Meta, me kritika kundër HEC-eve mbi çdo lumë: Jo diga mbi Vjosë, por park kombëtar! Presidenti Ilir Meta në lumin Vjose, prill 2020

Meta, me kritika kundër HEC-eve mbi çdo lumë: Jo diga mbi Vjosë, por park kombëtar!

09:39, 24/09/2020
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se “personalisht unë do të mbështesja ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen “Park Kombëtar” të pjesës lumore ku parashikohen HEC-en e Poçemit dhe të Kalivaçit”.

Presidenti, me synimin për të nxitur një debat midis shkencës dhe politikëbërësve, ka mbledhur sot Tryezën e rrumbullakët: ‘‘E ardhmja e lumit Vjosa,  digat në Parkut Kombëtar”, ku ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj asaj që po ndodh me lumenjtë e Shqipërisë, ku në krahasim me rajonin, janë dhënë gati dyfish leje për ndërtimin e HECE-eve.

“Prej vitit 2007, - tha Meta, - është rritur numri i përgjithshëm i HEC-eve të ndërtuara ose në ndërtim e sipër ose në plan.

Ekspertët theksojnë se sot nuk ka degë lumi që nuk është në proces ndërtimi apo në plan për t’u përdorur për HEC-e e dendësia e HECE-ve duket se është me larta në Ballkan, gati dyfish me vendet e rajonit.

Mbi 80 HEC-e janë dhënë edhe brenda zonave të mbrojtura të vendit ose në zonave që janë të mundshme për t’u mbrojtur siç është rasti i lumit Vjosa.

Mund të përmend këtu përpjekjet e dështuara të akademikëve, mjedisorëve dhe palëve vendore të interesuara për të ndaluar ndërtimin e HEC-eve në parkun kombëtar të Valbonës.

Ky duhet të përbëjë shqetësim real jo vetëm për shkencëtarët, ambientalistët, por për të gjithë vendin, veçanërisht për vendimarrjen që duhet jetë tepër e përgjegjshme.

Ndërtimi i HEC-eve në shkallë të gjerë dhe aktiviteteve të tjera ndërtuese jomiqësore, madje armiqësore do të thoja veçanërisht brenda zonave të mbrojtura apo zonave që mund të mbrohen në të ardhmen nuk mund të jetë kurrsesi një rrugë e blertë, një rrugë e qëndrueshme për zhvillimin e vendit.

Shkencëtarët këmbëngulin se HEC-et së bashku ose veç e veç shkaktojnë ndikime të dëmshme si në kohë, hapësirë, ekosistem, brigjet lumore e cilësinë e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore deri në ashpërsimin e klimës dhe nxitjen e mëtejshme të ngrohjes globale.

Nga informacioni duket se përbën shumë shqetësim edhe cilësia e hartimit dhe miratimit të raporteve të vlerësimit në mjedis pranë lumenjve, që shpesh përgatiten në tavolinë në mënyrë të nxituar me shumë pak punë konkrete  kërkimore ne terren, dhe me shumë papërgjegjshmëri miratohet ajo që dëshiron qeveria dhe koncensionari.

Këto janë disa nga arsyet që më shtyjnë të organizoj këtë tryezë mbi të ardhmen e lumit Vjosë, ndërtim digash ose park kombëtar duke nxitur një debat mes shkencës dhe politikëbërjes, një debat shpesh i mohuar në zhvillimin e vendit.

Unë e mbështes një debat të tillë me shumë vlerë dhe me shumë rëndësi, si në zhvillimin e vendit dhe për shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive tona natyrore. Do të kërkoja nga qeveria që debate të tila të ndodhin përherë madje të jenë të institucionalizuara me ekspertë vendas dhe të huaj sa herë lind nevoja .

Personalisht unë do të mbështesja ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen “Park kombëtar” të pjesës lumore ku parashikohen HEC-et e Poçemit dhe të Kalivaçit,” theksoi Presidenti.  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco