Policia refuzoi protestën e mjekëve/ Zbulohet shkresa zyrtare me arsyen qesharake

Policia refuzoi protestën e mjekëve/ Zbulohet shkresa zyrtare me arsyen qesharake

22:37, 23/09/2020
A+ Aa A-

Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor paralajmëroi ditën e nesërme në orën 10:00, një protestë një orëshe në sheshin para spitalit nr. 1 pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.

Policia e Shtetit e ka refuzuar kërkesën e mjekëve për të protestuar, duke dhënë një arsye sa qesharake aq edhe ironike.

Media ka siguruar ekskluzivisht përgjigjen e drejtorisë së Policisë së Tiranës drejtuar Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, ku refuzohet kërkesa për leje për të protestuar nesër.

Por cila është arsyeja e refuzimit?

Në përgjigje, drejtoria e policisë u kujton mjekëve dhe infermierëve që janë në vijën e parë të betejës me koronavirusin se për shkak të sëmundjes grumbullimet janë të ndaluara. Për këtë arsye, vijon më tej policia, zhvillimi i tubimit përbën rrezik real për shëndetin e tyre.

Në fund policia paralajmëron se nëse do të realizohet tubimi, organizatorët dhe pjesëmarrësit do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.

 “Zhvillimi i këtij tubimi në kohë pandemie, përbën rrezik real për shëndetin tuaj dhe të qytetarëve të tjerë. Ju rikujtojmë se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale, për pjesëmarrje dhe grumbullime të paligjshme” thuhet në shkresën e firmosur nga Rebani Jaupi, kthim përgjigje për sindikatën.

Por cfarë kërkojnë mjekët?

Sindikata thekson se protesta ka për qëllim sensibilizimin dhe llogaridhënien e institucioneve përgjegjëse për garantimin e pagave dinjitoze dhe kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë për punonjësit shëndetësorë për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së tyre në luftën me COVID-19.

Kërkesat e mjekëve:

–Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm

-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.

-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama dy ditë më parë premtoi se rritja e pagave do të jetë 40% për mjekët. “Nuk dua të flas me shifra finale, por besoj se do të arrijmë rreth 40%” tha ai. Por mjekët tani kanë disa kërkesa.

Pas njoftimit për protestë reagoi kryeministri Edi Rama, i cili do të presë nesër në mëngjes në selinë e qeverisë një përfaqësi të tyre./ abcnews/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco