VOA: Peticionet e mjekëve u shpërfillën! Ja sa janë pagat e tyre, më të ulëtat në rajon

VOA: Peticionet e mjekëve u shpërfillën! Ja sa janë pagat e tyre, më të ulëtat në rajon

19:11, 24/09/2020
A+ Aa A-

Në Tiranë mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zhvilluan sot një protestë të heshtur, duke kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, që u vështirësuan tej mase gjatë pandemisë.

Tubimi u zhvillua në të njëjtën kohë që përfaqësues të sindikatës së tyre u takuan me ministren e shëndetësisë, e cila i quajti të drejta 4 kërkesat e tyre.

Të dyja palët njoftuan nisjen e bashkëpunimit për t’i përmbushur sa më parë kërkesat e mjekëve.

Protesta e sotme e mjekëve erdhi një muaj pasi autoritetet nuk po u kthenin atyre përgjigje për peticionin, ku kërkuan masa shtesë për pandeminë.

Mjekët kërkuan që të shpallen dëshmorë të kombit kolegët e tyre që humbën jetën gjatë pandemisë, të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, të rritet në nivele të konsiderueshme trajtimi financiar i tyre, si dhe t’u sigurohen kushtet e punës për parandalimin e infeksionit sipas standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Ramë dakord për një kalendar takimesh, që nga e mërkura e ardhshme të nisim dialogun mbi kërkesat e sindikatës së mjekëve me autoritetet shtetërore. Gjetëm mirëkuptim dhe presim që të dakordësohemi sa më parë” - tha dr. Gent Stroni, drejtues i Sindikatës së Mjekëve pas takimit me ministren e shëndetësisë.

Kërkesa të ngjashme mjekët iu drejtuan autoriteteve edhe me një peticion tjetër në prill, por as ai i 6 muajve më parë dhe as peticioni i gushtit nuk morën përgjigje deri sot kur u mbajt protesta e mjekëve, në të njëjtën kohë me takimin e sindikatës së tyre me ministren e shëndetësisë.

Tani gatishmëria është e madhe, dhe për secilën nga 4 kërkesat do të ngrihet një grup pune i vecantë me mjekë dhe teknokratë.

“Jemi gati si qeveria për të diskutuar me mjekët për tema afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata. Ministria e Shëndetësisë është shtëpia e mjekëve dhe jemi të hapur të diskutojmë mbi të gjitha kërkesat. Ata janë heronjtë tanë në këtë kohë të vështirë pandemie dhe jemi të vetëdijshëm për sakrificat e tyre” - tha ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pas takimit me sindikatën e mjekëve.

Mjekët pohojnë se nuk po kërkojnë rritje pagash, duke shfrytëzuar pandeminë, por sepse pagat e tyre janë mjaft të ulëta.

Mjekët e Shqipërisë kanë aktualisht pagat më të ulëta në rajon, ose 2-3 herë më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Ata paguhen mesatarisht 400-600 dollarë çdo muaj për një numër të madh vizitash mjekësore dhe orë të tejzgjatura shërbimesh, të cilat janë bërë për ta edhe më të rrezikshme gjatë pandemisë që shpërtheu në mars.

Sipas të dhënave të besueshme jozyrtare, paga e një mjeku familjeje nis me 40 mijë lekë, ndërsa 55 mijë lekë është paga e një kirurgu në QSUT pa gradë shkencore. Një infermier në QSUT e ka pagën 30 - 35 mijë lekë.

Pagat më të larta të mjekëve janë ato me tituj dr.prof., që shkojnë afro 80 mijë lekë për punën në spitale, dhe bashkë me leksionet në Universitet mund të ngjiten deri 1 mijë euro.

Mjekët pohojnë se gjatë pandemisë po bëhen dallime midis tyre, sepse vetëm kolegët në dy spitalet Covid po marrin shpërblime nga shteti, por mjekët e familjes dhe mjekë të tjerë nuk përfitojnë shpërblime, edhe pse rrezikojnë çdo ditë të punës për shkak të përhapjes komunitare të virusit./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Betimi I Hipokratit29/09/2020 08:14

Flasin per kushtet e punes ,higjena ne spitale eshte skandaloze Nuk pastrohen njehere me themel tualetet jane shtresat e papastertive me vite te pa pastruara . Nuk kane detergjent apo Nuk kane personel qe te pastroje, Po keta shefa pavioni si Nuk shohin njehere dhe tu kerkojne sanitareve te pastrojne mire ambientet apo Nuk ju del koha se duhet tju bejne kafet, tju shohin dhe filxhanin. Ne si popull Nuk kemi edukate Pune , pastrojne keto siper e siper perdorin dhe detergjentet (Me arome trendafili) me cilesine me te dobet dhe rezultati le shume per te deshiruar. Dhe dalin mjeket e kumandarur mire me roba te shtrenjta ,te parfumosur jo per gje Po disa vizita ne dite dhe jo vetem parfumin e blene Po ju mbeten dhe per ndonje dreke jashte tirane. Mentalitet I felliqur perfitojne mbi kurizin e atyre qe kane hall shendeti . Dhe del ajo ministria dhe flet me vrull te madh revulucionar , njera nga keto qe kane bere vaksinen e rilindjes .... Te felliqur qe te gjithe.

t24/09/2020 19:21

Mjeku i familjes pothuajse nuk bie fare ne kontakt fizik me te semurin,perveç online

Shto koment

Denonco