sidomos nga ata që mbeten jashtë listave. Për këtë arsye, që përpara fillimit të procesit, kandidatët që kanë pranuar të bëhen pjesë e garës, kanë firmosur një deklaratë, ku shprehen se pavarësisht vijimësisë së procesit nuk do punojnë kundër interesave të partisë në zgjedhje. Nisur dhe nga precedentët e kaluar, kur sapo dalin listat e emrave për kandidat fillojnë dhe qejfmbetjet, kjo është gjetur si zgjidhje për të gjithë ata që provuan por nuk u votuan, apo komisioni i vlerësimit i ka gjetur si të papërshtatshëm për të filluar garën. Në raport me të majtët, të djathtët nuk para njihen si elektorat rreshti dhe këto probleme kanë ekzistuar gjithmonë. PD ua ka bërë të qartë se ata që kalojnë fazën e parë nga komisioni I kualifikimit, do jenë në database për të marrë poste të larta në administratë. Por kjo mundësi mund t’u hiqet, në rast se për shkak të pretendimeve apo humbjes në garë ata punojnë kundër në fushatë elektorale.

Numri i kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie për çdo qark, që del në fund të procesit nga PD

Berat – 12 kandidatë 7 deputet 5 kryetar bashkie

Dibër – 9 kandidatë, 5 deputetë 4 kryetar bashkie

Durrës- 17 kandidatë 14 deputetë, 3 kryetarë bashkie

Elbasan – 21 kandidatë, 14 deputetë 7 kryetarë bashkie

Fier – 21 kandidatë, 16 deputetë 5 kryetarë bashkie

Gjirokastër – 12 kandidatë, 5 deputetë 7 kryetarë bashkie

Korçë – 17 kandidatë, 11 deputetë 6 kryetarë bashkie

Kukës – 6 kandidatë, 3 deputetë

Lezhë – 10 kandidatë, 7 deputetë 3 kryetarë bashkie

Shkodër – 15 kandidatë, 10 deputetë 5 kryetarë bashkie

Tiranë – 38 kandidatë, 35 deputetë 3 kryetarë bashkie

Vlorë – 19 kandidatë, 12 deputetë 7 kryetarë bashkie

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco