Vasili: Kërkesat e mjekëve të drejta, dështimi me pandeminë është përgjegjësi e qeverisë

Vasili: Kërkesat e mjekëve të drejta, dështimi me pandeminë është përgjegjësi e qeverisë

13:07, 24/09/2020
A+ Aa A-

Për kërkesat e mjekëve dhe infermierëve ka reaguar nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ku përmes një deklarate për shtyp nga selia e partisë, i cilësoi të drejta kërkesat ku edhe shtoi se dështimi me pandeminë nga Covid-19 është përgjegjësi e qeverisë.

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare, situata me sistemin shëndetësor pa dyshim është në një nga momentet më delikate dhe kritike me të cilën qytetarët përballen në përditshmërinë e tyre, por edhe në planin më të gjerë shoqëror lidhur me miq të afërm apo edhe familjarë.

Sot ne përballemi me një situatë të pabesueshme që mjeket detyrohen të jenë në grevë për kërkesa që janë pak të thuash bazike, minimale, kërkesa që as nuk duhet të kishin vend për tu diskutuar në një kohë pandemie pas mobilizimi i fondeve dhe i mbështetjes financiare do të ishte i tillë kaq i plotë saqë vetëm në këto momente nuk mund të ndodhte, pasi qeveria do të duhej të tregohej e pakursyer për një sistem shëndetësor i cili përballet me një nga problematikat më të vështira dhe më të rënda me të cilat mund të jetë përballur ndonjëherë. Përkundrejt kësaj dhe përkundrejt një batërdie, premtimesh dhe mashtrimesh, një profesion tashmë i konsoliduar i rilindjes qoftë nga kryeministri dhe ministrat e tij kemi pikërisht të kundërtën, ne kemi dëgjuar dhe rritjet e zërit anormale, alogjike të trashe dhe vulgare të qeveritarëve duke filluar nga ata që drejtojnë ministrinë e Shëndetësisë lidhur me pandeminë, të guxojnë t’u drejtojnë gishtin shqiptarëve, teknicienëve, politikës së gjithkujt, a thua se menaxhuan pandeminë siç duhet apo a thua se dëgjuan mendimin më të mirë profesional dhe shkencor.

Këta sharlatanë meritojnë vetëm përçmim, e meqë meritojnë përçmim është vendi për t’i kujtuar se çfarë kanë bërë me pandeminë se çfarë kanë përbuzur, çfarë kanë pështyrë dhe kanë lëpirë në rrugë sipër duke treguar mediokritetin e tyre të jashtëzakonshëm. Le t’i marrim me radhë këto fenomene njëri pas tjetrit, asnjë nuk mund të harrojë se megjithëse sot përdorim mediat gjerësisht dhe lëshojnë mesazhet e tyre dhe të çmendura në ato media, thirrja e vetme e kryeministrit të tyre, jo tonit ishte ju sugjeroj të mbyllni televizorin dhe të fikni telefonat, ndërkohë në telefon lëshonte mesazhe, e nëse shqiptarët do ta kishin dëgjuar atë nuk do ta lexonin as mesazhin idiot të tij.

Së dyti kam dëgjuar po nga qeveria, jo nga opozita, kam dëgjuar të kundërtën nga opozita, ekspertët e saj kanë kërkuar përdorimin e maskave, por ishte kryeministri i vendit i mbështetur dhe nga ministrja që sot bërtet me tone të larta, se nuk i bërtet dot kryeministrit kuptohet si të gjithë frikacakët që kanë hyrë dhe kanë dalë në dyert e rilindjes, i cili thoshte maskat janë krejtësisht të panevojshme edhe absurde madje dhe nuk bën sens përdorimi i tyre, është kaq e vërtetë saqë absurditeti ka përvijuar edhe më tej me sugjerimin e kryeministrit për të përdorur maska të skeduara prej 10 vitesh, këta bëjnë sikur harrojnë, por ne nuk kemi harruar, ne kemi parë idiotësia të tilla të organizimit dhe të përballimit të pandemisë siç ishte mesazhi me videon spanjolle, ku kryeministri e tregoi tjetër për tjetër dhe ngatërroi protestat e opozitës me masat kundra pandemisë sepse kishte shumë përzemërt të përballonte pandeminë me tanke dhe autoblinda dhe jo me mjetet që shkenca sugjeron dhe duke i qëndruar besnik trinomit testo-gjurmo-trajto, i cili ishte një trinom i huaj, i papajtueshëm për kryeministrin dhe për këta që drejtojnë Ministrinë e Shëndetësisë. Në vend të mesazheve shkencore, të qartë dhe të drejtpërdrejtë, ne kemi parë se si një cub i dalë nga mendja si kryeministri, me 12 badigardë përleshej me të moshuar të varfër dhe pambrojtje, për të dhënë shoë-n e tij të radhës se si përballohet pandemia me sukses të paparë.

Po vijmë te kyçi, te zemra e çështjes, te testet. Nuk qe opozita, sepse ajo ka kërkuar që të mbështetet strategjia e OBSH “testo-testo-testo”. Ishte kryeministri i këtyre, i cili jo vetëm e dekurajoi këtë gjë, por tha që testimet nuk kanë asnjë vlerë, janë të panevojshme dhe ne do të veprojmë në mënyrën tonë siç e gjykojmë ne dhe jo siç e gjykonte OBSH, do veprojmë dhe si Zvicra që ka një model të caktuar. Ishte po ky kryeministër që proklamonte që mund të bënte deri në 2 mijë testime në ditë dhe në një kohë që vetë ministri i tij pohonte që kemi gjithsej 2 mijë teste në gjendje. Këto janë fakte! Asnjë gjë e stisur apo e sajuar dhe kishim vetëm 2 mijë teste, kur duhej të testonim 2 mijë në ditë minimumi. Çfarë u tha opozita pa filluar ende pandemia? Mobilizoni fondin e plotë, blini teste, blini maska, blini respirator dhe aktivizoni shëndetin parësor, shërbimin ambulator dhe jo vetëm 127, vrimën me të cilën donin të fusnin pandeminë apo shtratin e lumit në një hinkë të vetme.

Nuk ishim ne, por ishte kryeministri i Shqipërisë që mori përsipër të fliste në Facebook, kur kishte vetëm 27 raste dhe ku u paralajmërua që pandemia mund të dilte jashtë kontrollit dhe kemi arritur deri në 6-fishimin e rasteve. Ndërkohë që është një situatë e tillë, po ky sharlatan çirrej në Parlamentin e Shqipërisë dhe thonte që ne kemi bërë menaxhimin nga më të mirët në botë, ku të gjithë organizmat ndërkombëtare që vlerësojnë vendet, e nxorën Shqipërinë të parafundit në glob përsa i takon menaxhimit të pandemisë. Edhe këto janë fakte dhe nuk janë shpikje të tjetërkujt.

Me insistimin tonë u shfaq pas një kohe tepër të gjatë se cili ishte Komiteti i Ekspertëve, i cili vepronte në ilegalitet të plotë, pa identitetet dhe ku pesha e epidemiologëve. Ky komitet ishte thuajse zero, pasi epidemiologia e mirëfilltë në të tërë komitetin ishte një specialiste e njohur dhe e zonja, por e vetme në atë komitet. Këto janë fakte dhe jo sajesa të tjetërkujt. Për të ecur më tej me metaforat dhe me budallallëqet që Rilindja e ka si zanat t”i thotë, kanë merakun dhe është folur për pushime. Unë jam i bindur ministrja sigurisht ka një frikë të tmerrshme nga kryeministri apo adhurim, kjo është çështje e saj, por kur flet për pushime sigurisht ka parasysh ato të kryeministrit, që kur rastet ishin 6-fishuar, jepte direktiva nga Dhërmiu edhe njëherazi edhe një problem të madh të shëndetit publik, siç qe grumbullimi masiv i mijëra qytetarëve tanë në Kakavijë, vazhdonte pushimet i qetë, i patrazuar së bashku me ministren e tij, e cila nuk u shfaq në atë moment që kishte një potencial të lartë epidemiologjik. Dhe pse ndodhi ajo pjesë dramatike? Se në vend që të certifikoheshin me kohë laboratorët privatë për të rritur kapacitetet e testimit, u izoluan, u bllokuan dhe u quajtën të paligjshëm, ndërkohë që ligji i sëmundjeve ngjitëse, shprehej qartë për mundësinë e certifikimit dhe punën e tyre. Pra e mbyllën në grusht atë që quhet testim i gjerë i popullatës. Sot e kësaj dite asnjë nuk i harron këto pushime të kryeministrit dhe të ministrave të tij kur përgjegjësinë e kishin ata në vijën e parë. Nuk janë këta ata që tregojnë se ku e ka vendin opozita.

Opozita nuk do të rrijë te dera e Spitalit Infektiv, por është këtu që të komunikojë me të gjithë publikun, të tregojë të vërtetat e mëdha. E nëse nuk i pëlqejnë këtyre sharlatanëve, le të mos u pëlqejnë, ne kemi hallin e shëndetit të popullit. Dhe kur të gjitha ato që thamë, një për një, nga e para te e fundit, u verifikuan një më një, gjëja e parë është që të mbyllin gojën. Sepse ishin këta, që ne i lajmëruam për testet dhe gjithashtu për respiratorët dhe vetëm pas një muaji e gjysmë që pandemia kishte filluar, u hapën tenderët për t’i blerë ato e nuk u realizuan asnjëherë, me gjithë mashtrimet që dhjetëra respiratorë po vinin. Sot dhjetëra respiratorë merren borxh me qira nga Danimarka. Këto janë fakte, të cilat nuk i lëviz topi dhe nuk janë sajuar nga ne. Nuk po shkoj më tej te spitalet që do të hapeshin, Covid 3 e Covid 4. Me mijëra reportazhe live dhe online, ku kryeministri e ministrja shfaqeshin e demonstronin mure të lyera e të tjera e të tjera, ndërkohë që spitalet nuk ekzistojnë. Mbingarkesa që përballojnë kolegët tanë në Covid 1 dhe Covid 2 është një anormalitet që ul nivelin e shërbimit, i mundon e stërmundon mjekët, i ezauron e i dekurajon ata, në vend që të hapë struktura të tjera. E mbi të gjitha decentralizoi tërë shërbimin shëndetësor, e nëpër rajone të ishin pikat të cilat trajtonin pacientët me Covid, e jo ata të përqendroheshin të gjithë në Tiranë.

Këto situata, të cilat janë shumë të vërteta, nuk mund të mbulohen nga asgjë dhe fakti që sot e kësaj dite mesatarja e testimeve shtetërore nuk lëviz nga 500-600, nuk do të thotë as intensifikim dhe as lexim i rezultateve. Ndonjë shejtan po e themi me ironi, e mashtron ministren e pazonjë dhe të paditur dhe i thotë ne e kemi gjendje platoje. Zonjë nuk ka plato, bindu njëherë e mirë nga ana profesionale, kur bën të njëjtin numër testesh përditë. Duhet të testoje minimumi 4 fishin që të kishe mundësi të ndërtoje një kurbë e të kishe atë ecuri në rënie, sikurse ka Kosova, që në teori ka potenciale më të ulëta mjekësore, teknologjike e të tjera sesa Shqipëria. Kur nuk teston shumë, aq sa shkenca kërkon, për të vlerësuar sigurisht fillon e shet dëngla, plato e gjendje të sheshtë e të tjera e të tjera. Shqipëria nuk mundi kurrë të evidentonte kurbën e saj, të kishte ecurinë, të kishte masa, sepse asnjëherë nuk i doli përpara pandemisë, asnjëherë nuk i bëri pengesë asaj, por e ndoqi atë nga pas duke i shërbyer propagandës dhe jo shkencës.

Këto janë të vërtetat e mëdha, të cilat nuk lëvizin, ashtu siç nuk lëvizin demagogjitë për pagat, të cilët kujtohen pas 8 vitesh që do t’i rrisin. E gjithë rritja e marrë së bashku është më pak sesa rritja e vetëm një here e qeverive të tjera, që vetëm me një veprim i dyfishuan ose dhe më shumë pagat. E megjithatë janë modest e nuk flasin, sepse nevojat e mjekëve për pagat më të larta, janë shumë më të mëdha sesa kaq. Praktikisht i gjithë ky sistem shëndetësor, i konkluduar pa asnjë spital të vetëm të ri, asnjë, të premtuar, të shfaqur në 3D, 4K e çfarë të doni ju, por që nuk ekzistojnë e nuk u ndërtuan. Pas 8 vitesh fillojnë premtimet se çfarë do të bëjnë e cilat janë ëndrrat për vitet që do vijnë. Këto ëndrra kanë vdekur.

Shëndetësia, së bashku me shëndetësinë falas, që do të realizohej brenda 4 viteve të para, brenda 2017, janë të gjitha vetëm mashtrime të rrënuara, të cilat vetëm ndonjë i marrë, si kryeministri apo ndonjë ministër klientelist mund t’i besojë. Përfundimisht këto janë të vërteta të mëdha, të thëna nga foltoret tona, jo nga divanet. Divanet shumë përdorimshe këta zotërinj le t’i kërkojnë në zyrat e tyre luksoze për të cilat nuk janë kursyer, vazhdojnë të bëjnë shpenzime edhe ne kohë pandemie. Ju faleminderit të gjithëve!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco